Vetëm 26 % e shqiptarëve janë bujarë dhe të sjellshëm dhe zyrtarisht, sipas një raporti të fundit, jemi ndër më ‘kurnacët’ në Europë. Ndërsa, shqiptarët e Kosovës rezultojnë këtë vit si më bujarët e Ballkanit.
Nga 140 shtete të marra në shqyrtim, Shqipëria renditet e 108 për sa i përket bujarisë. Sipas raportit, Shqipëria ka humbur plot 13 shkallë nga raporti i 2017.
Më mirë në rajon renditet Kosova e 66-a e 59, e cila ndiqet nga Bosnje dhe Hercegovina në vendin e 90-ta, Mali i Zi i 116-ti, Serbia e 129-i dhe Maqedonia e 130-i.
Indeksi Global i të Dhënit 2018, i publikuar së fundmi nga Instituti CAF (Charity Aid Foundation) është etiketuar si studimi kryesues për sa i përket bujarisë. Indeksi rendit 140 shtete në tre kategori: të ndihmuarit e të huajve, dhurimi i parave dhe koha e punës vullnetare.
Sipas specifikimeve, 42 % e shqiptarëve nuk hezitojnë që të ndihmojnë një të huaj kur i kërkon ndihmë, duke u renditur të 108-tët në botë. Nga ana tjetër, 28 % e shqiptarëve kanë dhuruar para vitin e shkuar, duke u renditur kështu të 64-tët në botë. Ndërsa sa i përket dhurimit të kohës për vullnetarizëm, 7 % e shqiptarëve kanë dhuruar kohën e tyre për bamirësi ose ndonjë kauzë të ngjashme, duke u konsideruar kështu në 10-tëshen e fundit në botë për këtë indikatorë, përkatësisht të 134-ët.
Edhe sipas një tjetër studimi të vitit të shkuar, nga sondazhet e Gallup International, shqiptarët rezultonin çuditërisht ndër popujt e vetëm në botë që preferojnë të dhurojnë para dhe jo kohë për bamirësi.(Lexo: http://www.monitor.al/sondazhi-i-gallup-shqiptaret-preferojne-te-dhurojne-para-dhe-jo-kohe-per-bamiresi/)
Kush janë vendet më bujare sipas Indeksit 2018?
Indonezia kryeson Indeksin Botëror të CAF-it për herë të parë. Ndërsa tre rezultatet individuale të Indonezisë janë përgjithësisht të pandryshuara që nga viti i kaluar kur vendi pozicionohej në vendin e dytë, tani lëviz në vendin e parë , duke ulur nga ‘froni’ i shumë viteve shtetin e Myanmar, i cili ka rënë në vendin e nëntë pas katër vjetësh në numrin një në Indeks.
Në mënyrë të konsiderueshme më shumë njerëz në të gjithë globin raportuan se ndihmonin një të huaj dhe dhuronin kohë vullnetare, ndërkohë që proporcioni i cili dhuronte para ka rënë për të dytin vit radhazi. Proporcioni i njerëzve në mbarë botën që dhuroi para në vitin 2017, është ende në nivelin më të ulët që nga viti 2013. Dhurimi i parasë është rritur nga vendet e zhvilluara (nga 40% në 42%), por ka rënë në mesin e vendeve në zhvillim (nga 25% në 24%).
Pesë vendet që kryesojnë:
Indonezia
Australia
Zelanda e Re
SHBA
Irlanda
Marrë nga Monitor