0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

BUTËSIA, DURIMI DHE TRIMËRIA E TË DËRGUARIT

Më të lexuarat

BUTËSIA, DURIMI DHE TRIMËRIA E TË DËRGUARIT TË ALLAHUT ALEJHI SALTU UE SELAM

Lavd-falënderimi i takon vetëm se Allahut. Atë e lavdërojmë dhe nga Ai falje dhe ndihmë kërkojmë. Dëshmoj se nuk i takon me të drejtë adhurimi përveç se Allahut të Madhëruar dhe se Muhamedi, i biri i Abdullahit dhe rob i Allahut është i Dërguar i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, familjen e tij, shokët e tij, dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë ata me të mira deri ditën e Kiametit.

O ju musliman, dijeni se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu me cilësi më të larta, më i miri dhe më i dashuri në mesin e njerëzve dhe Allahu me dërgimin e tij e plotësoi begatinë mbi ne dhe tha: “Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët”. Teube 128.

Nga butësia dhe durimi i tij na mjafton të dimë nga ajo që ditën e Uhudit ia përgjakën faqen e tij të bekuar dhe ia thyen dhëmbët dhe shokëve të tij kur e panë në këtë gjendje u erdhi shumë keq deri sa i than: O i Dërguar i Allahut, lutju Allahut kundër tyre? Iu përgjigj: “Unë nuk jam dërguar si mallkues po jam dërguar si mëshirë”. Dhe pastaj tha: “O Zot udhëzoje popullin tim për arsye se ata nuk e din të vërtetën”.

O ju robërit e Allahut shikoni këtë fjalë se çfarë mirësie ka përmbledhur në vetvete dhe shikoni gradat e mirësisë dhe moralit të lartë. Ata e lënduan dhe ai jo vetëm që nuk foli kundër tyre po ua fali dhe i mëshiroi dhe u lut për ta dhe pastaj e paraqiti shkakun e mëshirës dhe butësisë së tij me thënien e tij:”Populli im”, e pastaj kërkoi ndjesë për ta duke i arsyetuar me injorancë dhe tha: “Ata nuk e din të vërtetën”.

Pas një beteje iu drejtua njëri dhe i tha: “Shpërndaji plaçkat me drejtësi o Muhamed, se me këtë ndarje nuk është i kënaqur Allahu”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, iu përgjigj: “Mjerë për ty, nëse unë nuk jam i drejtë kush do të jetë i drejtë. Allahu më bëri besnik në tokë mbi pasuritë e Tij e ti nuk më beson”.

Disa nga sahabët thanë: “Nuk e kemi parë ndonjëherë të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, t’i bënte ndokujt padrejtësi apo t’i bie ndokujt me dorë, përveç se nëse ishte në luftë në rrugë të Allahut dhe asnjëherë nuk i ka ra shërbëtore apo grua”.

Ishte njeriu më i butë deri në skaj të mundësive të tij dhe durimtar ndaj asaj që shkaktonte neveritje dhe pakënaqësi dhe i përulur ndaj urdhrave të Allahut deri sa i tha atij: “Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit”. Earaf 199, dhe poashtu i tha: “Pra, falua fajet dhe mos i qorto! Se, Allahu i do bamirësit”. Maide 13.

Sa i përket modestisë, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, edhe pse kishte pozitë të lartë dhe ishte Pejgamber, ishte njeriu më modest dhe nuk ishte mendjemadh. Mjafton ta dimë atë se Allahu ia mundësoi të zgjedhë mes Profecisë dhe mbretërisë apo mes Profecisë dhe të qenurit rob i Allahut, dhe ai e zgjodhi që të jetë Pejgamber dhe rob i Allahut.

Ebu Umameh, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, një ditë doli duke qenë i mbështetur mbi shkop dhe kur e pamë u ngritëm të gjithë dhe na tha: “Mos u ngritni ashtu si ngritën jobesimtarët, të cilët e madhështojnë njeri tjetrin”.

Dhe tha: “Unë jam rob dhe ha ashtu siç ha robi dhe ulem ashtu siç ulet robi”.

Ai, alejhi salatu ue selam, hipte mbi gomar dhe i ulte të tjerët pas tij, i vizitonte të mjerët, u ulte me fukarat, iu përgjigjej ftesës së skllevërve, u ulte me shokët e tij dhe i shoqëronte nëpër ndeje.

Ai, alejhi salatu ue selam, me një hadith tha: “Mos e teproni me lavdërime ndaj meje siç e tejkaluan të krishterët me birin e Merjemes, pasi unë jam rob i Allahut (siç qe edhe Isai, biri i Merjemes), kështu që më thirrni: robi i Allahut dhe i Dërguari i Tij”.

Kur u thërriste të han bukë nga elbi dhe yndyrë (dhjamë të shkrirë) asnjëherë nuk e refuzonte ftesën. Punonte në shtëpinë e vet, i shërbente familjes, i pastronte rrobat, e melte kafshën, i kryente nevojat e veta dhe ato familjare dhe hante me shërbëtorin.

Sa i takon moralit të tij, na mjafton thënia e Allahut të Madhëruar: “Ti je me virtyte madhore”. Kalem 4.

Sad ibën Hisham, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë: E pyeta Aishen, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, se si ka qenë morali i të Dërguarit të Allahut dhe më tha: Ti a nuk lexon Kuran? I thash: Po. Atëherë më tha: Morali i tij ishte Kurani.

Kuptimi i fjalës së Aishes se morali i tij ishte Kurani është se pa marrë parasysh se çka e urdhëronte Kurani ai e vepronte dhe çka e ndalonte ai u largonte nga ajo. Nuk ka pasur njeri para tij dhe as nuk do të ketë njeri pas tij i cili është stolisur me cilësitë dhe moralin që e kishte i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam. Iu ligjësua Feja më madhështore që nuk iu kishte ligjësuar askujt para tij. Është i Dërguari dhe Lajmëtari i fundit dhe nuk ka të Dërguar dhe Lajmëtar pas tij. Ishte i turpshëm, fisnik, bujar, mëshirues, trim, i butë dhe posedonte cilësi që nuk mundet të përshkruhen.

Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu me fytyrë më të bukur dhe me moral më të mirë.

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, thonte se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, asnjëherë askujt nuk i ka ra me dorë, as gruas, as shërbëtorit, as skllavit, përveç se kur luftonte në rrugë të Allahut dhe kur i tejkalonte ndonjëri kufijtë e Allahut atëherë hakmerrej për hir të Allahut.

Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, në librat e tyre shënojnë një hadith nga Abdullah ibën Amru, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, i cili tha: “Nuk ishte i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, i degjeneruar dhe i pamoralshëm dhe gjithmonë na porosiste dhe na thonte: “Me të mirët nga jush janë ata që janë të mirë me familjet e tyre”.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, tregon: “Unë i kam shërbyer Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, për dhjetë vjet, por kurrë nuk më tha: “Eh! (fjala më të lehtë për të treguar pakënaqësi) dhe as nuk më fajësoi për ndonjë gjë e të më thoshte: “Pse e bëre këtë?” Ose: “Pse nuk e bëre kështu?”.

Kurse sa i takon drejtësisë, sinqeritetit, besnikërisë dhe fjalorit të tij, i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, ishte njeriu më i drejtë, më i sinqertë, më i ndershëm dhe me fjalor më të pastër.

Këtë e pohuan të gjithë dhe në mesin e tyre edhe armiqtë e tij. Para shpalljes u emërtonte Besniku (Emin) për arsye të moralit të lartë që ia kishte pas dhuruar Allahu të Dërguarit të Tij, alejhi salatu ue selam. Kur Kurejshit e ndërtuan Qabenë ranë në mospajtim se cili ta vendon Gurin e Zi në vendin e vet dhe propozuan mes tyre që i pari i cili hyn tek ata ai ta vendon Gurin në vendin e vet. Në ato momente hyri Muhamedi, alejhi salatu ue selam, dhe të gjithë thanë ky është Muhamedi, ky është Besniku, dhe të gjithë u pajtuam që ky të vendon Gurin në vendin e vet, kurse kjo e tëra ishte para shpalljes.

Kur u takua Ahnes ibën Shurejk me Ebu Xhehlin ditën e Bedrit dhe të dy ishin armiqtë dhe kundërshtarët e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, e pyeti dhe i tha: O Ebu Xhehl, me ne nuk është askush prezent që ta dëgjon atë që e flasim, më trego sinqerisht Muhamedi a është rrenacak apo i sinqertë? Ebu Xhehli iu përgjigj: “Pasha Allahun, Muhamedi është i sinqertë dhe asnjëherë në jetën e tij nuk ka gënjyer”.

Armiqtë e tij i pohuan virtytet e tij dhe nuk kanë mundësi që të mohojnë asnjë nga vlerat e tij.

Argument rreth drejtësisë dhe modestisë së tij të madhe është se mbretërit iu nënshtroheshin, armiqtë e tij u shpartalloheshin, kurse ai, alejhi salatu ue selam, çdonjërit ia jepte kahun e vet dhe respektin e vet që e meritonte dhe nuk i bënte padrejtësi, deri sa thonte: “Unë dua që ta takoj Allahun duke mos më kërkuar asnjëri nga jush ndonjë hak për padrejtësinë që ia kam bërë në familje apo pasuri”.

Sa i takon bujarisë dhe fisnikërisë së tij, përcillen shumë argumente se ishte më bujari dhe fisniku.

Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ue selem, ishte njeriu më bujar e i shtohej edhe më shumë bujaria në muajin Ramazan kur e takonte Xhibrilin. Ai me të në këtë muaj takohej çdo natë dhe para tij mësonte Kuranin. Prandaj i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ishte më bujar se era e dërguar me mirësi të shumta.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, thotë: “Nuk ka lypur ndonjëri prej Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, diçka vetëm se ia ka dhënë. Njëherë i erdhi një njeri, e Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, i dha një tufë të madhe dhensh sa mund të zinte hapësira mes dy kodrave, e pastaj kthehet te populli i tij dhe iu thotë: o njerëz! Pranojeni Islamin sepse Muhamedi jep sikur ai i cili nuk i frikohet skamjes. Enesi thotë: edhe pse njeriu pranonte Islamin për shkaqe të dunjasë, nuk kalonte përveç një kohës së shkurtër dhe Islami bëhej më i dashur për të se sa tërë dynjaja dhe ajo që është në të”.

Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, çdoherë kur u kërkonte diçka nga ai asnjëherë nuk dinte të thotë, jo.

Ndodhte që i Dërguari i Allahut, alejhi salatu e selam, kur iu kërkonte diçka të mos posedon asgjë në atë moment, dhe shkonte merrte borxh dhe ia jepte atij që i kërkonte dhe asnjëherë dorën e askujt nuk e refuzonte.

Kjo ishte cilësi e njohur e tij edhe para shpalljes derisa Hatixhja, Allahu qoftë i kënaqur nga ajo, i tha se ti i viziton të afërmit, po u ndihmon jetimëve dhe atyre që nuk janë të aftë, u jep të varfërve, je mikpritës dhe po u ndihmon atyre të cilët e mbrojnë të vërtetën.

Sa i takon trimërisë së tij, ai, alejhi salatu ue selam, ka prezantuar në raste të vështira të njohura, nga të cilat raste kanë ikur trimat e mëdhenj më shumë se një herë. Ndërsa ai ka qëndruar aty, nuk është kthyer, ka mbetur në vendin e tij, ka ndejtur përballë tyre, nuk ka kthyer shpinën, as nuk është dridhur. Ai nuk ka ikur asnjëherë. Ai (Allahu) e ka mbrojtur nga kjo.

Ali ibën Ebi Talibi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcillet se ka thënë: Kur lufta vështirësohej të skuqeshin sytë mbroheshim me Pejgamberin, alejhi salatu selam, asnjëri nuk ishte me afër armikut se ai! Po të më shihnit ditën e Bedrit se si neve strehoheshim me Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, ai ishte më së afërmi me armikun. Ai atë dite ishte njeriu më i vështirë në luftë.

Përcillet nga Ebi Is’hak Sebiji se ka thënë: Një njeri e pyeti Bera ibën Azib, Allahu qoftë i kënaqur me ta, a ka ikur nga Pejgamberi, alejhi salatu ue selam?. Berau tha: Mirëpo Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, nuk ka ikur, fisi Heuazin atë ditë ishin gjuajtës, ne nuk i sulmuam ata, ata u ndalën, pastaj shkuan të marrin plaçkën, ata na pritën me shigjeta. E kam parë Pejgamberin, alejhi salatu ue selam, mbi mushkën e tij të bardhë, Ebu Sufjan ibën Harithi e kishte kapur prej litari, ai thoshte: Unë jam Pejgamber nuk jam gënjeshtar, une jam biri i Abdul Mutalibit.

Përcillet nga Abasi, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, se ai ka thënë për trimërinë e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, në ditën e Hunejnit: Kur u takuan muslimanët me mushrikët, muslimanët filluan të ikin, Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, filloi të nxisë mushkën e tij kah mushrikët. Unë e kapja prej litari që ta ndali nga dëshira që të mos shpejtonte.

Imam Buhariu dhe Muslimi, Allahu i mëshiroftë, nga Enes ibën Maliku, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, se ka thënë: “Pejgamberi, salallahu alejhi ue selem, ka qenë njeriu më i mirë, ai ishte më fisniku, ai ishte më trimi nga njerëzit! Një natë banorët e Medinës u trishtuan nga një zë. Disa njerëz u nisën kah ana e zërit, ata e takuan Pejgamberin, salallahu alejhi ue selem, ai i kishte parakaluar tek vendi i zërit. Ai ishte mbi një kalë të Ebu Talhasë, pa samarë në qafën e tij, kishte varur shpatën, ai tha: “Nuk jeni kujdesur, nuk jeni kujdesur”.

Këto ishin disa nga virtytet e shtrenjta dhe cilësitë e larta dhe të ndershme me të cilat e zbukuroi Allahu i Madhëruar të Dërguarin e Tij, alejhi salatu ue selam.

SHEJH AHMED FERID
nga arabishtja: Irfan JAHIU

albislam/kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit