Bushati ka shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë marrëdhënie që kanë patur luhatje apo çështje të hapura që kanë patur nevojë për t’u trajtuar
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, ka deklaruar se marrëdhëniet Shqipëri-Turqi kanë qenë tradicionalisht të mira dhe miqësore, ndërsa në lidhje me çështjen e organizatës terroriste FETO, sipas tij Shqipëria është përgjigjur bazuar në angazhimin nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bushati, në një emision në televizionin Vizion Plus në Shqipëri, ka folur për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Turqisë, si dhe për qëndrimet e Shqipërisë ndaj pjesëtarëve të organizatës terroriste FETO.
I pyetur në lidhje me FETO-n, Bushati theksoi se “Është e vërtetë që pala turke ka shprehur shqetësim edhe publikisht, jo vetëm në takime zyrtare, por është po aq e vërtetë që dhe shteti shqiptar mendoj se është përgjigjur në përputhje me angazhimin që ne kemi bazuar nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, sepse kur flasim për çështje të tilla shtetet operojnë me dokumentacionin përkatës. Agjencitë ligjzbatuese operojnë dhe bëjnë hetime dhe marrin veprimet përkatëse dhe çdo gjë trajtohet në këtë lloj mënyre. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për BE dhe për pasojë duhet të sillet në këtë mënyrë”.
Ai ka shtuar se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë marrëdhënie që kanë patur luhatje apo çështje të hapura që kanë patur nevojë për t’u trajtuar.
Kujtojmë se gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se vendi i tij pret nga Shqipëria ekstradimin e anëtarëve të organizatës terroriste FETO.