0.8 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Burgimi i përjetshëm, dënim kapital në Kosovë

Më të lexuarat

Kushdo që vret njërin nga gjashtë zyrtarët më të lartë të shtetit: presidentin, kryeparlamentarin, kryeministrin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e Gjykatës Supreme apo kryeprokurorin e shtetit, me qëllim të rrezikimit të rendit kushtetues dhe të sigurisë në vend, është i destinuar të mbetet prapa grilave për tërë jetën.

Burgimi i përjetshëm, i cili mund të shqiptohet në dhjetëra raste, është dënimi maksimal që tashmë është përcaktuar me Kodin e ri Penal.

Më 1 janar, kur edhe pritet të hyjë në fuqi ky Kod, Kosova do të bëhet vendi i tretë në rajon që do ta ketë një dënim të tillë.

Para saj, dënimin me burg të përjetshëm e kanë përligjur vetëm Shqipëria dhe Turqia. Me Kodin e përkohshëm Penal, që është ende në fuqi, dënimi maksimal është 40 vjet burg. Burgimi i përjetshëm nuk e ka qenë i përcaktuar as me Kodin Penal të ish-Jugosllavisë, të vitit 1964.

Me këtë të fundit, dënimi kapital ka qenë dënimi me vdekje.

Kodi i ri Penal, që aktualisht i është nënshtruar procedurës së plotësimit dhe ndryshimit parlamentar me synim të heqjes së tri neneve që cenojnë lirinë e medieve, nuk e amniston nga dënimi maksimal as kreun e shtetit.

Ky dënim rëndon mbi presidentin/en, në momentin kur ai/ajo e nënshkruan kapitullimin ose e miraton okupimin e Kosovës apo të ndonjë pjese të saj.

Veprimet e tilla janë kualifikuar si tradhti ndaj vendit.

“Kushdo që në cilësinë e presidentit të shtetit nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare ose ndonjë akt me të cilin pjesë të territorit të Republikës së Kosovës jepen apo lihen nën sovranitetin e ndonjë shteti tjetër, dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm”, thuhet në nenin 124, pika 2, të Kodit Penal.

Dënimi maksimal rëndon mbi kreun e shtetit, edhe në rast se ai/ajo e braktis vendin gjatë kohës së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme, duke i lënë forcat e armatosura pa sistem të komandimit.

Si cenim i rendit kushtetues dhe i sigurisë në vend, me Kod Penal llogariten edhe veprat që rezultojnë me vdekjen e një apo më shumë personave; që përcillen me dhunë ose shkatërrim në shkallë të madhe si dhe veprat që rrezikojnë sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Republikës së Kosovës.

I dënueshëm me burgim nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm është bërë edhe gjenocidi. I njëjti dënim i kap edhe personat që kryejnë krime kundër njerëzimit, aty ku hyjnë: vrasja, shfarosja, skllavërimi, deportimi ose përzënia me dhunë e popullsisë, burgosja, torturimi, dhunimi, skllavërimi seksual, prostitucioni i detyruar, shtatzënia me dhunë, sterilizimi i detyruar, persekutimi i një grupi për arsye politike, racore, kombëtare, etnike, kulturore, fetare apo gjinore, zhdukja e detyruar e personave, krimi i aparteidit si dhe vepra të tjera çnjerëzore. Dënimi maksimal, nga viti 2013 pritet të rëndojë edhe mbi ata që merren e kontrabandë të emigrantëve dhe me trafikim të qenieve njerëzore.

Në burg të përjetshëm mund të përfundojnë edhe kidnapuesit.

Dënimi i përjetshëm është paraparë edhe për dhunuesit.

Hakmarrja, që përfundon me vrasje po ashtu kualifikohet si vepër e dënueshme me burgim nga 15 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Burgu i përjetshëm i kap edhe ata që ia marrin jetën dikujt që është duke e ushtruar detyrën zyrtare, si dhe ata që kryejnë vrasje për motive racore, kombëtare dhe fetare.

Personi i dënuar me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht tek pasi të ketë mbajtur dyzet vjet nga dënimi me burgim i shqiptuar.koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit