2.2 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Burgimi administrativ në burgjet izraelite, makth për palestinezët

Më të lexuarat

Mijëra palestinezë përfundojnë me muaj e ndonjëherë edhe me vite në burgjet izraelite si të burgosur administrativë pa gjykim, me rekomandam të njësive të shërbimit sekret

GAZA (AA) – Politika e “burgimit administrativ” nga ana e Izraelit, e cila ka vazhduar që nga periudha e mandatit britanik dhe që lë njerëzit pas grilave me muaj e madje edhe me vite pa akuzë apo proces gjyqësor, vazhon të jetë makth për palestinezët, shkruan Anadolu Agency (AA).

“Politika e burgimit administrativ” që zbatohej gjatë periudhës së mandatit britanik në vitin 1945, u vazhdua edhe nga Izraeli nga viti 1967, kur okupoi Bregun Perëndimor dhe Gazën.

Mijëra palestinezë përfundojnë me muaj e ndonjëherë edhe me vite në burgjet izraelite si të burgosur administrativë pa gjykim, me rekomandam të njësive të shërbimit sekret.

Ndërkaq, disave mund t’u shtohet koha e burgimit me vite në kuadër të “dosjes së fshehtë”, duke u pretenduar se “ata përbëjnë rrezik për sigurinë e Izraelit”. Gjatë kësaj periudhe, të burgosurve ose avokatëve nuk u jepet leje të analizojnë dosjen.

Për ta vënë në dukje padrejtësinë e cila iu bëhet, të burgosurit palestinezë shpesh mbajnë grevë urie, por një problem tjetër është fakti se të burgosurit e liruar shpejtë mund të riarrestohen dhe ndalohen me të njëjtën bazë.

Në burgjet izraelite ndodhen rreth 500 të burgosur administrativë

Sipas organizatave joqeveritare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Lindjen e Mesme, në burgjet izraelite aktualisht ndodhen të paktën 500 palestinezë të cilët trajtohen si “të burgosur administrativë”, të cilët, siç thonë, janë emra me ndikim në shoqëri, si persona politik apo gazetarë.

Dje në Palestinë u shënua Dita e të Burgosurve Palestinezë, dhe me këtë rast Këshilli i të Burgosurve bëri një deklaratë, ku thuhet se autoritetet izraelite në vitet e fundit kanë intensifikuar praktikën e ndalimit të palestinezëve pa proces gjyqësor.

Në deklaratë gjithashtu theksohet se Izraeli që nga viti 2000 ka mbajtur 26.000 palestinezë si të burgosur administrativë.

Duke nënvizuar se kjo praktikë sipas ligjeve ndërkombëtare paraqet “krim lufte”, Këshilli në deklaratë njoftoi se burgimi administrativ është shndërruar në mjet shtypës dhe torturë psikologjike për të burgosurit.

“Në vend të zbatimit të një gjykimi të drejtë, Izraeli kryen arrestime arbitrare dhe urdhra ushtarake dhe pa ekzistencën e një baze konkrete për heqjen e lirisë”, thuhet në deklaratën e Këshillit të të Burgosurve Palestinezë.

“Izraeli shpërfill të gjitha ligjet ndërkombëtare”

Kreu i Departamentit për Hulumtimin dhe Regjistrimin e të Burgosurve dhe të Liruarve pranë Organizatës Çlirimtare të Palestinës, Abdunnasir Fervane, për AA tha se Izraeli e ka kthyer praktikën e burgosjes administrative në metodën e “dënimit masiv” të palestinezëve dhe kështu shpërfill të gjitha ligjet ndërkombëtare.

“Burgosja administrative është mënyrë e Izraelit për të shkelur lirinë e mendimit të palestinezëve. Ky është një krim i rrezikshëm që kryhet mbi dhjetëra mijëra palestinezë të cilëve greva e urisë në qelitë e burgut u mbetet si e vetmja mënyrë për të nxjerrë në pah padrejtësinë”, ka thënë Fervane.

Palestinezët bënë grevë për herë të parë të urisë në vitin 1968

Të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite mbajtën grevën e parë të urisë në vitin 1968, ndërsa kërkonin t’i jepej fund sulmeve dhe fyerjeve të ushtarëve izraelitë dhe përmirësimin e kushteve në burgje.

Greva kolektive e urisë që ishte nisur nga të burgosurit palestinezë më 11 dhjetor të vitit 1976 në një burg izraelit në qytetin Ashkelon, kishte zgjatur plot 65 ditë dhe atëbotë tërhoqi vëmendje në nivel botëror.

Që nga ajo kohë, palestinezët vazhdojnë të përdorin grevën e urisë si mënyrë për ta shfaqur para opinionit publik padrejtësinë ndaj së cilës janë të ekspozuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit