0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Bundestagu Gjerman zgjat mandatin e ushtarëve gjermanë në Kosovë

Më të lexuarat

Ushtarët gjermanë mund të qëndrojnë për së paku edhe një vit tjetër në Kosovë. Parlamenti gjerman vendosi natën duke u gdhirë e premtja, më 25 qershor 2021, ta vazhdojë mandatin e Bundeswehr-it në kuadër të Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë së Kosovës (KFOR) me kërkesë të Qeverisë Federale, në një votim me emër, me 468 vota pro, 127 kundër dhe katër abstenime. Votimi u bazua në një rekomandim të Komisionit të Punëve të Jashtme dhe të Komisionit të Buxhetit. Ky i fundit kontrollon realizueshmërinë financiare të tij.

Fjalimi i fundit i Juratoviçit
Ndryshe nga debati i parë mbi KFOR-in, kur u parashtrua kërkesa e qeverisë gjermane, ndër folësit e kësaj radhe vetëm Josip Juratoviç ishte ndër njohësit e mirëfilltë të Ballkanit. Fjala e tij katërminutëshe ishte fjalimi i tij i fundit në Bundestag, prandaj deputeti socialdemokrat e shfrytëzoi atë për të drejtuar një kritikë në emër të politikave të BE-së ndaj Evropës Lindore. Ai e quajti gabim lejimin e krijimit të shteteve nacionale në Evropë, pa kërkuar prej këtyre zbatimin e Kartës së të drejtave të njeriut.

Elitat komuniste e nacionaliste që shkatërruan ish-Jugosllavinë për vite me radhë, nuk kanë aspak interes të jenë në Evropë, tha Juratoviç. Ato kanë gjetur një shembull që e përdorin si model, e ky është Orbani. Presidentin hungarez Juratoviç e quajti “trojanin e Kinës” në Evropë, që e përdor Ballkanin për çdo maskarallëk, tha Juratoviç duke marrë si shembull të ashtuquajturat “non papers”, të cilat, sipas Juratoviçit, “janë komplet në stilin e Orbanit”.

Juratoviç kërkoi sistemin e heqjes së të drejtës së vetos në vendimarrjet e BE-së, duke paralajmëruar: “Kur një parti e vogël bullgare vendos për të ardhmen e Evropës, atëherë as Evropa nuk është shumë larg ballkanizimit”.

Deri në 400 ushtarë
Detyra kryesore e forcave të Bundeswehr-it në kuadër të KFOR-it është të mbështesë zhvillimin e Kosovës në një vend të qëndrueshëm, demokratik, multietnik dhe paqësor. Misioni është në thelb i pakufizuar në kohë, por më 7 qershor 2000, Qeveria Federale siguroi në një takim të Komitetit të Punëve të Jashtme se do t’ia referonte çështjen Bundestagut Gjerman çdo dymbëdhjetë muaj për sa kohë zgjat mandati. Qeveria Federale do t’i japë përsëri Bundestagut Gjerman një mandat konstituiv për të zgjatur vendosjen nëse një nga grupet parlamentare dëshiron.

Zgjatja e fundit e mandatit të Bundeswehrit në KFOR u bë më 17 qershor 2020.Një vit më përpara, më 28 qershor 2019, ishte ulur kufiri i sipërm i numrit të ushtarëve që mund të vendoseshin në Kosovë nga 800 në 400. Ky kufi i sipërm do të vlejë edhe për mandatin e ardhshëm. Meqenëse situata e sigurisë është kryesisht e qetë dhe e qëndrueshme, numri i vërtetë i ushtarëve të vendosur është zvogëluar ndjeshëm në vitet e fundit. Por, nëse është nevoja, Bundeswehr-i mund të reagojë shpejt dhe në mënyrë fleksible ndaj një përkeqësimi të papritur të situatës.

Votimi u bë së bashku me zgjatjen e mandatit të ushtarëve gjermanë në kuadër të misionit UNIFIL të Kombeve të Bashkuara për të luftuar trafikun e paligjshëm të armëve në Liban. Qëllimi i misionit është që të japë një kontribut në stabilizimin e Lindjes së Mesme./DW

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit