1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Bujar Nishani: Mos lejojmë kënd të nëpërkëmbë vlerat e islamit

Më të lexuarat

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mori pjesë sot në konferencën shkencore kushtuar 25-vjetorit të Revistës “Drita Islame” ku ishin të pranishëm Kryetari i KMSH-së Haxhi Skënder Bruçaj, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve Baba Edmond Brahimaj, Kryemyftiu i Kosovës Hafiz Naim Tërnava, Myftiu i Gostivarit Hafiz Shaqir Fetahu, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Loreta Aliko, përfaqësues të Trupit Diplomatik dhe të bashkësive fetare, klerikë, akademikë, profesorë, studiues, besimtarë, etj.

 

Në fjalën e Tij, Kreu i Shtetit shqiptar iu drejtua të pranishmëve duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Revistës ‘Drita Islame” të cilën e dekoroi me Titullin “Naim Frashëri” me këtë motivacion: “Për kontributin e saj të shquar në zgjimin e ndërgjegjes fetare e kombëtare, me anë të promovimit të atdhedashurisë, harmonisë, mirëkuptimit, kulturës e vlerave humane të besimit islam në mbarë kombin shqiptar” duke ia dorëzuar Kryetarit të KMSH-së, Haxhi Skënder Bruçajt.

 

“Ndihem tepër i privilegjuar, në cilësinë e Kryetarit të Shtetit që sot kam fatin dhe mundësinë për të qenë kontribues në një ngjarje të rëndësishme për Komunitetin Mysliman dhe besimtarët shqiptarë, atë të vlerësimit institucional të organit zyrtar të Komunitetit, revistës ‘Drita Islame’. Në janarin e këtij viti u mbushën plot 25 vjet nga lindja e kësaj gazete, që përbën një datë simbol edhe për historinë e shtypit të lirë në Shqipëri. Në kujtesën tuaj ai janar i vitit 1992 ka vlerën e një shekulli hyjnore, duke qenë se pas gati gjysmë shekulli ndalese të vërtetat e Zotit po zbrisnin përsëri në këtë vend të bekuar, pasi ishin masakruar për dekada me radhë në emër të një bote të re dhe barbare. Me kujtesën time përpiqem të kthehem në atë periudhë të daljes së numrit të parë të gazetës fillimisht, e më pas të revistës, kur mendjet e ndritura të mijëra besimtarëve myslimanë nisën të mëkohen përsëri me ushqimin e domosdoshëm të shpirtit të tyre. Patjetër që secili prej tyre ka përjetuar një ndjenjë ngazëllimi tronditës që pas një endjeje shumë të gjatë në shkretëtirën e ateizmit antinjerëzor, komunizmit, e nxori drejtësinë e jetës fitimtare në betejën me atë ideologji.

 

Pra u bë çerek shekulli që të vërtetat për Zotin rishkruhen sërish të lira në gjirin tonë. Një çerek shekulli shtypi fetar nuk është pak për bashkësinë e besimtarëve tuaj, po të kemi parasysh se si i gjeti viti i largët 1990 të gjithë besimet fetare dhe besimtarët në një situatë të vështirë. Gjatë këtyre viteve lexuesit e rregullt të revistës ‘Drita Islame’ i janë gëzuar me një pasion rinor çdo numri të ri të organit të tyre, që ka filluar t’u flasë përsëri për gjithçka që i përket universit islamik nga kuriozitet më të thjeshta dhe deri te të vërtetat më të ndërlikuara. Në këtë komunikim të përhershëm periodik në faqet e ‘Drita Islame’ me mijëra shqiptarë myslimanë kanë rigjetur edhe një herë veten e tyre të përfshirë në një mjedis të ri të kultivimit të një dashurie sipërore që rritet e zhvillohet duke eklipsuar çdo gjë, ajo ndaj Zotit të plotfuqishëm.

Po bëhen dekada që ju tashmë këtë e keni bërë pjesë organike të personalitetit dhe befas është e natyrshme që shumë kush prej jush të ketë harruar padashje atë histori të gjatë, të dhimbshme e të mundimshme që është dashur për të ardhur deri këtu. Një nga të metat më të mëdha të njerëzimit modern është mungesa e kujtesës.

 

Ka kaluar më se një shekull kur, pas shpalljes së Pavarësisë, atdheu ynë filloi shtegtimin në rrjedhat moderne të një shteti të ri dhe sovran. Që nga ai çast i paraqitjes së Shqipërisë si pjesëtare e ri në Evropën e kombeve  e njëkohësisht i shfaqjes së sfidës së ngritjes politike të shtetit në një stad të ri. Është meritë e padiskutueshme e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë që shteti i ideuar nga Rilindja Kombëtare lindi qysh në fillim si një shtet laik, i barabartë për çdo pjesëtar të çdo feje të popullit tonë. Duke u kapur pas kësaj qasjeje, krerët e këtij besimi të shumicës së popullsisë shpalosën një vision largpamës për të ardhmen e veprimtarisë së tyre fetare.

 

Në përputhje me zhvillimet progresiste politike të fillimit të shekullit XX, ato e gjetën veten në ballë të proceseve politike që i dhanë kuptim lirisë sonë. Në çdo ngjarje në jehonë që paraprin konsolidimin e qenies sonë si shqiptarë dhe identitetit tonë kombëtar klerikët dhe udhëheqësit e KMSH-së ishin në rreshtin e parë. Akti vendimtar që e bëri bashkësinë tuaj një njësi të pavarur përpara botës që Kongresi i Parë i Myslimanëve, që zhvilloi punimet në Tiranë më shkurt-mars 1923. Kongresi hyri në histori për vendimet e rëndësishme teologjike me kah kombëtar duke shpallur që në fillim mëvetësinë e ‘xhamisë shqiptare’. Ky kongres mbeti në historinë e Shqipërisë si data e themelimit të Komunitetit Mysliman. Por, mbi të gjitha, ai Kongres vuri mbi bazë kombëtare shkollimin e ardhshëm të kuadrove fetarë, si dhe zhvillimin e predikimeve dhe të botimeve fetare në gjuhën shqipe.

 

Pas pavarësisë kombëtare, pavarësia fetare është kolona e dytë e lirisë së vendit. Duke ngritur këtë kolonë të re në kantierin e sapohapur të ndërtimit të shtetit, myslimanët e Shqipërisë i shtuan edhe një faqe të re librit të tyre të lartësive e të mirëkuptimit me vëllezërit e tyre të besimit të krishterë. Kongresi i vitit 1922 i Autoqefalisë Ortodokse dhe ai i vitit 1923 i mëvetësisë myslimane janë dy forume të shenjta që mbetën përherë në piedestalin e kujtesës sonë. Me ato dy kongrese anëtarët e dy grupeve më të mëdha fetare vunë kombëtaren mbi universalen duke kërkuar qeverisje të pavarur. Nuk ishte rastësi që vetëm pak kohë pas themelimit të Komunitetit Mysliman në vitin 1923 u paraqit para lexuesit edhe organi i tij , revista “Zani i Naltë”. Ashtu si një qenie njerëzore s’mund të jetojë pa organin natyral, gjuhën, ashtu edhe një organizëm shoqëror e ka jetik organin e informacionit, gazetën apo revistën.

 

Revista “Zani i Naltë”, kjo “nënë” fisnike e revistës “Drita Islame” kontribuoi për 16 vjet rresht në forcimin e ndjenjës së patriotizmit shqiptar krahas besimit fetar. Aty u artikulua me një hijeshi të pashoqe ai sens i pashoq i harmonisë fetare që dëshironin të kultivonin anëtarët e saj në atmosferën e respektit reciprok. “Zani i Naltë” në cilësinë intelektuale të krejt korpusit të shkrimeve të tij ishte motër e denjë e ‘Hyllit të Dritës’, revistës së françeskanëve shqiptare e që të dyja sollën një aromë të mrekullueshme në buqetën e shtypit të atyre viteve. Mjafton të përmenden artikujt e Hafiz Ali Korçës, vëlla i denjë i At Gjergj Fishtës për të kuptuar se kleri mysliman pati të njëjtën staturë shkencore si ai katolik. Me hapjen e Medresesë së Tiranës si një shkollë me cikël të plotë arsimor, klerit tuaj iu hap një mundësi e re për t’u pajisur me një arsenal të kualifikuar modern gjë që i bëri detyrat më të hapura e më të drejta ndaj të rejave aktuale të diturisë.

 

Zonja dhe zotërinj!

 

Ardhja e komunizmit në Shqipëri qe një dënim me vdekje për botën e Zotit. Në gati gjysmën e kontinentit ra këmbana e zisë për universin e fesë. Kudo klerikët e çdo feje përndiqeshin me furinë dhe mizorinë e egërsirave të kohës. Edhe në truallin e shqiponjave, në tokën e banorëve më të lashtë të Ballkanit ra pandërprerë për gjysmë shekulli rresht rrebeshi i luftës së klasave. Nën terrorin e diktaturës së protletariatit ranë viktima me mijëra persona, individë që në brendësi të zemrave të tyre ruanin përuljen për Muhametin e Krishtin. Në qelitë e burgut të Burrelit u futën me dhjetra klerikë të çdo besimi. Por, krimi më i rëndë i atij dimri të dhunës ideologjike qe nata e 6 shkurtit 1967, ai kulm i egërsisë enveriste që u finalizua me mbylljen e xhamive e të kishave. Ky eksperiment i tërbuar mbi ndërgjegjen e qytetërimit bashkëkohor shqiptar pasojat më të dhimbshme i pati para së gjithash në jetën e besimtarëve, në jetën e familjeve, te shpirti dhe besimi i tyre.

 

Komuniteti Mysliman, si grupimi më i madh fetar në territorin tonë, padyshim që u finalizua me dëmtimin më të madh se askush deri në atë çast u shkëput lidhja zyrtare me çdo pikë kontakti që i takonte sferës së sublimes. Disa prej xhamive të atëhershme madhështore u rrafshuan pa asnjë kthim pas. Të njëjtin fat patën edhe disa institucione të hijshme edhe të besimeve të tjera. Do të ishte vetëm shembja e Murit të Berlinit që rrënoi edhe fatalizmin tonë. Ka qenë viti 1990 kur muzgut të idhujve të rënë po i vinte fundi.

 

Të nderuar të pranishëm!

 

Ka mbi 25 vjet që dielli u shfaq rishtazi mbi mjegullën që ndenji aq gjatë mbi vendin, tokën, njerëzit, shtëpitë, shpirtrat dhe besimet tona. Kudo në trevat tona xhamitë u rihapën dhe u shtuan mjaft të tjera të reja. Si toka në dritën e diellit ndriçoi edhe “Drita Islame”, gazeta juaj e përdëllyer.  Ju i gëzoheni këtij realiteti të ri me gjallërinë karakteristike që ju portretizon.

 

Ngjarjet ndërkombëtare që ndodhin gjithandej ndikojnë ashpër edhe mbi ne. Në skenën ku luhet aktiviteti i përditshëm i feve kryesore me shtrirje botërore shihet të afrohen fuqishëm herë pas here fatkeqësisht hije të zeza që cënojnë keq panoramën e e paqes. Mbi vlerat tona më të pastërta fetare dhe njerëzore në kompleksitetin e tyre tenton të afrohet me hapa të shpejta me kërcënim edhe fondamentalizmi.

 

Në emër të një pseudopërkushtimi që fabrikon në fakt bastardimin e dogmave, qetësia jonë, e fëmijëve tanë dhe e së ardhmes sonë po synohet të shkatërrohet edhe me armë, edhe me bomba. Fenomeni ‘ISIS’ që ka tronditur qytetërimin tonë e të parimeve tona është një ulërimë ngjethëse që kërkon prej secilit prej nesh një meditim të thellë dhe aksion urgjent.

 

Të dashur motra dhe vëllezër,

 

Secili prej nesh përpara se të jetë President, qeveritar, shkencëtar, politikan, klerik, piktor, është njeri. Është nje qenie njerëzore që i është dhënë fati dhe mundësia të jetojë jetën. Dhe unë do të flas edhe si njeri, edhe si qytetar që ka lindur, që jeton dhe që dëshiron të vdesë në këtë vend. Padyshim që tentativat e individëve apo grupeve të caktuara që kërkojnë të identifikojnë aktivitetin e tyre ekstremist dhe terrorist me fenë, janë njësoj të rrezikshëm si ndaj besimit, si ndaj mësimeve të librave të shenjtë, ashtu edhe ndaj jetës të cilën ne dëshirojmë ta jetojmë. Unë nuk mund të marr përsipër të flas në emrin e drejtuesve tuaj, por si njeri, si qytetar, edhe si një njeri që beson te Zoti i plotfuqishëm e të shteti te vlerat, te parimet, besoj fort që dëmi i tyre është në radhë të parë ndaj vlerave të besimit islam. Ndaj komunitetit botëror mysliman,ndaj parimeve të shquara, të mençura që Libri i Shenjtë i myslimanëve përhap në mbarë botën, por si Kryetar i Shtetit do të them se të gjithë ata që i përkasin kombësisë dhe që përfshihen në akte terrori dhe dhune, do të mbeten të gjykuar nga historia e Shqipërisë si armiq të popullit dhe kombit shqiptar.

 

Myslimanët shqiptarë kurrë në historinë e tyre nuk kanë qenë agresorë. Kurrë nuk kanë agresuar kërkënd. Kurrë nuk kanë dhunuar kërkënd. Padyshim kanë sakrifikuar e kanë luftuar për mbijetesë, për rezistencë e për ekzistencë. Edhe në kohët më të fundit të rajonit tonë arritën të rezistonin dhe nuk ranë preh për t’u përfshirë në skenarë të luftrave me karakter fetar, por ditën të qëndrojnë fort dhe ditën të ruajnë identitetin kombëtar. Por ky fenomen nuk mund të adresohet vetëm te individë të caktuar apo komunitete të caktuara. Shteti, institucionet, shoqëria kanë pjesën e tyre të madhe të përgjegjësisë. Ne së bashku, komunitetet fetare, me arsimimin, me edukimin, me ndriçimin e mendjes së brezit të ri, të njerëzve, dhe shteti nga ana tjetër me asistencën sociale dhe lehtësimin e jetës së përditshme, duhet të bëhemi bashkë për të ndaluar çdo lloj abuzimi e keqpërdorimi fetar të mësimeve të çmuara të fesë, edhe të mundësisë për jetuar së bashku në paqe dhe harmoni e për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për vete e për fëmijët tanë. Dhe kjo është një betejë e përbashkët. Nëse nuk e konsiderojmë një betejë e njëangazhim të përbashkët, rrezikojmë që të vazhdojmë e të jemi të dobët karshi provokimeve dhe akteve të tilla, të cilat padiskutim në besimin tim ëm të madh, në besimin tim në Zot, por edhe në besimin tim në shtet, destinimi i tyre është dështimi. Por ne duhet të ngrihemi të gjithë së bashku e për të mos u lejuar atyre që të keqpërdorin, besimin, ëndrrën, parimet, virtytet e Islamit dhe të botës së komunitetit mysliman.

 

Tradita jonë kombëtare jo vetëm nuk e ka rrahur asnjëherë këtë dukuri, por përkundrazi, bashkëjetesa dhe respekti ynë reciprok fetar ka qenë mjet i shëndetshëm parandalues. Por asnjëherë të mos ulemi mbi dafina fiktive, false, sepse atëherë do jetë mbase vonë për të kuptuar se si dhe ku duhet të ishim.

 

25 vjet më parë ‘Drita Islame’ ndezi dritën e saj për të mos ta shuar më kurrë. Ashtu si në këto 25 vjet kur ajo ka shkëlqyer me standardet e saj të larta, unë uroj që edhe për ne, lexuesit e saj ajo të mbetet gjithmonë ‘dritë’. Diku në fillim të shekullit XIX, në qytetin Vajmar të Gjermanisë, shkrimtari gjerman Gëte i mbylli sytë me fjalët “dritë”, ‘më shumë dritë’, e unë duke parë përputhshmërinë jo edhe aq rastësore të fjalës ‘dritë’ të Gëtes në ‘Dritën Islame, marr shkas që këtë fjalim vlerësimi për gazetën apo revistën tuaj ta mbyll me urimin: ‘Dritë, sa më shumë dritë në kulturën tonë dhe në faqet e ‘Dritës Islame’ që mendjet e shpirtrat tonë të ndriçohen nga mirësia njerëzore!’

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit