-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Bujar Nishani: Erdogan është miku dhe vëllai im

Më të lexuarat

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka deklaruar sot se Turqia, Jordania dhe Evropa, janë detyruar të përballen me një valë refugjatësh. Ai ka theksuar se në saje të ndihmës së Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në Stamboll është organizuar edhe samiti për ndihmat humanitare, raporton AA, përcjell KosovaPost.

Këto vlerësime Presidenti Nishani i ka bërë gjatë një fjalimi të mbajtur në Platformën e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të zhvilluar në kuadër të Samitit të 7-të të Bosforit.

Presidenti Nishani në fjalën e mbajtur në këtë samit, u shpreh ndër të tjera se ‘Ky edicion i 7-të i Samitit të Bosforit vjen në një moment shumë të veçantë, kur bota dhe shoqëria njerëzore po përballen me pasojat dhe sfidat e një zhvillimi shumë të shpejtë, si dhe kërcënime që vënë në pikëpyetje shumë prej vlerave tona të përbashkëta’.

”Veçanërisht dua të falënderoj Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Ai është miku dhe vëllai im. Na kanë pritur shumë mirë në Turqi”, ka shtuar më tej Nishani.

Presidenti i Shqipërisë u përqendrua në sfidat dhe krizat kryesore me të cilat po përballet sot bota, duke filluar nga problemet ekonomike e financiare e duke vijuar me ndryshimet klimatike, luftërat lokale dhe rreziku i përhapjes së tyre, krizën e refugjatëve nga zonat në konflikt e luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

‘Konfliktet në Siri, Ukrainë, Irak, Jemen, Afganistan, konfliktet e brendshme në shumë vende të tjera të Afrikës Veriore, kërcënimet që vijnë nga Koreja e Veriut, por edhe shumë vende e rajone të tjera të botës, po e dëmtojnë shumë strukturën e sigurisë sonë, si dhe po prodhojnë kriza të tjera shumë më të rrezikshme dhe që për përballimin e pasojave të tyre do të kërkohet një kosto shumë herë më e madhe si në burime financiare ashtu edhe njerëzore’, është shprehur Nishani.

Ai ka shtuar më tej se ‘Ballkani Perëndimor sot është më i paqtë dhe më i sigurtë dhe të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit janë të përfshirë në dialog me njëri-tjetrin. Edhe mes Kosovës dhe Serbisë, po vijon një dialog disa vjeçar, i iniciuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke dhënë dhe rezultate konkrete’.

Gjatë ndjekjes së punimeve të Samitit të Bosforit, Presidenti Nishani zhvilloi takime të shkurtra me shumë krerë shtetesh dhe zyrtarë të tjerë të lartë, pjesëmarrës në këtë Samit, përfshirë dhe Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

© KosovaPost.net

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit