8.5 C
Pristina
Wednesday, November 20, 2024

Britania pezullon marrëdhëniet ushtarake me Mianmarin

Më të lexuarat

“Ne jemi maksimalisht të shqetësuar për ato që po i ndodhin komunitetit Rohingya (muslimanët e Arakanit) në Mianmar. Operacioni ushtarak ndaj tyre duhet të përfundojë”, tha May

LONDËR (AA) – Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka njoftuar se shteti i saj ka pezulluar marrëdhëniet ushtarake me Mianmarin dhe trajnimin e ofruar ushtarak, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne jemi maksimalisht të shqetësuar për ato që po i ndodhin komunitetit Rohingya (muslimanët e Arakanit) në Mianmar. Operacioni ushtarak ndaj tyre duhet të përfundojë”, ka thënë May duke folur në New York, ku gjendet për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ajo tha se shumë njerëz kanë ikur nga vendi i tyre për të shpëtuar. “Aung San Suu Kyi dhe qeveria e Mianmarit duhet të deklarojnë haptazi se operacioni ushtarak duhet të marrë fund”, shtoi May.

May po ashtu tha se edhe komuniteti ndërkombëtar është i brengosur për ngjarjet që goditën muslimanët e Arakanit.

“Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar sot deklaron se pezullojmë të gjitha marrëdhëniet ushtarake me ushtrinë e Mianmarit dhe trajnimin që ofrojmë, deri sa problemi të zgjidhet”, tha May.

Sipas të dhënave zyrtare, Mbretëria e Bashkuar ofron trajnim demokracie, lidershipi dhe të gjuhës angleze në kuadër të buxhetit prej 305 mijë stërlinash në vit për ushtrinë e Mianmarit.

Ndryshe, Ministrja e Jashtme e Mianmarit dhe Ministrja e Presidencës Suu Kyi, e cila ka qenë shënjestër e kritikave të ashpra për injorimin e masakrave ndaj muslimanëve të Arakanit, në një deklaratë dje theksoi se që nga 5 shtatori, nuk ka asnjë operacion, duke shtuar se “Mianmari nuk frikësohet nga hetimet ndërkombëtare”.

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë shënjestruar mbi 200 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh përmes zonave malore, lumit Naf ose rrugëve detare.

Që nga 25 gushti, mbi 400 mijë muslimanë të Arakanit kanë arritur në Bangladesh.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit