Më shumë se 300 trupa nga Mbretëria e Bashkuar do të dislokohen në Kosovë për ato që misioni paqeruajtës i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë, KFOR, thotë se janë ushtrime rutinore.
Këto ushtrime do të mbahen nga 18 shtatori deri në fund të tetorit, ka njoftuar KFOR-i nëpërmjet një komunikate, pa dhënë hollësi se në ç’vend do të zhvillohen ato.
Kontingjenti britanik, nga Regjimenti Mbretëror i Jorkshërit, do të kryejë një sërë aktivitetesh stërvitore, së bashku me trupat e tjera të KFOR-it, gjatë dislokimit të përkohshëm të tij.
KFOR-i ka njoftuar se stërvitjet kanë për qëllim “të testojnë procedurat ekzistuese për dislokimin e shpejtë të trupave shtesë dhe integrimin e tyre në kuadër të misionit”.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë ka bërë të ditur, po ashtu, se stërvitjet do të mbështesin gatishmërinë e KFOR-it “për t’iu përgjigjur zhvillimeve relevante të sigurisë”.
Njoftimi për dislokimin e trupave shtesë dhe për stërvitje u bë disa javë pasi KFOR-i zhvilloi atë që e quajti trajnim mbi urën e Ibrit, që ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe veriun e banuar me serbë.
Mbi këtë urë, që Kosova po synon ta hapë për qarkullim të automjeteve, KFOR-i ka prani të përhershme.
Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar autoriteteve në Kosovë që të përmbahen nga një veprim të tillë tani për tani, ndërkaq misioni i NATO-s dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar që çështja e urës të zgjidhjet përmes dialogut.
/REL/