-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Braktisja e Kuranit

Më të lexuarat

Falënderimi dhe lavdërimi i takojnë vetëm Allahut, subhanehu ue teala, ndërsa paqa dhe mëshira qofshin mbi Resulullahun, salallahu alejhi ue selem, familjen e tij, shokët e tij dhe mbi gjithë ata që mundohen ta pasojnë në mënyrën më të mirë.


Si myslimanë e kemi për obligim që çdoherë të mundohemi t’i zbulojmë mangësitë dhe veset tona dhe të shoqërisë sonë me qëllim t’i ndërrojmë ato me cilësi dhe virtyte, të cilat do të na bëjnë dobi në dunja e ahiret.

Mu për këtë, kemi vendosur që në këtë temë të shtjellojmë problemin e braktisjes së Kur’anit, i cili padyshim se nuk është problem i vogël.

Në fillim do të japim definicionin e Kur’anit: “Është libër që Allahu ia ka zbritur Muhammedit, salallahu alejhi ue selem. Është i shkruar në mus’haf, me të kryhen adhurimet dhe është i transmetuar deri te ne, në formë të përpiktë sa që nuk mund të dyshohet në të”.

Nga ky definicion shohim qartë rëndësinë e këtij libri dhe njëkohësisht rrezikun e braktisjes së tij. Por, si duket braktisja e Kur’anit, si shfaqet ajo?

Nga format e braktisjes së Kur’anit:

1. Të folurit për të, gjëra të pavërteta. Kështu kanë vepruar pabesimtarët, fjalën e të cilëve na e tregon Allahu, subhanehu ue teala:

“I dërguari tha: O Zot, populli im, këtë Kur’an e konsideroi të braktisur”.

Kurtubiu tha: D.m.th. kanë folur për Kur’anin fjalë të pavërteta, se ai është magji, poezi etj. (1)

Taberiu tha: Është për qëllim fjalët e tyre të këqija lidhur me Kur’anin. (2)

Pra, secili që flet fjalë të rënda për Kur’anin, duke thënë se është magji, gënjeshtra, nuk vlen për kohën tonë, nuk vlen për popullin tonë, ai ka bërë braktisjen e plotë të Kur’anit.

2. Kthimi i shpinës Kur’anit dhe mosrespektimi i leximit të tij. Ky kuptim shihet qartë edhe në komentin e ajetit të kaluar. Taberiu thotë: Allahu ka informuar se ata për Kur’anin kanë thënë:

“”Mos e dëgjoni këtë Kur’an dhe kur të lexohet ai, ju bëni zhurmë (bërtitni)…”, (Fussilet, 26) dhe kjo është braktisje e vërtetë.

3. Largimi i plotë nga leximi i Kur’anit. Kurtubiu ka thënë se ky kuptim poashtu gjendet në ajetin e kaluar. Ibën Abbasi, radijallahu anhu, thotë: “Në brendinë e atij që nuk gjendet aspak Kur’an, ai është si shtëpia e prishur”. (3)

4. Të harruarit e asaj që është ditur përmendësh. Në këtë aludon ajeti:

“E kush ia kthen shpinën udhëzimit Tim, do të ketë jetë të vështirë dhe në ditën e kijametit do ta ringjall të verbër. Ai do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy?” Ai (All-llahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot”. (Ta Ha, 124-126)

5. Mosveprimi sipas urdhërave të Kur’anit. Transmeton Sujutiu në el-Itkan me zinxhir nga Enesi, radijallahu anhu, se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kur’ani është ndërmjetësues… kush e le përpara do ta udhëheq për në xhenet, e kush e lë mbrapa do ta udhëheq për në zjarr”.

– Dispozita e braktisjes së Kur’anit

Ajo dallon varësisht nga lloji i brkatisjes.

Nëse braktisja bëhet me kthyerje të shpinës apo me të folur për të fjalë të këqija, atëherë kjo është kufër i qartë, dhe ai person është kafir, padyshim.

Nëse braktisja ndodhë duke mos e lexuar atë, derisa ta harrosh, atëherë ka dy gjendje:

Një: Nëse kjo ka ndodhur nga përtacia dhe neglizhenca, atëherë është një nga mëkatet e mëdhaja. (Ibën Haxheri)

Dy: Nëse kjo ndodhë për ndonjë arsye, sikurse sëmundja apo diçka tjetër që e pengon nga leximi, atëherë më e udhës është të themi se ky nuk ka bërë mëkat.

Nëse braktisja ka të bëjë me mosveprimin sipas urdhërave të Kur’anit, atëherë dispozita lidhet ngushtë, me atë se ai mëkat ka qenë i vogël, i madh apo kufër. P.sh, nëse braktisë urdhërin e Allahut, subhanehu ue teala:

“Adhurone vetëm Allahun, e mos i përshkruani atij ortak” (en-Nisa 36), atëherë kjo braktisje është kufër. Nëse braktisë urdhërin:

“Mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape. Pas besimit është keq të përhapet llagapi i keq”. (Huxhurat, 11), atëherë kjo braktisje është mëkat i madh, dhe kështu me rradhë.

Ka edhe disa lloje tjera të braktisjes së Kur’anit, lloje të cilat qortohen nga ajeti që e përmendëm më lartë.

1. Braktisja e dëgjimit të tij, besimit në të dhe respektimit të tij.

2. Braktisja e veprimit sipas tij, duke mos respektuar hallallin dhe haramin edhe pse e lexon dhe beson në të.

3. Braktisja e gjykimit sipas tij në çdo sferë të jetës dhe besimi se fjalët e tij nuk aludojnë në dije të qartë.

4. Braktisja e meditimit në të, kuptimit të tij dhe njohurisë së qëllimeve të Allahut me zbritjen e Kur’anit.

5. Braktisja e shërimit me të, në të gjitha sëmundjet e zemrës duke u munduar të arrijnë shërimin në diç tjetër.

Krahas braktisjes, disa njerëzve u ngushtohet edhe shpirti nga Kur’ani, ajo ndodhë për disa shkaqe:

Dikujt i ngushtohet shpirti pse të jetë zbritur ky libër dhe pse ai të jetë ligj me të cilin duhet gjykuar.

Ndonjëherë ndodhë duke mos dashtur ta kuptojë se ky libër është zbritur nga Allahu, por është i krijuar, sipas mendimit të tij.

Ndonjëherë ndodhë duke pretenduar se ai nuk mjafton për njerëzinë, por ka nevojë edhe për ligje, mendime dhe politika të ndryshme.

Ndonjëherë ndodhë kur ballafaqohet me ajetet e qarta të cilët ia kundërshtojnë veprat apo mendimet e tij.

Ne duhet të mundohemi që assesi të mos biejmë në ndonjërën prej gjërave të përmendura. Për të mos rënë në këtë, në vijim po sjellim tekste që do të na ndihmojnë në atë drejtim:

Disa hadithe për qortimin e braktisjes së Kur’anit:

1. Transmeton Abdullah ibën Mes’udi, radijallahu anhu, se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shtëpia më poshtëruar është shtëpia ku nuk gjendet asgjë nga Kur’ani, lexojeni Kur’anin sepse për të ka shpërblime. Me çdo shkronjë shpërbleheni me dhjetë sevape. Nuk them “elif lam mim” (Çáã ), por elif, lam, mim”. (4)

2. Nga Imran ibën Husajni, se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush e lexon Kur’anin, le të kërkon nga Allahu (shpërblim) për leximin që ka bërë, ngase do të vijnë njerëz, të cilët do ta lexojnë Kur’anin, dhe për atë lexim do të kërkojnë nga njerëzit (pasuri, lëvdata)”. (5)

3. Nga Aliju, radijallahu anhu, se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Do të ketë nga ummeti im njerëz që do ta lexojnë kur’anin, leximi juaj krahas leximit të tyre është asgjë, namazi i juaj krahas namazit të tyre është asgjë dhe agjërimi i juaj krahas agjërimit të tyre është asgjë. Leximi i tyre nuk arrin më poshtë se fytat e tyre, dalin nga Islami ashtu si delë shigjeta nga harku…” (6)

5. Nga Ebu Musa el-Esh’arij, se Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kur’anin është sikurse shembulli i qitrosë, ka erë të mirë dhe shije të mirë, shembulli i besimtarit që nuk lexon Kur’an është sikurse shembulli i hurmës së thatë, nuk ka erë por ka shije të ëmbël. Shembulli i munafikut që lexon Kur’an është sikurse shembulli i borzilokut, e cila ka erë të mirë e shije të idhët, ndërsa shembulli i munafikut i cili nuk e lexon Kur’anin është sikurse shembulli i kungullit të thatë, nuk ka erë dhe shijen e ka të idhët”. (7)

Disa fjalë të dijetarëve për qortimin e braktisjes së Kur’anit:

1. Omeri, radijallahu anhu: “Ishim në një kohë, ku secili që e mësonte Kur’anin e mësonte për hirë të Allahut. Ndërsa në kohën e fundit, po kam frikë se dikush e mëson Kur’anin për hirë të njerëzve. Unë ju këshilloj që me punët dhe leximin tuaj ta keni për qëllim vetëm Allahun, sepse në kohën e Resulullahut, salallahu alejhi ue selem, e kishim atë pranë dhe me vahj na tregonte gjërat e fshehta. Por, sot, pasiqë ka shkuar Resulullahu, salallahu alejhi ue selem, unë ju njoh kështu: Kush paraqitet me mirësi, ne e duam atë dhe mendojmë mirë për të, ai që shfaqet me punë të këqija, e urrejmë për ato punë dhe për të mendojmë keq. Ndërsa, atë që keni në brendinë tuaj, ajo është mes juve dhe Allahut, subhanehu ue teala”

2. Ibën Omeri: “Kam jetuar në një kohë, ku imanin e mirrnim para Kur’anit, kur zbriste ndonjë sure menjëherë e mësonim hallallin dhe haramin që u përmendej aty. Ndërsa tani, po shoh njerëz të cilët në fillim e marrin Kur’anin para imanit, e lexon prej Fatihasë e deri në fund dhe nuk din cilat ajete urdhërojnë e cilat qortojnë, nuk kupton gjë prej tij”.

3. Aliju, radijallahu anhu, njërit i ka thënë: “Nëse mbetesh të jetosh, do të vëresh se Kur’anin do ta lexojnë tre lloj njerëzish: një lloj për Allahun, një lloj për polemizim dhe një lloj për dunja, kush do të kërkojë me të, do të arrijë”. Pra, nëse me Kur’an kërkon xhenetin do ta arrijë, e nëse me të kërkon dynjanë, edhe do ta arrijë por në ahiret, do të gjejë dënimin.

4. Ebu Seid el-Hudriju: “Do të vijë një gjeneratë, që do ta lexojnë Kur’anin por Kur’ani nuk do të arrijë më poshtë se fyti. Do ta lexojnë tre lloj njerëzish: besimtari, munafiku dhe i prishuri. Beshiri tha: Velidit i thash: Kush janë ata tre? Tha: Munafiku është mohuesi i Kur’anit, i prishuri është ai që siguron hajen me Kur’an ndërsa besimtari është ai që vepron sipas tij”.

5. Katadeja: “Secili që ulet me Kur’anin, kur të ndahet, do të ndahet me ndonjë shtesë apo mungesë, pastaj e lexoi ajetin:

“Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përpos dëshpërim.”

Në fund po përmendim disa nga dëmet që vijnë nga braktisja e Kur’anit:

1. Nëse zemrat nuk ndërtohen me Kur’an, aty do të banojnë shejtanët.

2. Braktisja e Kur’anit e dobëson besimin tek Allahu, subhanehu ue teala, dhe në të gjitha gajbijatet.

3. Ai që e ka braktisur Kur’anin, padyshim se do ta braktisë edhe veprimin sipas tij.

4. Ai që lexon Kur’anin për të fituar pasuri, ditën e Kijametit do të ringjallet pa mish në fytyrë.

5. Kush e lexon Kur’anin dhe nuk punon sipas tij, leximi i tij do të jetë kundër tij.

6. Kush e lexon Kur’anin për t’i thënë se është lexues apo për tu lëvduar para njerëzve ai është munafik dhe me të do të ndizet zjarri ditën e kijametit.

Përgatiti: Omer Berisha

Burimi: albislam.com

shënimet:

1. Tefsirul Kurtubi (13/20)

2. Tefsiru Taberi (9/385)

3. Ahmedi (1947) dhe Tirmidhiu (2913), i cili thotë se hadithi është hasen sahih.

4. Tirmidhiu (2910), i cili thotë se hadithi është hasen sahih

5. Tirmidhiu (2917) hasen sahih, Albani në es-Sahiha (257) e ka konsideruar hasen.

6. Muslimi 1066) dhe Buhariu shkurtimisht

7. Buhariu (5020) dhe Muslimi (797)

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit