1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Braktisi Serbinë dhe zgjodhi të luante për Kosovën, mediat serbe sulmojnë futbollistin

Më të lexuarat

Futbollisti Arton Zekaj kishte luajtur për U15, U16 e U17 të Serbisë. Ai vlerësohej si talent i madh dhe pas Partizanit të Beogradit dhe disa skuadrave të tjera në Serbi u transferua te Lila në Francë. 

23-vjeçari, i lindur në Suboticë, ndërkohë u bashkua me Kosovën U21. Kishte luajtur pesë ndeshje në vitet 2019 e 2020, ndërsa në një prej tyre ishte kapiten. 

Por, karriera e tij nuk u zhvillua siç pritej. Në vitin 2022, Zekaj u kthye në Serbi, përkatësisht në Vojvodinë. Luajti për skuadrën e nivelit të ulët Tisa Adorjan. Prej atëherë është pa skuadër. 

Dhe fakti që është pa skuadër, e sidomos që kishte lënë Serbinë për të luajtur për Kosovën, ka bërë që mediat serbe të sulmonin futbollistin Zekaj. 

“Arton Zekaj dikur ishte kapiten i Serbisë dhe më pas kaloi tek e ashtuquajtura Kosovë, tani thuajse ka humbur nga harta e futbollit”, është titulli i një mediumit serb. 

“Luajti për Serbinë, më pas u paraqit për Kosovën dhe mbeti pa klub”, shkruan “nova.rs”. 

“Arton Zekaj zgjodhi të ashtuquajturën Kosovë para Serbisë e tani nuk luan askund”, është titulli i “blic.rs”. 

Në tituj të mediave të tjera është shkruar që Zekaj tradhtoi Serbinë, ndërsa në përgjithësi qasja e mediave serbe ishte sulmuese ndaj futbollistit. 

“Me krenari kam vendosur të pranoj fanellën e Kosovës. E di që prindërit e mi dhe populli i Kosovës do të jenë krenarë për mua. E di gjithashtu që njeriu që nuk është më në mesin tonë, Fadil Vokrri, gjithashtu do të ishte krenar”, kishte deklaruar Zekaj pasi pranoi ftesën e Kosovës. 

Me Kosovën U21 Zekaj kishte luajtur ndaj Anglisë, Austrisë, Andorrës, Shqipërisë e Turqisë. Ndaj Shqipërisë ishte kapiten. 

PANORAMASPORT.AL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit