0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Botë e një larmie të çuditshme

Më të lexuarat

Një nga problemet, me të cilat karakterizohet mënyra se si njerëzit mendojnë dhe vlerësojnë të tjerët, idetë dhe qëndrimet e tyre, është pikërisht prirja për t’i thjeshtuar ato, për t’i parë ato bardhë e zi, apo për t’i paketuar sipas koncepteve, kallëpeve dhe perceptimeve pararendëse, që gjithkush ka në mendje. Ndërkohë që asnjë njeri nuk e sheh veten e tij kaq thjeshtë, por dallon qartë në veten e tij, edhe nuancat e grisë më të hollë, mes të bardhës dhe të zezës, por edhe ngjyrat e tjera krejt të ndryshme që ka krijuar Zoti.
Kjo nuk është diçka e re dhe as e papritur, janë keqkuptuar e keqinterpretuar, me qëllim ose jo, fjalët e Zotit dhe të profetëve, e jo më fjalët e njerëzve. Por ashtu siç për të njohur udhëzimin hyjnor, të duhet të njohësh mirë korpusin e dijeve që e përbëjnë atë, ashtu edhe për të kuptuar drejt dikë, të duhet të njohësh formimin, qëndrimet, parimet dhe bazat ku ai mbështetet. Gjithmonë, nëse një qëndrim apo mendim i tij, nuk mund të kuptohet plotësisht apo qartësisht nga një rast i vetëm, por ka nevojë për një vështrim më të thellë në këtë drejtim. Përveç kësaj, konteksti kohor, vendor e mjedisor, është tepër i rëndësishëm për të kuptuar disa gjëra që nuk thuhen, por që vetëkuptohen, pikërisht nga këto kontekste.
Natyrisht, askush nga njerëzit nuk është i përkryer në artikulimin e tij, çdokush ka stilin dhe mënyrën e vet të të shprehurit, por këto janë disa rregulla që vlejnë për çdo njeri dhe për çdo fushë të dijes, nëse kërkon të njohësh vërtet realitetin dhe të vërtetën. Ah, nëse dikush thjesht kërkon të kritikojë apo sulmojë dikë, që për më tepër nuk ndan të njëjtat mendime dhe qëndrime me të, kjo është gjëja më e lehtë për të bërë. Mjafton të peshkosh një fjalë të vetme, apo ta nxjerrësh një fjali nga konteksti i përgjithshëm, apo t’i japësh rëndësi një çështjeje dytësore dhe të lësh ato themelore, dhe synimi “i peshkimit” përmbushet.
Çdo njeri prej nesh ka “syzet” e tij, me të cilat i sheh gjërat në jetë, por sa më transparente, sa më pak ngjyrë, sa më numër të vogël të kenë, aq më mirë është për të kuptuar drejt të tjerët dhe realitetin që gjykojmë.
Por në fund të fundit, kjo është edhe një nga bukuritë dhe çuditë e botës sonë, që na dëshmon qartazi se pse ka nevojë për një Ditë të Madhe, Ditën e së Vërtetës, atë ditë në të cilën do të bien të gjitha syzet, perdet e ngjyrimet, dhe njeriu do të vështrojë realitetin e gjërave në vërtetësinë e tyre të plotë. Përmes keqkuptimeve, keqinterpretimeve, thjeshtëzimeve dhe ngjyrimeve të pasakta, Krijuesi na dëshmon në këtë botë për nevojën e domosdoshme të ekzistencës së Ditës së Gjykimit.

Hoxhë Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit