-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Bota vuan, miliarderët në hapësirë

Më të lexuarat

Me gjithë respektin për Jeff Bezos dhe miliarderët e tjerë që planifikojnë të shpenzojnë miliarda dollarë nga pasuria e tyre për udhëtime në hapësirë, ka qindra milionë fëmijë që kanë nevojë për ndihmë në planetin tonë.

Ekonomia botërore po pompon qindra miliardë dollarë në llogaritë e disa mijëra njerëzve. Këto pasuri duhet të drejtohen në radhë të parë për parandalimin e miliona vdekjeve të panevojshme të shkaktuara nga varfëria ekstreme dhe për të edukuar qindra milionë fëmijë që nuk kanë shkollim. Miliarderët ende do të kishin mjaftueshëm për të kënaqur dëshirën e tyre për mega-jahte, anije personale të hapësirës apo ishuj privatë tropikalë.

Mosha dixhitale ka krijuar të pasur si Bezos, Mark Zuckerberg, Larry Page dhe Sergey Brin. Në 12 vitet e fundit, sipas “Forbes”, numri i miliarderëve dhe pasuria e tyrë është trefishuar. Nga 793 miliarderë me 2,6 trilion pasuri në 2006, në rreth 2 200 miliarderë me 9,1 trilion në mars të këtij viti.

Dyndja e pasurisë në majë të piramidës tejkalon rritjen ekonomike. Pjesa më e madhe e pasurisë reflekton rishpërndarjen e të ardhurave nga punëtorët me kualifikim të ulët, puna e të cilëve po humb në avantazh të robotëve dhe inteligjencës artificiale, që zotërohen nga pronarët super të pasur të këtyre sistemeve të zgjuara. Të ardhurat kombëtare po zhvendosen nga punëtorët me kualifikim më të ulët tek pronarët e teknologjisë së lartë, duke përfshirë teknologjitë kyçe, zhvillimi i të cilëve fillimisht ishte financuar nga taksapaguesit, si vetë interneti dhe motori i kërkimit i Google.

Sistemi është i manipuluar në favor të atyre që janë në krye. Gjigantët e teknologjisë e devijojnë pasurinë e tyre “off-shore”, me IRS-në që bën një sy qorr ndaj këtyre skemave.

Kompanitë grumbullojnë të dhënat tona personale, për të cilat nuk paguajnë, për të fituar gjithmonë e më shumë. Atyre u jepet patentë që të krijojnë monopole artificiale 20-vjeçare për teknologjitë që duhet të jenë në zotërim publik.

Miliarderët dhe korporatat e tyre përdorin donacionet e fushatës dhe fuqinë e medias për të lobuar “përfaqësuesit” tanë në Kongres në mënyrë që ata të përfaqësojnë ata më shumë sesa ne. Rezultati është shkurtimi i taksave për miliarderët dhe dhe borxhi për ne dhe për fëmijët tanë.

Pasuria në majë të piramidës është në rritje në mënyrë aq të shpejtë, sa edhe kur Bill dhe Melinda Gates, filantropët më të mëdhenj të kohës sonë, fisnikërisht dhurojnë disa miliardë dollarë çdo vit për të luftuar sëmundjet dhe urinë, pasuria e tyre rritet gjithsesi, me fitimet e reja që ia kalojnë shumë atyre që japin. Në vitin 2010, Gates u zotua të jepte të paktën gjysmën e pasurisë së tij dhe u bëri thirrje edhe individëve të tjerë të pasur që të bëjnë të njëjtën gjë. Në atë kohë kishte vlerë 53 miliardë dollarë. Sot, vlera e tij neto është 94,8 miliardë dollarë.

Gati 200 individë të pasur i janë bashkuar kësaj thirrjeje gjatë 8 viteve të fundit, më pak se 10% e miliarderëve. Për më tepër, nuk ka raportim për donacionet e tyre. Në tërësi, shumica e njerëzve më të pasur në botë ende nuk i janë bashkuar betejës për t’i dhënë fund varfërisë. Megjithatë, pasuria e tyre është aq e madhe sa këto pak individë mund të përmirësojnë në mënyrë dramatike jetën e qindra miliona njerëzve.
Qindra miliona fëmijë të varfër jetojnë pa qasje në kujdesin bazë shëndetësor ose shkollimin. Rreth 5,6 milionë fëmijë nën moshën 5-vjeçare vdesin çdo vit sepse nuk ka klinikë për t’i ndihmuar ata.

Qindra miliona fëmijë nuk kanë qasje në shkollat publike me mësues të trajnuar, energji elektrike, libra dhe objekte higjienike. Rezultati është se fëmijët largohen nga shkolla pas disa vitesh pa aftësi themelore të nevojshme për shekullin XXI. Këto kushte mund të tejkalohen për një pjesë të vogël të pasurisë së madhe të miliarderëve. Thjesht 1% e vlerës neto të miliarderëve do të përbënte 91 miliardë dollarë, me të cilat mund të sigurohet qasje në kujdesin shëndetësor dhe të arsimit për fëmijët më të varfër në të gjithë globin.

Miliarderët duhet ta japin këtë shumë vullnetarisht, por kur nuk e bëjnë, qeveritë duhet të vënë një taksë me vlerë neto prej 1% për të financuar nevojat bazë shëndetësore dhe arsimore të njerëzve më të varfër në botë.

Kur unë udhëhoqa një komision 17 vjet më parë që vuri në dukje se sa nivele modeste të ndihmës mund të bënin hapa të mëdhenj kundër sëmundjeve si AIDS dhe malaria, më thanë se ndihmat do të vidheshin, të varfërit nuk do t’i përmbaheshin tundimeve të drogës dhe kështu me radhë. Kjo është blasfemi e njerëzve të pasur. Në fakt, kur u krijuan institucione të reja, duke përfshirë Fondin Global për Luftën kundër AIDS, TB dhe Malaries dhe programi PEPFAR i qeverisë së SHBA për të luftuar AIDS-in, programet shpëtuan miliona jetë. Megjithatë, pavarësisht dëshmive dërrmuese të suksesit të tyre, këto organizata të denja për shpëtimin e jetës mbeten pa fonde.

Të pasurit presin adhurimin e masave dhe shpesh e marrin atë. Megjithatë, durimi i shoqërisë për bëmat e mega të pasurve së shpejti do të shuhet. Shumë njerëz po vuajnë, shumë punëtorë me kualifikime më të ulëta po humbasin vendet e punës dhe të ardhurat dhe shumë fuqi mbi jetën tonë po fitohen nga gjigandët e teknologjisë së lartë dhe të korporatave të tjera.

Donald Trump kanalizoi pakënaqësinë në rritje me fitoren e tij elektorale, por luftrat e tij tregtare dhe shkurtimet e taksave për të pasurit vetëm zgjerojnë ndarjen. Përgjigjet e vërteta varen nga rivendosja e pasurisë së miliarderëve te ata që kanë nevojë urgjente.

Njerëzit dinamikë dhe të aftë si Jeff Bezos duhet të drejtojnë pasurinë dhe energjitë e tyre të mëdha drejt sfidave urgjente të botës: varfëria ekstreme, sëmundja e panevojshme, analfabetizmi dhe shkatërrimi mjedisor. Për ata që nuk e bëjnë këtë vullnetarisht, qeveritë duhet të vënë një taksë mbi mega pasurinë. Pasi nevojat urgjente të shoqërisë të financohen, do të ketë mjaftueshëm kohë dhe pasuri që të pasurit të arrijnë yjet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit