-1.1 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Bota islame njëzëri dënon sulmet ndaj Islamit dhe Profetit Muhamed në Francë

Më të lexuarat

Bota islame është bashkuar kundër deklaratave antiislame të zyrtarëve më të lartë francezë që justifikojnë publikimin e diskutueshëm të karikaturave të Profetit Muhamed, por Parisi zyrtar është gjithnjë e më i shqetësuar për fushatën për bojkotin e produkteve franceze, shkruan Anadolu Agency (AA).

Franca ka qenë arena kryesore e aktiviteteve antiislame për disa vjet, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron provokoi kritika dhe reagime veçanërisht të ashpra nga bota islame me fjalimin e tij reth krizës së pretenduar të Islamit dhe nevojën për ristrukturimin e kësaj feje. Më 2 tetor, ai akuzoi muslimanët në Francë për kultivimin e disa ideve diskriminuese dhe secesioniste.

Më 13 tetor, ministri i Brendshëm Francez, Gerald Darmanin, tha se 73 xhami, shkolla private dhe objekte biznesi ishin mbyllur në vend që nga fillimi i vitit si pjesë e luftës kundër islamizmit radikal. Ai gjithashtu tha se ishte i shqetësuar nga raftet speciale në tregjet që shesin produkte hallall, që ishte një tjetër sulm në serinë e sulmeve të tij ndaj lirisë fetare në Francë.

Tri ditë më vonë, një mësues që tregoi karikaturat e Profetit Muhamed në orën e lirisë fetare u vra brutalisht në Francë dhe kjo vrasje ishte arsyeja e sulmeve të reja nga zyrtarët qeveritarë ndaj Islamit dhe muslimanëve. Macron tha se vrasja ishte një akt i “terrorizmit islamik”.

Sulmet e udhëheqjes shtetërore ndaj muslimanëve kanë shkaktuar një rritje të sulmeve islamofobe dhe raciste në Francë. Dy gra nga Algjeria u goditën me thikë pranë Kullës Eiffel dhe dje dy jordanezë, vëlla e motër, ishin viktima të një sulmi racist në Paris.

Pavarësisht paraqitjeve të tilla, zyrtarët francezë, nën maskën e mbrojtjes së lirisë së fjalës, vazhduan të inkurajojnë publikimin e karikaturave të diskutueshme të revistës Charlie Hebdo që fyejnë Profetin Muhamed. Presidenti francez Macron tha se publikimi i karikaturave të tilla nuk do të parandalohet dhe menjëherë më pas u shfaqën mbishkrime dhe karikatura fyese në disa ndërtesa publike.

Fushata kundër produkteve franceze në botën islame

Vende të shumta muslimane, përfshirë Turqinë, kanë dënuar njëzëri sulmet ndaj Islamit dhe muslimanëve në Francë, kurse në mediat sociale kanë filluar fushatat kundër produkteve franceze. Në disa vende të botës islame, produktet franceze janë hequr nga raftet në tregje.

Fushatat shpejt gjetën mbështetje të madhe në rrjetet sociale dhe një fenomen i tillë shqetësoi autoritetet franceze, sepse kjo mund të jetë një goditje serioze për ekonominë franceze.

Ministria e Jashtme franceze dje bëri thirrje për t’i dhënë fund fushatave që synojnë produktet franceze dhe për të udhëtuar në atë vend.

Deri më tani, thirrja nuk ka dhënë rezultate, sepse fushatat janë ende në rritje, së bashku me protestat në disa vende muslimane.

Turqia reagoi në nivelin më të lartë

Presidenti turk komentoi fjalimin e Macronit mbi krizën e pretenduar të Islamit dhe tha se lëvizje të tilla nga presidenti francez shkojnë përtej kufijve të pafytyrësisë dhe përfaqësojnë një provokim të hapur.

Ministria turke e Punëve të Jashtme tha se askush nuk ka të drejtë në qasje kaq të shtrembëra dhe të gabuara ndaj Islamit si një fe e nderuar, e cila në emrin e saj përmban paqen.

Kreu i Drejtorisë për Çështjet Fetare të Turqisë, Ali Erbaş, tha se karikaturat fyese të Profetit Muhamed në ndërtesat publike tregojnë se autoritetet franceze mbështesin armiqësinë ndaj Islamit. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të kundërshtojë praktikat në Francë që ofendojnë ndjenjat e të gjithë muslimanëve në botë.

Presidenti turk Erdoğan, pas mbështetjes së Macronit për publikimin e karikaturave të diskutueshme, tha se presidenti aktual francez ka nevojë për trajtim të shëndetit mendor.

OBI bën thirrje për t’i dhënë fund sulmeve sistematike ndaj muslimanëve

Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) u ka bërë thirrje autoriteteve franceze që t’i japin fund politikave diskriminuese dhe sulmeve ndaj Islamit që ofendojnë ndjenjat e miliarda muslimanëve në gjithë botën.

Në të njëjtën kohë, kryeministri pakistanez Imran Khan dënoi sulmet e Macronit ndaj Islamit dhe shtoi se autoritetet franceze po inkurajojnë përhapjen e Islamofobisë dhe urrejtjes.

Autoritetet pakistaneze i kanë bërë thirrje botës islame që të bashkohet kundër sulmeve ndaj Islamit dhe muslimanëve.

Autoritetet iraniane gjithashtu kanë thënë se sulmet e Francës ndaj Islamit dhe muslimanëve janë të papranueshme. Qeveria dhe parlamenti kanë dënuar zyrtarisht deklaratat e zyrtarëve francezë.

Reagimi më i ashpër është ai i kryetarit të parlamentit iranian, Muhamed Bakir Kalibaf, i cili shkroi në Twitter se udhëheqësit jorealë dhe të paaftë të Francës thjesht po tregojnë se nuk respektojnë asnjë fe apo moral.

Protesta kundër mesazheve antiislame të Macronit u mbajtën dje në kryeqytetin irakian Bagdad, kurse tubime të ngjashme u mbajtën edhe në Siri dhe Jemen.

Protesta u mbajtën gjithashtu në Palestinë, ku protestuesit dënuan deklaratat e Macronit dhe përshëndetën reagimet e Turqisë dhe presidentit të saj Recep Tayyip Erdoğan.

Zëdhënësi i lëvizjes palestineze Xhihadi Islam, Davud Shihab, tha për AA se Macron po përhap racizëm dhe ekstremizëm.

“Turqia është një ndërgjegje e gjallë dhe përfaqësuese e botës islame në procesin e përballjes së Perëndimit me racizmin e saj”, tha Shihab.

Autoritetet e Kuvajtit gjithashtu kanë dënuar sulmet e zyrtarëve francezë ndaj Islamit dhe kanë hequr produktet franceze nga raftet e më shumë se 70 zinxhirëve me pakicë.

Deklaratat e Macronit u konsideruan të papërgjegjshme dhe të rrezikshme nga Bahreini dhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit.

OJQ-të Saudite mbështesin Francën

Thirrja për bojkot të produkteve në zinxhirin e supermarketeve franceze në Arabinë Saudite u bë shpejt emërtimi i dytë më i popullarizuar në rrjetet sociale.

Pavarësisht kësaj, kreu i organizatës saudite Komuniteti Botëror Islam, Abdulkerim al-Isa, u bëri thirrje muslimanëve që të mos ngrenë zërin e tyre dhe të respektojnë të gjitha ligjet në vendet ku ata janë pakicë.

Al-Isa, një nga këshilltarët e afërt të princit saudit Muhamed bin Salman, tha për televizionin saudit MBC se respektimi i vazhdueshëm i masave në të gjitha vendet do të kontribuonte në një jetë harmonike dhe integrimin e muslimanëve në ato shoqëri.

Po ashtu edhe nga Libia kanë ardhur reagime të ashpra ndaj deklaratave të Macronit në lidhje me Islamin, ndërsa thirrjet për ndërprerjen e bashkëpunimit libian me kompaninë gjigante franceze të naftës Total po bëhen gjithnjë e më të forta.

Lëvizja për Paqe e Algjerisë i ka bërë thirrje presidentit algjerian Abdulmejid Tebbun të dënojë publikisht deklaratat e Macronit.

Fushatat për bojkotimin e produkteve franceze janë ngritur në mediat sociale në Algjeri, Marok dhe Jordani, kurse produktet me tipare franceze janë hequr nga raftet e dyqaneve të shumta në Jordan.

Fushata ka hasur në një përgjigje masive në Marok, Ministria e Punëve të Jashtme e të cilit tha se fyerja e Profetit Muhamed dhe muslimanëve nuk është vepër e njerëzve të pjekur.

Protesta u mbajtën në disa qytete libaneze, gjatë së cilave u dogjën flamujt francezë.

Njeriu i parë i Universitetit Al-Azhar të Egjiptit, Ahmed Tayyib, tha se sulmet kundër Profetit Muhamed dhe Islamit përfaqësojnë një fushatë të planifikuar që synon shtyrjen e muslimanëve në konflikte të reja.

Malajzia dhe Tunizia dënuan deklaratat e Macronit, kurse protestuesit porositën se kjo është tregues i injorancës dhe arrogancës së tij. Në Tunizi, u kërkua anulimi i Samitit të vendeve Frankofone.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit