BE “ngre flamurin” aty ku Rusia ka një nga shënjestrat e saj në Ballkan
Sot, Komisioni Evropian u propozoi vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që t’i japin Bosnje-Hercegovinës statusin e kandidatit, me tetë kushte.
Këtë e ka konfirmuar Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhely.
“Dhënia e statusit të vendit kandidat është një ofertë nga pala evropiane drejtuar Bosnjes dhe popullit boshnjak. Ne e bëjmë këtë për popullin e Bosnje-Hercegovinës, por kjo vjen me pritshmëri të mëdha. Elita politike duhet ta bëjë atë realitet”, theksoi Varhely.
Pas zgjedhjeve të mbajtura në Bosnje-Hercegovinë, shtoi Varhely, presin që organet legjislative dhe qeveritë në nivel shtetëror dhe kantonal të formohen shpejt për të filluar të merren me reformat evropiane, shkruan N1.
Ai gjithashtu tha se Komisioni Evropian do të marrë një vendim përfundimtar në dhjetor.
“Komisioni është i gatshëm të intensifikojë mbështetjen e tij dhe të jetë një partner i besueshëm në këtë rrugë. Komisioni vazhdon të monitorojë dhe raportojë për zbatimin e 14 prioriteteve kryesore. Këto 14 prioritete nuk ndryshojnë dhe nuk mund të negociohen. Bosnje-Hercegovina duhet t’i përmbushë të gjitha para se të mund të hapë negociatat”, theksoi Komisioneri Evropian për Zgjerim.
Kujtojmë se bëhet fjalë për dhënien e statusit kandidat pa e kushtëzuar me zbatimin paraprak të disa reformave.
Në qershor 2022, me insistimin e Austrisë dhe Sllovenisë, vendet arritën në përfundimin se ishin të gatshme t’i jepnin Bosnjes statusin e kandidatit, por se u duhej raporti dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, të cilat më në fund mbërritën sot. /tesheshi.com/