-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Bosnja shënon 29-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës

Më të lexuarat

14 viktima të reja të identifikuara të gjenocidit të Srebrenicës do të varrosen në Varrezën Përkujtimore në fshatin Potoçari

Bosnjë e Hercegovina sot shënon 29-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, ku më shumë se 8.000 civilëve u vranë në korrik të vitit 1995 nga forcat serbe, raporton Anadolu.

Më 21 dhjetor 1991, serbët e Bosnjës shpallën republikën e tyre pasi votuan kundër pavarësisë nga Jugosllavia në një referendum.

Më 9 janar 1992, ata shpallën Republikën e Popullit Serb në Bosnjë e Hercegovinë, por nuk e shpallën zyrtarisht pavarësinë.

Bosnjë e Hercegovina shpalli zyrtarisht pavarësinë pas një referendumi të mbajtur më 29 shkurt dhe 1 mars 1992, me çka nisi lufta trevjeçare në vend.

Lufta zgjati deri më 14 dhjetor 1995 dhe më shumë se 100.000 njerëz u vranë dhe 2 milionë u detyruan të migrojnë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së në pranverën e vitit 1993 e shpalli Srebrenicën “zonë të sigurt”. Por trupat serbe të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq, i cili më vonë u shpall fajtor për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, pushtuan zonën e OKB-së dhe vranë mbi 8.000 djem dhe burra myslimanë të cilët ishin strehuar në “zonën e sigurt”.

Ende nuk dihet fati i rreth 7.000 personave të zhdukur gjatë luftës dhe çdo vit gjenden mbetje të reja mortore të cilët varrosen në ceremoninë vjetore në Varrezën Përkujtimore në Potoçari. 14 viktima të reja të identifikuara të gjenocidit të Srebrenicës do të varrosen këtë vit.

Në një çështje të dëgjuar në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) në Hagë, Holandë, komandanti serb Mlladiq u dënua me burgim të përjetshëm për shumë krime, përfshirë gjenocidin. Dënimi u miratua në një seancë apeli më 8 qershor 2021.

Radovan Karaxhiq, lideri i serbëve të Bosnjës gjatë Luftës së Bosnjës, u dënua me 40 vjet burg për shumë krime, përfshirë gjenocidin e Srebrenicës, dhe më pas me burgim të përjetshëm në një rast apeli.

Në rastet e Srebrenicës të dëgjuara në ICTY, ish-zyrtarët serbë Ljubisha Beara dhe Vujadin Popoviq u dënuan gjithashtu me burgim të përjetshëm.

Në vendimin e saj në vitin 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e përshkroi atë që ndodhi në Srebrenicë dhe rrethinat e saj si një “gjenocid”, bazuar në provat nga ICTY.

Ish-presidenti serb Slobodan Millosheviq vdiq në burg ndërsa gjyqi i tij ishte në vazhdim.

Në rastet e Srebrenicës të dëgjuara në ICTY, Drago Nikoliq u dënua me 35 vjet burg, Radislav Krstiq me 35 vjet, Radivoje Miletiq me 19 vjet, Ljubomir Borovcanin me 17 vjet, Vidoje Blagojeviq me 15 vjet, Vinko Pandureviq me 13 vjet dhe Milano Gvero me pesë vjet.

Në një rast në Gjykatën e Bosnjë e Hercegovinës, Milorad Trbiq u shpall fajtor për gjenocid dhe u dënua me 30 vjet burg për rolin e tij në vrasjen e afro 1.000 civilëve boshnjakë në korrik 1995.

Deri më sot, 45 serbë janë dënuar me gjithsej 699 vjet burg në rastet e dëgjuara në gjykata të ndryshme.

OKB-ja në fund të majit të këtij viti miratoi një rezolutë për të caktuar 11 korrikun si “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë” me mbështetjen dërrmuese të Asamblesë së Përgjithshme.

/AA/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit