Delegacioni i Qeverisë së Kosovës, i përfaqësuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë janë takuar të enjten me delegacionin e Bosnjës dhe Hercegovinës për të diskutuar lidhur me taksën 100 për qind.
Sipas medieve boshnjake, palët në takimin janë pajtuar për vazhdimin e dialogut të mëtejshëm dhe në një afat të shkurtër institucionet përkatëse duhet të gjejnë zgjidhjen më të mirë për tregtinë e mallrave dhe shërbimeve.
“Palët këmbëngulën që çështjet politike të zgjidheshin përpara atyre ekonomike, që do të thotë të njohin certifikatat dhe të lejojnë liberalizimin e vizave”, shkruan Klix.ba.
Mësohet se përfaqësuesit boshnjak kanë kërkuar nga delegacioni kosovar që të shfuqizohet përkohësisht taksa 100 për qind dhe të ketë një zgjidhje për lëvizjen e lirë të mallrave dhe rregullimin e regjimit të vizave ndërmjet dyja vendeve në modelin e vendeve të tjera të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.
Kosovën në Bonjë dhe Hercegovinë janë duke e përfaqësuar, Durim Limaj, shefi i Kabinetit i ministrit të Tregtisë dhe Industrisë si dhe Sytrime Dervisholli, drejtoreshë në Departamentin e Tregtisë në kuadër të kësaj ministrie. /tg