2.9 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Borrell shpreson në arritje të shpejtë të marrëveshjes për zhbllokimin e grurit ukrainas

Më të lexuarat

Shefi i politikës së jashtme të BE-së shpreson në arritje të shpejtë të marrëveshjes në negociatat e udhëhequra nga Türkiye për zhbllokimin e grurit ukrainas

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell shprehu shpresën sot se përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Türkiye për zhbllokimin e eksporteve të drithërave ukrainase këtë javë do të sjellin një marrëveshje, raporton Anadolu Agency (AA).

Borrell foli para gazetarëve gjatë rrugës për në një takim të ministrave të punëve të jashtme të BE-së.

“Shpresoj se këtë javë do të mund të arrihet një marrëveshje për zhbllokimin e anijeve në Odesa dhe anijeve të tjera ukrainase” për të transportuar grurë, tha ai për negociatat e udhëhequra nga Türkiye.

Ai vuri në dukje se “kjo nuk është një lojë diplomatike” pasi jetët e “dhjetëra mijëra njerëzve varen nga kjo marrëveshje”.

Borrell gjithashtu përjashtoi mundësinë e ndërprerjes së “mbështetjes për Ukrainën dhe vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë” edhe nëse Moska kërcënon bllokun me reduktimin e furnizimit me gaz.

Ai shpjegoi se ministrat e jashtëm të BE-së do të diskutojnë ndalimin e importit të arit rus dhe ndryshime të tjera të sanksioneve ekzistuese për një “zbatim më efikas”.

Ministrat do të flasin gjithashtu për planet e rritjes së ndihmës ushtarake për Ukrainën, kurse kryediplomati ukrainas Dmytro Kuleba gjithashtu do t’i bashkohet seancës së mëngjesit, shtoi Borrell.

Pasdite, ministrat e BE-së do të diskutojnë edhe për marrëdhëniet e bllokut me Amerikën Latine, zhvillimet e fundit në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE dhe diplomacinë digjitale.

BE-ja ka vendosur gjashtë grupe sanksionesh kundër Rusisë që nga fillimi i luftës së vendit kundër Ukrainës më 24 shkurt.

Pakot e sanksioneve synojnë, ndër të tjera, presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov, ndalojnë importet e naftës dhe qymyrit dhe eksportin e mallrave luksoze, si dhe kanë përjashtuar bankat ruse dhe bjelloruse nga përdorimi i sistemit SWIFT

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit