Në vitin 2021 ndryshimet gjeopolitike u intensifikuan me politikat e pushtetit që e sfidojnë vazhdimisht Bashkimin Evropian dhe vlerat e tij, tha të hënën shefi i politikës së jashtme të BE-së.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) Josep Borrell vitin 2021 e ka vlerësuar në një shkrim që ka postuar në blogun e tij.
Vitin 2021 kryediplomati i bllokut e përcakton si “vitin e tranzicionit” dhe përdor këtë frazë: “Ndryshimet gjeopolitike të intensifikuara me politikën e pushtetit e kanë sfiduar vazhdimisht BE-në dhe vlerat e saj”.
Duke deklaruar se pandemia e Covid-19 zgjati më shumë se sa ishte imagjinuar dhe varianti Omicron solli rikthimin e kufizimeve, Borrell thotë se blloku tashmë e ka tejkaluar objektivin e tij për të ofruar 250 milionë doza të vaksinave të koronavirusit në vendet e tjera, duke shtuar se qëllimi është që të ketë dhuruar një total prej 700 milionë doza deri në mesin e vitit 2022.
Përveç pandemisë së koronavirusit, e vijon shkrimin e tij Borrell, pjesë e agjendës së BE-së ishin edhe krizat në Bjellorusi, Ukrainë, Mali, Sudan, Afganistan, Etiopi, Venezuelë dhe Bosnje-Hercegovinë.
“Të qenit në modalitetin e përhershëm të menaxhimit të krizave ndonjëherë ka dobësuar kapacitetin tonë për të trajtuar çështje tërthore, afatgjata që duhet të jenë në qendër të politikës sonë të jashtme, të tilla si rigjallërimi i multilateralizmit ose trajtimi i migracionit në mënyrë të ekuilibruar, ose krizat e energjisë dhe klimës apo rregullat për tranzicionin digjital”, shtoi Borrell.
Duke vënë në dukje zhvillimet pozitive në vitin 2021, ai tha se BE-ja “arriti të paraqesë Busullën Strategjike për shtetet anëtare të BE-së”, duke shtuar se “qëllimi i saj është të forcojërolin e BE-së si një ofrues sigurie” dhe rikujton se dokumenti do të miratohet në mars 2022.
Edhe pse ai i përshkroi si “të pafata” vendimet e administratës amerikane për Afganistanin dhe AUKUS[një pakt i trefishtë sigurie i shpallur nga Australia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës-ShBA], Borrell vuri në dukje se “viti 2021 njohu gjithashtu ri-përmirësimin e marrëdhënieve BE-SHBA nën administratën (Joe) Biden”.
Ai tha se në fund të vitit u arrit një konsensus me Kinën dhe rajonet e Indo-Paqësorit për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.
Pasi thekson se BE-ja po fokusohet në rajonin e Indo-Paqësorit, Borrell thotë në shkrimin e tij se marrëdhëniet e ngushta me rajonin janë po aq të rëndësishme sa marrëdhëniet me Gjirin dhe Azinë Qendrore për sa i përket tregtisë, investimeve dhe sigurisë.
Borrell vuri në dukje se situata në Libi relativisht është stabilizuar.