Ca të vërteta të thëna nga kryediplomati europian mbi një konflikt ekstremisht të egërt
Bashkësisë ndërkombëtare mund t’i duhet të vazhdojë t’i “imponojë” Izraelit krijimin e një shteti palestinez nëse është e nevojshme, tha së fundi kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell.
Nëse nuk krijohet një shtet palestinez, “urrejtja” dhe lufta do të përjetësohen, “brez pas brezi”, tha kryediplomati europian në një fjalim në një universitet në Valladolid, Spanjë, ku iu dha një doktoratë nderi.
Të enjten e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu kundërshtoi krijimin e një shteti palestinez pas përfundimit të luftës në Rripin e Gazës.
I pyetur në lidhje me zgjidhjen me dy shtete, të cilën ai thotë gjithashtu se qeveria e SHBA – aleati kryesor i Izraelit – po kërkon, zoti Netanyahu tha se “kryeministri i Izraelit duhet të jetë në gjendje të thotë “jo” kur është e nevojshme, “madje dhe me miqtë tanë”.
Borrell vlerësoi se nuk ka më asnjë shans që izraelitët dhe palestinezët të arrijnë një zgjidhje kompromisi. “Palët e përfshira janë shumë të mllefosura me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje vetë,” shpjegoi ai.
Ai i bëri thirrje “botës arabe, Evropës, SHBA-së dhe Kombeve të Bashkuara” në tërësi të njohin shtetin e Palestinës, edhe nëse ka rezistencë nga Izraeli.
Borrell akuzoi gjithashtu një pjesë të udhëheqjes politike izraelite për financimin e Hamasit për të dobësuar Autoritetin Palestinez të Mahmud Abbas në Bregun Perëndimor dhe për të parandaluar krijimin e një shteti palestinez.
Por Netanyahu e ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzën. /tesheshi.com/