2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

BOJKOTIMI I PRODUKTEVE SERBE – Nga Hoxhë Florian Leli

Më të lexuarat

BOJKOTIMI I PRODUKTEVE SERBE

Nuk është shumë e nevojshme të zgjatem në të kaluarën kriminale të Serbisë. Janë mbi një shekull masakra dhe spastrime etnike. Krimet serbe nuk kanë kursyer as fëmijë, as gra, as të moshuar. Ajo që i bën më të tmerrshme këto krime është egërsia dhe barbarizmi me të cilën janë ekzekutuar. Sytë na kanë parë vetëm pak prej asaj që kemi dëgjuar, e veshët na kanë zënë vetëm një copëz të asaj që është përjetuar.

Unë do të ndalem në të tashmen. Në pyetje nuk është barbaria serbe, por rezistenca jonë. Pyetja që ngrihet këtu është: Si duhet të përballemi me Serbinë?

Nuk ka dyshim se ana ekonomike është pikë nevralgjike e një konflikti. Një ekonomi e fortë garanton qëndrueshmëri dhe ndryshim të ekuilibrave të një konflikti. Një ekonomi dhe një mbështetje e brendshme dhe e jashtme e fortë, i përmbys pozicionet nga mbrojtëse në kundërsulmuese. Bojkoti është një armë e fortë ekonomike që jep rezultat në të shumtën e rasteve. Edhe shtetet më të fuqishme përdorin forma të përparuara të bojkotit, si në rastin e sanksioneve, bllokadave dhe kufizimeve ekonomike.

Presioni ekonomik ndaj kundërshtarit vihet re edhe në veprimtarinë profetike. Shkaku kryesor i betejës së Bedrit ishte rëndësia që profeti (sallallahu alejhi ue sellem) i dha bllokadës së armikut. Kurejshët ishin fis tregtar. Pushteti i tyre bazohej në rëndësinë e Mekës si qendër fetare dhe në aktivitetin tregtar të kurejshve. Meka ishte kryeqendra ekonomike dhe tregtare e arabëve. Burimet kryesore të tregtisë së tyre ishin Shami me Jemenin dhe deri diku edhe Etiopia. Që në ditët e para në Medine, i dërguari i Allahut (sallallahu alejhi ue sellem) bëri çmos që rrugët për në Sham të karvaneve mekase të mbaheshin nën kontroll. Përveç betejës së Bedrit ai dërgoi vazhdimisht ekspedita ushtarake, të cilat ndikuan dukshëm në politikat e kurejshve.

Edhe në periudhën e kalifatit masat ekonomiko-financiare të ndërmarra ishin shumë të rëndësishme. Kështu ishte kalifi i dytë, Umer ibën Hatabi, ai që do të unifikonte masën e dirhemit. Më pas kalifi emevi Abdulmelik ibën Mervani do të mundësonte shtypjen e dinarit të parë islam, që bazohej në solidin bizantin. Këto ndërmarrje patën ndikim të jashtëzakonshëm dhe i garantuan muslimanëve pavarësi të plotë ekonomike.

Fukahatë muslimanë (juristët) i trajtuan gjerë e gjatë shkëmbimet tregtare mes muslimanëve dhe vendeve armike (el harbijine). Ata u ndalën shumë në ndalimin e shitjes së lëndës së parë dhe produkteve jetike që fuqizojnë armikun, sidomos në periudhën e luftrave dhe të konflikteve. Trajtimet e tyre janë të gjera dhe të thella, por ato mund të përmblidhen kryesisht në rregullën e dobisë dhe të interesit. Çdo gjë që në esencë është e lejuar vazhdon të mbetet e tillë përderisa është në interesin e muslimanëve, por ajo bëhet e ndaluar atëherë kur bie ndesh me interesat jetike dhe përparësitë sheriatike.

Nuk ka dyshim se bojkotimi i mallrave serb në Kosovë dhe në të gjithë trevat shqiptare është një grusht i fortë ekonomik që i jepet Serbisë. Përpara se të trajtoj përparësitë dhe avantazhet e këtij bojkoti, dëshiroj të ndalem në një pikë të rëndësishme.

Bojkotimi nuk nënkupton doemos edhe konsiderimin haram të çdo produkti. Shumë produkte serbe në origjinën dhe në vetveten e tyre janë të lejuara. Ne duhet të bëjmë dallim mes haramit si gjykim sheriatik dhe bojkotimit si një masë parandaluese. Nuk pretendojmë që ata që konsumojnë produkte serbe momentalisht, në barqet e tyre po fusin haramin. Një gjykim i tillë ka nevojë për argumente të qarta dhe të prera. Por, ajo që në esencë e lejuar, mund të bëhet haram për arsye të tjera, në varësi të dëmeve që shkakton dhe të keqes që përhap. Në situatën tonë çështja është më ndryshe. Bojkotimi është një masë ekonomike që përmban avantazhe të mëdha dhe interesa ekonomike dhe si i tillë është një mjet i nevojshëm dhe i kërkuar edhe nga ana fetare.

PËRPARËSITË DHE DOBITË E PËRFITUARA NGA BOJKOTI

Cilat janë dobitë që përfiton Kosova veçanërisht dhe trevat shqiptare përgjithësisht? Dobitë janë të shumta. Unë do të rreshtoj vetëm disa prej tyre:

1) Krijimi i pavarësisë ekonomike. Pavarësisa ekonomike nga Serbia është një pikë kyçe. Në rast të shpërthimit të konflikteve, një vend i varur ekonomikisht është i paaftë të manovrojë ashtu siç duhet, sepse kundërshtari kontrollon pika të rëndësishme dhe ushtron trysni dhe presion, duke ndikuar negativisht.

2) Dobësimi, qoftë edhe minimal, i kundërshtarit. Në rastin konkret produktet serbe që importohen në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut janë më të larta se eksportet. Vëllimi i shkëmbimit tregtar mes dy vendeve nuk është i vogël dhe Serbia ndikohet jo pak nga kjo nismë.

Ekonomia e Serbisë nuk i ka ka kapacitetet për të konkurruar me Evropën. Tregu kryesor i prodhimeve serbe është pikërisht Ballkani. Në rast të një bojkotimi të suksesshëm, shkëmbimi tregtar serb do të pësojë tkurrje dhe për pasojë edhe rënie të fuqisë konkurruese dhe rritje të kostove të prodhimit.

3) Dobësimi i monedhës serbe. Ky ndikim mund të vihet re ngadalë. Bojkoti i plotë dhe i shtrirë në të gjitha trevat shqiptare dhe boshnjake, dalëngadalë do të çojë në rënien e qarkullimit të valutës së huaj në tregun serb. Ekonomia serbe nuk është aq e fuqishme sa të përballojë izolime të tilla dhe tkurrja e valutës së huaj në tregun serb do të shpjerë pak nga pak në infancion dhe rënie të denarit serb.

4) Vetëdija dhe aspekti psikologjik. Kosova ka vuajtur shumë nga pushtimi serb (ky është termi i duhur këtu). Gjatë periudhës së pushtimit, në syrin e pushtuesit serb, shqiptarët janë parë si skllevër dhe njerëz të dorës së dytë. Ata janë përballur me diskriminim ekonomik, social dhe racor, madje me gjenocid etnik të pamëshirshëm, që si objektik kishte ndryshimin e hartës demografike të rajonit. Serbët, akoma nuk arrijnë ta përtypin, se si ata që deri dje i konsideronin “skllevër” sot janë të lirë të jetojnë si t’ua ketë ënda. Elita serbe jeton akoma me iluzionin se shqiptarët duhet të jetojnë nën thundrën e tyre dhe nga këtu buron edhe arroganca me të cilën serbët sillen me çështjen kosovare.
Ilaçi më i mirë i këtij problemi është ndarja dhe shkëputja tërësore. Ndarja dhe pavarsia totale lë gjurmë të thella në vetëdijen dhe psikikën e njeriut. Një shqiptar, i madh apo i vogël, nuk mund të shijojë bukën e atij që i ka vrarë vëllanë apo babanë. Më mirë pa bukë se me bukën e shkaut. Kjo ndjenjë kur ngulitet thellë në ndërgjegje lë gjurmë të thella në qëndresën e një populli. Një armik i fortë thërrmohet vetëm me një qëndresë të fortë dhe ana psikologjike dhe morale është ajo më kryesorja. Një popull humb dhe nënshtrohet vetëm atëherë kur dorëzohet dhe ndihet i pafuqishëm.

5) Stimulimi i prodhimit vendas. Për një ekonomi të brishtë si ajo e Kosovës dhe Shqipërisë, hapja pa kriter e importit e dëmton shumë prodhimin e brendshëm. Konkurrenca e mallrave të jashtëm, sidomos të vendeve fqinje (nisur nga kostot e ulëta të transportit) ndikon negativisht. Me rritjen e kësaj konkurrence dëmtohen rëndë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme, buqësia, blegtoria, ndërmarrjet e industrisë së lehtë, etj.

Është naive të pritet nga qeveria e Kosovës që të mbyllë kufinjtë dhe t’u bëjë embargo prodhimeve serbe. Një iniciativë e tillë do ta vinte Kosovën para një trysnie të paparë ndërkombëtare. Faktori ndërkombëtar në këtë pikë nuk lë hapësira për manovrim. Nuk duhet të presim çudira nga qeveria. Edhe shqiptari më i devotshëm të ishte në kreun e shtetit, tani për tani nuk ka mundësi të bëjë asnjë në këtë drejtim. Por, atë që nuk e bën dot qeveria, e bën populli. Një bojkotim i gjerë është i pakontrollueshëm nga ligjet ndërkombtare dhe është mënyra më e lehtë për të vënë në jetë atë që shteti nuk e bën dot.

Në këtë pikë kemi edhe disa mëdyshje. Kam vënë re shumë ankesa kohët e fundit për rritjen e çmimeve në Kosovë. Rritjet e çmimeve kanë shumë arsye dhe nuk lidhen vetëm me bojkotin. Sidoqoftë, është e pritshme që bojkoti të ndikojë përkohësisht në rritjen e lehtë të çmimeve, por më pas ai ndikon pozitivisht në rënien e tyre.

Me daljen nga tregu të produkteve serbe, mund të krijohet një boshllëk në disa mallra, duke ulur ofertën në treg dhe duke ndikuar në ngritjen e disa çmimeve. Në anën tjetër mund të kemi edhe abuzime. Megjithatë, ky ndikim është i përkohshëm, sepse tregu fillon ta mbushë këtë mungesë me produkte vendase dhe me shtimin e importeve nga vendet e tjera (Shqipëria, Maqedonia, Bosnia, etj). Rritja e prodhimit vendas, merr një farë kohë dhe nuk është e menjëhershme. Por me rritjen e tij, kostot e prodhimit ulet dhe konkurrenca bie dhe detyrimisht çmimet fillojnë të zbresin dhe të kthehen në normalitet.

6) Forcimi i marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike me vende të tjera të rajonit, të cilat konsiderohen aleate të Kosovës në rast të përshkallëzimit të konfliktit.

7) Bojkoti do të jetë edhe një shuplakë e fortë ndaj “Ballkanit të Hapur”. Në rast suksesi të bojkotit edhe në Shqipëri, Tirana zyrtare do të kuptojë mirë rrugën pakrye ku është duke ecur. Dështimi i “Ballkanit të Hapur” do t’i dërrmojë përfundimisht ëndrrat e Serbisë për të dalur qyl në Adriatik.

ANËT NEGATIVE TË BOJKOTIT

Bojkoti mund të ketë edhe anë negative. Ato më kryesoret janë:

1- Shkëmbimi tregtar i lëndëve të para shpeshherë është jetik. Disa mallra dhe lëndë të para janë strategjike dhe mungesa e tyre në treg sjell pasoja të rënda dhe të pariparueshme. Të tilla duhet të bëjnë përjashtim dhe të mos përfshihen në bojkot. Fundja, bojkoti i synuar lidhet me produketet serbe në dorë të konsumtorit shqiptar dhe konsumatori nuk ka lidhje direkte me lëndët e para dhe ato strategjike.

2- Nga ky bojkot do ta pësojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe muslimanët e Sanxhakut. Produktet e tyre mbajnë të stampuar “Made in Serbia” dhe kjo është një anë negative e këtij bojkoti, për të cilën duhet gjetur ndonjë marifet për ta zgjidhur.

VËREJTJE

Shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk mund të përfshihen në këtë bojkot. Është e pakuptimtë të kërkohet prej tyre bojkotimi i produkteve serbe. Kjo do të çonte në dëmtim të popullatës dhe vetë konsumatorit. Nga ana tjetër bojkotimi i tyre nuk ka ndonjë ndikim të madh. Siç e theksuam edhe më lart, produktet serbe apo të jomuslimanëve nuk janë haram në vetvete dhe ato braktisen atëherë kur braktisja e tyre sjell dobi dhe nuk shkakton dëme. Në rastin e Luginës së Preshevës dëmet janë të prekshme dhe dobitë të papërfillshme. Fundja nuk mund të kërkojmë prej tyre të futen në zi urie.

Nuk po e zgjas më shumë këtë herë. Unë kam kohë që e kam nisur bojkotin. Tani nise edhe ti! Zoti qoftë me ne!

Hoxhë Florian Leli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit