3.6 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Bletaria, sektor fitimprurës

Më të lexuarat

Kosova ka kushte mjaftë të përshtatshme për t`u marrë me bletari, sidomos Rrafshi i Dukagjinit.

Në këtë rajon, bletarët profesionistë thonë se ekzistojnë 127 lloje të bimëve mjaltëdhënëse me vegjetacion nga pranvera e hershme deri në vjeshtën e vonshme. Kjo ka mundësuar prodhimin e mjaltit cilësor të cilin bletarët ia kanë arritur që edhe ta eksportojnë. Fatmirësisht sektori është bërë me prioritet edhe nga MBPZHR.

Bleta, mjalti dhe nënproduktet e mjaltit janë përditshmëria e bletarit Imer Seferaj nga Gjakova, i cili me këtë veprimtari merret tash e tridhjetë vjet. Bletarinë ai e sheh si një sektor që krijon vende të reja të punës. Imeri thotë për portalin “Ferma Ime”e se bletaria është profesion i vështirë, delikat, i ndjeshëm por edhe fitimprurës. Mjaltin e prodhuar dhe nënproduktet e tij ai ka arritur që t`i plasojë edhe në tregun ndërkombëtar.

“Ne kemi traditë familjare dhe tashmë jemi gjenerata e pestë që merremi me veprimtarinë e bletarisë ku jemi të punësuar 15 veta. Mirëpo, ne punojmë me përkushtimin më të madh, sepse bletarinë e konsiderojmë punë parësore. Kualiteti duhet të vlerësohet dhe asgjë jashtë kualitetit. Kështu që ne nuk kemi problem për shitjen e produkteve tona sepse ne nuk iu mbesim borxh konsumatorëve, për shkak se i bëjmë të gjitha format e analizave, dhe çka do që rrjedh prej asaj, jemi përgjegjës moralisht dhe materialisht”, thotë Imeri nën tingujt e gumëzhimit të bletëve.

Për sa i takon kushteve klimatike, që konsiderohen ndër faktorët kryesorë për mbajtjen por edhe zhvillimin e bletarisë, Imeri thotë se Kosova në përgjithësi, e Rrafshi i Dukagjinit në veçanti, prijnë në rajon sa i përket këtyre kushteve. “Kushtet janë të mira, meqë kemi edhe burime të ujit i cili është edhe bazë për mjaltin. Uji dhe bimësia janë të kualitetit të lartë dhe fatbardhësisht te ne nuk kultivohen kulturat industriale që të kemi mjaltë jo kualitative”, thotë Seferaj.

Megjithëkëtë, si në çdo sektor tjetër të bujqësisë, fermerët shprehin nevojën për përkrahje, në mënyrë që të rrisin efiçiencën dhe aftësitë konkurruese, bashkë me të edhe kapacitetet. Fatmirësisht, nga ky vit, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural(MBPZHR), këtë vit do t`i përkrah bletarët me grante investive.

Zëdhënësi i kësaj ministrie Adil Behramaj, tha se Ministria ka identifikuar që mungesa e pajisjeve dhe e infrastrukturës është dobësi e përgjithshme edhe në këtë sektor. “Ne sivjet kemi rritur përkrahjen financiare për bletarët dhe përveç subvencioneve, që arrijnë vlerën e 300 mijë eurove, do t’i përkrahim edhe me grante investive në vlerë prej 250 mijë euro. Shtimi i numrit të koshereve të bletëve, modernizimi i pajisjeve për prodhimin e mjaltit dhe rritja e sasisë së mjaltit të certifikuar si mjaltë organike janë objektivat që synojmë t’i arrijmë përmes kësaj përkrahje financiare”, konfirmon Behramaj.

Më konkretisht, përmes granteve investive të MBPZHR-së, bletarët do t’i mbështesim në koshere me dysheme antivaro, në rregullimin e vijave për vjeljen e mjaltit, në shkrirëset e dyllit për hoje, në rimorkio speciale për transportin e koshereve, në rrethojat e bletishtës, të thartirave dhe në ato paketuese, duke mbuluar 65 për qind të investimeve.

MBPZHR gjithashtu ka përcaktuar edhe kriteret që duhet plotësuar bletarët, për të përfituar nga grantet investive dhe subvencionet . Kufiri minimal i grantit investiv, që mund ta përfitojnë bletarët është 2 mijë euro dhe maksimal 15 mijë euro ndërsa kushti është që bletarët të kenë së paku 50 koshere të bletëve dhe maksimumi 500 sosh. Kurse subvencionimi do të bëhet njëjtë si në vitin e kaluar, ku për të përfituar subvencione në vlerë prej 10 euro për një koshere bletësh, bletarët duhet të kenë minimum 30 koshere bletësh.

Ndryshe, sipas të dhënave të MBPZHR-së, në sektorin e prodhimit të mjaltit në Kosovë, aktualisht veprojnë rreth 6500 bletarë me rreth 70500 koshere bletësh. /FermaIme/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit