Familja Piraj nga Dragashi qe 20 vjet po e mbanë gjallë biznesin pa hyrë kurrë në kredi bankare. Burim Piraj, pronar në kompaninë “Meka”, shpjegon se si ia ka dalë ta ndërtojë dhe ta mbajë biznesin me forcat vetjake.
Biznes të qëndrueshëm, profitabil dhe me perspektivë mund të ndërtosh edhe pa hyrë fare në kredi. Ndonëse raste si këto janë të rralla edhe në shtetet më të zhvilluara, kjo përvojë po ndodh në Kosovë.
Kompania për përpunimin e mishit “Meka” nga Dragashi, funksionon qe 20 vjet si biznes me forcat vetjake të pronarëve. Burim Piraj, pronar në këtë kompani, thotë se njëra nga arsyet për këtë janë kamatat e larta që aplikojnë bankat komerciale. “Bankat komerciale në Kosovë kredinë nuk e japin në bazë të një biznes-plani me bazë të sigurt për kthimin e investimit të bërë, por në bazë të hipotekës që shpeshherë vlera e hipotekës është sa trefishi i kredisë që jepet”, ka thënë Burim Piraj.
Sipas të dhënave zyrtare të BQK-së, kreditë për bizneset në Kosovë shkojnë mbi 16 për qind, ndërsa kolaterali është 263 për qind e vetë kredive të lëshuara nga bankat. Këto janë dy problemet kryesore që kanë identifikuar bizneset në hulumtimet e ndryshme sa i përket qasjes së tyre në financa.
Por drejtuesi i ndërmarrjes “Meka” duket se i ka rënë në fije çështjes së financimit. Ai po e ndjek praktikën që të gjitha paratë në dispozicion t’i investojë në të mirë të firmës. Kjo deri tani i ka rezultuar me sukses. Nga një biznes i vogël, me tre punëtorë dhe pak pajisje, ndërmarrja e tij tash është shndërruar në një nga prodhuesit kryesorë të mishit në Kosovë. Piraj, nga përvoja e tij beson se, me një menaxhim të mirë të ndërmarrjes dhe kapitalit, bizneset mund të mbijetojnë edhe pa marrë kredi fare.
“Kjo mënyrë e punës ka vazhduar edhe në ditët e sotme dhe ne punojmë njëjtë duke e investuar tërë kapitalin që e kemi. Edhe pas njëzet e tre vjetëve ne nuk ngutemi të bëjmë më shumë se çka na lejojnë mundësitë dhe edhe sot e kësaj dite ne nuk kemi marrë kurrë asnjë kredi apo hua”, pohon Piraj.
Rruga deri të suksesi
Kompania Meka është themeluar në vitin 1990 dhe në fillim ka pasur vetëm tre punëtorë. Piraj shpjegon se asokohe nuk ka pasur mundësi që të hyhet në kredi dhe se fillimi ka qenë shumë i vështirë. Por, në mënyrë shumë të thjeshtë dhe me një thënie popullore ai tregon çelësin e këtij suksesi.
“Politika jonë që nga fillimi ka qenë të shtrijmë këmbët aq sa e kemi jorganin. E kemi zhvilluar kompaninë hap pas hapi. Çka është me rëndësi, të ceki se që nga fillimi i kemi investuar të gjitha mjetet në dispozicion dhe kurrë nuk kemi dashur që paratë si kapital t’i ruajmë. Përkundrazi, politika jonë ka qenë që të kemi sa më pak para në xhepa, por t’i fusim në funksion të kompanisë”, ka treguar Piraj.
Sipas tij, përqendrimi i vazhduar ka qenë në kalkulimin e saktë të vlerës së mallit të prodhuar, duke kalkuluar harxhimet, duke pasur parasysh amortizimin e pajisjeve dhe duke shtuar pjesën e investimeve në çmim të artikullit. Me suksesin në industrinë e mishit, kompania tash është zgjeruar edhe më një biznes tjetër. Ish-hoteli Sharr në Dragash, tani “Meka Hotel” është pronë e kësaj kompanie.
“Varësisht nga shkalla e rritjes së kompanisë, ne e kemi ngritur dhe edukimin tonë personal si pronarë dhe drejtor të kompanisë, për të qenë në gjendje për të menaxhuar ashtu si duhet kompaninë, mirëpo edhe kapitalin. Ndoshta me marrje të kredive mund të ishim kompani më e madhe se që jemi aktualisht, mirëpo sigurisht që qëndrueshmëria e kompanisë nuk do të ishte në nivelin që është”, ka thënë Piraj. Ai thotë se i projektojnë investimet në një kohë të gjatë dhe në disa drejtime, në mënyrë që të shpërndahet rreziku i punës duke investuar në lëmenj të ndryshëm që kur të ketë një lëmë krizë, kompania të jetë në gjendje të krijojë mjete nga lëmi tjetër.
Ketë vit kompania ka investuar në modernizimin e fabrikës dhe ka arritur të certifikohet me HACCAP, si njëri nga standardet ndërkombëtare për cilësi. “Synim i kompanisë nga themelimi ka qenë prodhimi i produkteve sa më cilësore. Edhe pse përpunimi i mishit është shumë ngushtë i lidhur me energjinë elektrike dhe situata në vendin tonë ka qenë ashtu si ka qenë me energji, gjë që na ka penguar skajshmërisht shumë, ne kemi arritur synimin tonë dhe tanimë konsumatorët janë të bindur se kanë në tryezë produkte vendore me një cilësi të lartë”, përfundon Piraj. /RevistaEkonomia/