Biznesi i kompanive vendore po rrezikohet për shkak të normave të larta të interesit bankar, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të bizneseve.
Këta të fundit thonë se nuk po arrijnë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre për shkak të mungesës së mjeteve financiare, derisa ofertat e bankave për kredidhënie nuk janë aspak të favorshme për bizneset.
Në Kosovë operojnë tetë banka komerciale.
Aktiviteti i tyre dominohet nga kreditë, afati i maturimit të të cilave mund të jetë deri në 15 vjet, varësisht nga lloji i kredisë.
Faik Konushevci, udhëheqës u kompanisë “Sole Kosova”, e cila merret me përpunimin e mishit dhe përpunimin e pemëve dhe perimeve, tregon se normat e larta të interesit po ngufatin biznesin e tij.
“Normat e larta të interesit të bankave janë pengesë shumë e madhe për ne. Këto norma janë shumë të larta dhe të pa përballueshme për biznesin privat në Kosovë. Ndikojnë drejtpërdrejtë në çmimin e konsumatorit dhe në zhvillimin e biznesit”, shpjegon Konueshevci për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se bankat në Kosovë janë plotësisht komerciale dhe nuk ndihmojnë aspak bizneset.
Normat e larta të interesit nga bankat komerciale kritikohen edhe nga përfaqësues të kompanisë “ASK Foods”, në Gjilan e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve.
Pronari i kësaj kompanie, Barlet Namoni thotë për Radion Evropa e Lirë se sektori bankar nuk ka qenë shumë mbështetës për biznese për shkak të normave të larta të kredive.
Krahasuar me vendet e rajonit, Namoni thotë se bankat komerciale në Kosovë kanë normat më të larta të kredive.
“Duke marrë parasysh normat e kredive që ofrohen në rajon, në Kosovë janë më të lartat. Kjo na bën që në shumicën e rasteve të mos jemi konkurrent me rajonin për shkak të normave të larta të interesit që aplikohen nga bankat komerciale në Kosovë”, thotë ai.
Sipas përfaqësuesve të biznesit, ulja e normave te interesit do të kishte ndikime pozitive.
Fillimisht, ulja e normave të interesit, thonë ata, do të krijonte rritje në nivelin e investimeve private, gjë që do të rezultonte edhe me vende të reja te punës.
Në anën tjetër, eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi thotë për Radion Evropa e Lirë se normat e larta të kredive ka bërë që shumë biznese të mos heqin dorë nga kredimarrja.
“Mundësia e financimit të bizneseve prej bankave është shumë e vogël për shkak të kostos së kredive. Kjo vërehet edhe nga raportet e Bankës Qendrore ku shihet se po bie kreditimi i bizneseve, ndoshta këtu në pozitë të mirë është vetëm tregtia, pasi që bizneset tjera po heqin dorë nga shfrytëzimi i kredive për shkak të nivelit të lartë të kamatave”, shprehet Rexhepi.
Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës i publikuar në fund të vitit të kaluar thuhet se kredimarrja ka shënuar rënie.
Duke u bazuar në rezultatet e anketës së shtatorit 2012, të realizuar në bankat, të cilat operojnë në Kosovë, ngadalësimi i kredidhënies është rezultat i rënies së kërkesë për kredi.
Po ashtu, deri në një masë, sipas raportit të BQK-së, ka ndikuar edhe shtrëngimi i kushteve për kredidhënie nga ana e bankave, gjë që u reflektua në rënie të ofertës për kredi.
Nisur nga kjo gjendje e sistemit bankar të Kosovës, eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi thotë se duhet që bankat komerciale të kenë oferta më të mira për kredidhënie.
“Fakti se kredimarrja është e shtrenjtë ka rrezikuar edhe sistemin bankar, meqenëse që në fund të vitit të kaluar tri banka kanë afaruar me humbje që nuk kanë ndodhur vitet e mëhershme, që do të thotë se bankat kanë filluar të kenë probleme të brendshme”.
“Shumë më e pranueshme do të ishte që ato vetë në konkurrencë në treg të përmirësojnë ofertën të ulin kamatat, kushtet e kreditimit dhe kjo të përshpejtojë një cikël të zhvillimit”, shpjegon Rexhepi./rel