1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Bizneset në hall me fajdexhinjtë

Më të lexuarat

Në Kosovë është shpeshtuar dukuria e dhënies dhe marrjes së parave me fajde.

Kjo, sipas përfaqësuesve të bizneseve, po ndodh për shkak të kushteve të pafavorshme për kreditim në bankat komerciale dhe mungesë së mjeteve për financim të ndonjë projekti, po detyron qytetarët e konkretisht bizneset që të gjejnë alternativa për investime apo shpagim të ndonjë borxhi eventual.

Fajdetë janë para të huazuara në mënyrë joligjore nga qytetarët me normë të lartë të interesit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu,duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se dukuria e huamarrjes joligjore është në rritje dhe po bëhet shqetësuese për shoqërinë, në përgjithësi.

Shumë nga sipërmarrësit, në mungesë të aprovimit të një kredie nga bankat, drejtohen të marrin para borxh në mënyrë jo të ligjshme, që sipas tij, bart interesa të larta e kosto të mëdha.

“Si duket nuk ështëvetëm fenomen më vete, por fenomen i institucionalizuar. Në këtë drejtim, vërtet duhet bërë më tepër që të parandalohet si dukuri, në dimensione të shumta. Edhe në dimensionin politik, social, kulturor, por mbi të gjitha në dimensionin etik”.

“Dhe, këtu, më në fund, është koha kur duhet të vijë në shprehje fuqia dhe dora e shtetit, përmes sundimit dhe rendit të ligjit, sepse pasojat nga një dukuri e tillë, do të jenë vërtet shumë të mëdha”, thotë Gërxhaliu.

Policia e Kosovës, në një përgjigjeje nëpërmjet postës elektronike për Radion Evropa e Lirë tregon se që nga viti 2013 e deri më tash, janë raportuar 70 raste të fajdeve.

Në vitin 2013, sipas këtyre të dhënave, janë raportuar 23 raste, 30 raste janë raportuar vitin e kaluar, kurse gjatë këtij viti janë raportuar 17 raste, thotë Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës.

Në përgjigjen e tij, Hoxha tregon se në funksion të realizimit të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, duke përfshirë edhe veprat penale, që, sipas Kodit Penal, cilësohen “fajde”, Policia e Kosovës ka punuar intensivisht dhe ka realizuar operacione policore në shkallë vendi, janë arrestuar numër i madh i personave të dyshuar si dhe rastet e tilla në konsultim me prokuroritë përkatëse janë trajtuar konform ligjeve të aplikueshme.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike theksojnë se kjo dukuri urgjentisht duhet të parandalohet për shkak të rrezikut eventual.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik, tregon se fajdetë, pos që shkatërrojnë bizneset, në raste të caktuara, konfliktet përfundojnë me fatalitet.

“Fajdetë nuk janë të lejuara me ligj, por ndërmjet njerëzve mund të ndodhin këto marrëveshje financiare, të cilat e ngarkojnë shumë biznesin, për arsye se normat e kthimit janë shumë të larta, në kuptimin e marrëveshjes që bëjnë ndërmjet vete”, thotë Limani për Radion Evropa e Lirë.

Por, Safet Gërxhaliu bën thirrje te bizneset që të flasin dhe tregojnë për këtë dukuri, pasi, sipas tij, dukuria e fajdeve ndikon edhe tek ekonomia joligjore.

“Është një fenomen në Kosovë që ata, të cilët merren me këtë dukuri, apo ata që janë pjesë e këtyre proceseve, nuk flasin. Është koha që bizneset të mos heshtin dhe të flasin në këtë drejtim. Por, që të flasë biznesi për këtë dukuri, duhet të ketë besim në pushtet dhe te sundimi i rendit dhe ligjit. Për fat të keq, ajo nuk është aktuale dhe aktive në Kosovë”, thekson Gërxhaliu.

Veprimet e tilla ndëshkohen sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas këtij Kodi, kushdo që për vete apo për personin tjetër pranon ose kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit për personin tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 5 deri në 12 vjet, varësisht nga vlera e humbjeve të mjeteve financiare ose realizimit të pasurisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit