5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Bixhozi është një ves i ndyrë me plot kuptimin e fjalës “i ndyrë”

Më të lexuarat

Bixhozi është një ves i ndyrë me plot kuptimin e fjalës “i ndyrë”. Të ndyrë e ka quajtur edhe zoti në Kuran, në suren Maide (O ju që besuat! Vera, bixhozi, altarët dhe orakujt janë vetëm ndyrësi, prej veprave të shejtant prandaj hiqjuni atyre që të shpëtoni).

Bixhozi i ka të gjitha të këqijat në të. Për t’ia përmbledhur të këqijat bixhozit duhen kapituj të tërë. Mjafton si e keqe që ai e largon njeriun nga puna, nga produktiviteti dhe nga realiteti i jetës duke e zhytur në botën e iluzioneve dhe ëndrrave për një jetë përrallore, një jetë pa punë, pa lodhje ku njeriu vetëm dëfrehet dhe argëtohet. Një jetë në “parajsën” e shejtanit. Për fat të keq bixhozçiu zgjohet nga kjo ëndërr “e ëmbël” i shkatërruar si njeri dhe atëherë e kupton se “parajsa” e premtuar e shejtanit është vetëm një ferr.

Feja na mëson të punojmë. Puna është nder dhe bagati. E pakta me djersën e ballit është më e bekuar se çdo gjë. Pejgamberët e zotit kanë ngrënë nga puna e duarve të tyre. Daudi, alejhi selam, ishte edhe mbret edhe profet, hante nga puna e dorës. Ishte mbret, zotëronte e s’kish nevojë, por ai punonte që të jepte shembullin e njeriut të udhëzuar, shembullin e besimtarit të drejtë. I dërguari ynë, sallallahu alejhi ue sellem ka thënë: “Askush nuk ka ngrënë ushqim më të mirë se sa puna e dorës së tij. Vetë profeti i Allahut Daudi ka pas ngrënë prej punës së dorës së tij”. (1)

Në një hadith tjetër thuhet: “Që dikush të marrë litarin, të niset që në të gdhirë për në mal e të presë shkarpa, pastaj t’i shesë e kështu të hajë e të japë sadaka është më mirë për të se sa t’u lypë njerëzve”. (2) Kjo është filozofia dhe synimi i fesë; ta kthejë njeriun në njeri pozitiv, që punon, mundohet për veten dhe për të tjerët. Në kundërshtim me këtë bixhozi e ushqen njeriun me ëndrrën mashtruese të pasurimit si në përralla, ja ashtu sa hap e mbyll sytë.

Feja nuk thotë vetëm puno. Feja thotë puno dhe matu mirë ku shpenzon. Në një hadith të saktë thuhet: “Njeriut nuk i bën këmba para në ditën e gjykimit gjersa të pyetet për pesë; për jetën ku e ka harxhuar, për rininë ku e ka konsumuar, për pasurinë nga e ka fituar e ku e ka shpenzuar dhe me atë që ka ditur çfarë ka punuar?” (3)

Njeriu do të pyetet, nuk i lëviz këmba pa u përgjigjur. Nga e ka marrë? Nga e ka fituar? Me djersë apo me haram. Me të drejtë apo me mashtrim. Pastaj ku e ka shpenzuar? Aty ku e kënaq zotin dhe duhet apo aty ku e zemëron zotin dhe nuk duhet?

Shumë bastexhi e bixhozçi, ato lekë që i humbin në baste, i humbasin pasi të jenë ropatur mirë për t’i fituar. Bixhozi është ves i keq. Shumë prej tyre sfiliten në piskun e vapës për t’i nxjerrë ato para, pastaj shejtani i mashtron, u fryn në vesh: po fitove do jesh mbret, do jetosh pasha. Po pastaj të gjorit, ato para për të cilat u ropat, i fluturojnë sa hap e mbyll sytë. Bixhozi është ves i keq.

Feja thotë: Puno me djersë, fito me nder, shpenzo me mend në kokë! Për të gjitha këto do të pyetesh, kur të qëndrosh përpara zotit, pronarit të vërtetë të gjithçkaje. Në hadithin e Xhabirit, profeti ynë, sallallahu alejhi ue selem, e udhëzoi një prej ensarëve në Medine si të shpenzote me këto fjalë: “Nisja nga vetja dhe jepi asaj! Nëse mbetet akoma jepu familjarëve! Nëse mbetet akoma jepu të afërmve! Nëse mbetet akoma jepi këtij e atij, duke bërë shenjë përpara, djathtas e majtas”.(4) Pra, pasi të kesh mbaruar punët e tua jepi shokut, jepi komshiut, jepi të vobektit! Pra shpenzo me mend në kokë, aty ku duhet.

Bixhozi e zhvlerëson tërësisht këtë rregull të artë. Bixhozçiu, me këtë ves të ndyrë, i mohon fëmijës së tij mbathjen e ushqimin, i mohon prindit ilaçin e kurimin, i mohon gruas së tij rehatinë dhe gëzimin. Jo vetëm kaq, po u bëhet njerëzve ferrë në këmbë. Prej bixhozit, i merr komshiut e s’ja kthen, i merr vëllait e s’i flet, i merr shokut e bën bisht. Jo vetëm kaq, po sa e sa prej tyre bixhozi i kthen në hajdutë e kriminelë, në batakçi e të pabesë.

Feja e mëson njeriun t’i japë hakun kujtdo, ashtu siç e meriton, ndërsa bixhozi e mëson si t’u hyjë në hak të tjerëve, si t’i mashtrojë, si t’i zhvatë e t’i shkatërrojë. Pse pak njerëz e familje ka shkatërruar bixhozi!

Në kumar nuk ka të fituar. Edhe kur e fiton bastin, edhe kur fiton në lojë, ai prap i humbur është. Një bastexhi, paratë që i fiton sot, patjetër do t’i humbasë nesër. Bixhozi është ves i keq. Të paktë janë ata që fitojnë ndonjë herë me kumar. Edhe ato që i fitojnë prap në bixhoz i lejnë. Unë njoh njerëz që kanë fituar miliona dhe ato miliona ashtu siç i kanë fituar i kanë lënë. Biznesi i basteve dhe lojrave të fatit është ndërtuar me një mekanizëm të tillë që të zhvatë e të grabitë, ku padronët e mëdhenj zhvatin xhepat e viktimave të bixhozit gjer në qindarkën e fundit, pa keqardhje e pa mëshirë. I bëjnë të tjerët të luajnë bixhoz por vetë nuk luajnë, se ata janë të ndërgjegjësuar që bixhozi për ta është vetëm një biznes i artë fitimprurës.

Le ta zemë se e fiton bastin në një ndeshje futbolli. Çfarë fiton e çfarë humb? Fiton disa para me haram, që kurrë nuk i kanë duk, prej hundësh i dalin në dunja dhe dert do t’i ketë në botën tjetër. Në këmbim të kësaj humb një shok, humb një koleg, i mohon familjes së humbësit të ardhurat, i heq fëmijës së tij bukën nga goja, i privon prindit të humbësit gjumin, e fut një familje në sherr, e ndan një grua nga burri, e mbase mbase e kthen edhe një njeri në kriminel. Ky është realiteti i kumarit. Dielli nuk fshihet me shoshë.

Kumari mbjell vetëm armiqësi dhe urrejtje. Urren familjen, urren ditën kur ka luajtur, urren jetën ku jeton, urren ata që i kanë marrë paratë, urren çdo gjë, gjer edhe veten. E pse të paktë janë ata që i kanë dhënë fund jetës për shkak të bixhozit?!

Kjo është pikërisht ajo që dëshiron shejtani. Përhapja e armiqësisë dhe urrejtjes. Jo më kot Allahu thotë në Kuran: (Shejtani dëshiron të hedhë mes jush vetëm armiqësi dhe urrejtje përmes verës e bixhozit) Maide, 91.

Prandaj o njerëz! Bindijuni zotit dhe të dërguarit të tij! O njerëz! Mos dëgjoni djajtë me pamje njerëzish!  Ata vetëm helm nxjerrin nga goja. Janë nepërka që me gjuhën e tyre helmojnë.

O njerëz! Bindjuni zotit të shpëtoni! Mos ju bindni Alfredit e padronëve të mashtrimit! Ruajni vetet tuaja, ruajini familjet tuaja, ruajini pasuritë tuaja se janë mirësi e zotit dhe për to do të jepni llogari. Jeta është e bukur! Mos e shkatërroni me kumar! Prandaj kthehuni te zoti juaj me pendim që të gjeni rehati e shpëtim! Dyert e zotit janë gjithmonë të hapura për çdokënd.

____________________________

(1) E transmeton Buhariu në librin e shitblerjes, hadithi nr. 2072.

(2) E transmetojnë Buhariu, hadithi 1480, dhe Muslimi nr. 1042.

(3) E transmeton Tirmidhiu, hadithi nr. 2416.

(4) E transmeton Muslimi nr. 997.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit