2.6 C
Pristina
Monday, November 18, 2024

Biserko: Serbia është dashur ta njohë e para Kosovën

Më të lexuarat

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se Serbia është dashur të jetë vendi i parë që ta njohte Kosovën, si tregues se është e gatshme të pranojë realitetin e ri, të merret me zhvillimin e brendshëm dhe kështu të bëhet faktor në rajon.

“Serbia është dashur ta bëjë këtë moti dhe është dashur të jetë vendi i parë që ta bëjë këtë në kufijtë aktualë. Kjo pastaj e bën Serbinë aktor të rëndësishëm në rajon. Ky do të ishte një gjest që do të tregonte se Serbia është e gatshme të pranojë një realitet të ri, të merret me zhvillimin e vet dhe ta zhvillojë edhe rajonin. I tërë rajoni ka dyshime se çfarë dëshiron Serbia, kjo shihet edhe nga sjellja e saj në Kosovë, në Bosnje, në Kroaci”, ka thënë Biserko për televizionin N1 në Sarajevë.

Ka vlerësuar se Serbisë i konvenon “konflikti i ngrirë”, sepse vazhdimisht llogarit se kontesti ndërkombëtar do të ndryshojë në të mirë të saj dhe se koha do të dëshmojë se këto bashkësi nuk mund të jetojnë bashkë.

Sipas fjalëve të saj, Serbia tenton të kthejë gjendjen në të kaluarën, me hyrjen e Rusisë në rajon.

“Serbia më shumë u shërben interesave ruse sesa atyre serbe. Gjeografikisht, Serbia i takon Evropës, është e lidhur me rajonin – ndërsa vepron sikur nuk e sheh veten në rajon, vazhdimisht sheh aleanca me fuqi të mëdha, ndërsa në kohë të fundit i është kthyer grupit të Vishegradit, i cili ka probleme me vlera të caktuara të BE-së, si ksenofobinë, islamofobinë…”, është shprehur Biserko.

Sipas saj, Kosova është temë që nga vitet ’70 të shekullit të 20-të, ndërsa thotë se në Kosovë është hapur edhe çështja serbe në Jugosllavi.

“Në atë kohë veçse u konstatua se është mision i pamundur të dominohet popullata shqiptare në Kosovë duke e pasur parasysh numrin. Është tentuar gjatë të ’90-ave të shkohet me ndarje, me amputim. Lufta në Kosovë u bë për të zvogëluar numrin e shqiptarëve, të bëhet spastrim etnik, rreth 700-800 mijë shqiptarë u dëbuan, dokumentet e së cilëve u dogjën, në mënyrë që të mos mund të ktheheshin më vonë. Intervenimi i NATO-s ka penguar këtë lloj skenari, dhe kështu Serbia e humbi Kosovën në luftë”, tha Sonja Biserko.

Sipas fjalëve të saj, pas incidenteve në Kosovë më 2004, bashkësia ndërkombëtare solli kritere përmes së cilave do të zgjidhej statusi i ardhshëm i Kosovës, dhe kjo nënkuptonte se s’ka ndarje, se s’ka kthim në të kaluarën dhe s’ka bashkim të Kosovës me Shqipërinë.

“Shqiptarët, kosovarët, janë në shumicë kundër ndarjes. Këtë temë e potencon (presidenti i Kosovës Hashim) Thaçi, është i vetëm në këtë. Shoqëria është kundër. Shumica e serbëve janë kundër ndarjes. Sipas mendimit tim, mendoj se kjo është faza e fundit e shpërbërjes së Jugosllavisë, kështu duhet trajtuar kjo, e madje edhe bashkësia ndërkombëtare do të duhej të ndërmerrte këtë qëndrim, e në të njëjtën kohë të punojë në normalizimin e marrëdhënieve, ndërsa Beogradi sa më shumë të mbrojë komunitetin serb dhe qëndrimin e tyre në Kosovë. Ata përkrahin territore të caktuara, e jo njerëz. Ata mohojnë kontekstin multi-etnik i cili është i garantuar me kushtetutën tonë”, deklaroi Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko./koha.net

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit