2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Bisedimet në Bruksel, deklaratat e delegacioneve dhe draft dokumenti për zgjidhjen e çështjes së targave

Më të lexuarat

I dërguari nga Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, të mërkurën ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësuesit e Kosovës, Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq, për të diskutuar rreth temës së veriut dhe gjetjes së një zgjidhje pas tensionimit të situatës për shkak të reciprocitetit të targave.

Në Bruksel është finalizuar një draft dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq derisa Kosova ka pranuar një dokument të tillë, pala serbe ende jo.

Draft dokumenti është arritur me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, mirëpo të dyja delegacionet, ai i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët.

Në një shkrim në Twitter, Stano ka thënë se negociatat vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.

Takimi në Bruksel për targa, Bislimi: S’ka marrëveshje finale, pritet miratimi nga Serbia

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka njoftuar se është arritur një draft-marrëveshje sa i përket targave.

Sipas Bislimit, një draft marrëveshje e arritur me BE-në do të përfshijë aplikimin e “stikerave” të targave, tërheqjen e njësive speciale dhe barrikadave serbe, vendosjen e anëtarëve të KFOR -it në vendkalimet kufitare dhe formimin e një grupi pune për të adresuar çështjen e lëvizjes së lirë të automjeteve.

“Kemi tentuar të detyrojmë Serbinë që t’i largojë procedurat për qytetarët e Kosovës që të lëvizin drejt Serbisë. Dhe mendoj qe ky ka qenë rezultati i sot, mund të themi që është një marrëveshje.

Natyrisht që ne do të preferonim që mos të ketë asnjë barrierë dhe këto dy shtete sot të njohin në tërësi tabelat e vendeve tjera, ky do jetë edhe objektivi kryesor i grupit punues të cilin do ta themelojmë dhe i cili do të fillojë të takohet që nga data 21 tetor.

Ne kemi dakordim për të gjitha pikat. E vetmja pikë ku pala serbe ende nuk e ka dhënë pëlqimin ka të bëjë me veturat që kanë targa (KM – për Mitrovicën e Veriut), për të cilat ata mendojnë që nuk do të duhet të aplikoheshin stikersat, dhe mendoj që kjo është absurde për arsye se ato janë tabela ilegale”, u shpreh Bislimi në një lidhje direkte për televizionin publik.

Delegacioni i Serbisë në Bruksel: Ende s’ka një marrëveshje rreth krizës në veri të Kosovës

Kryenegociatori i Serbisë në bisedimet në Bruksel me Kosovën, Petar Petkoviq, të mërkurën ka përfunduar bisedimet dypalëshe me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, pak para orës 21:00.

Sipas mediave serbe, Petkoviq nuk dha deklarata për mediat dhe delegacioni i Beogradit në këto negociata nuk mund të konfirmonte nëse bisedimet në Bruksel do të vazhdojnë nesër.

Megjithatë, delegacioni i Beogradit ka konfirmuar se asnjë marrëveshje me palën e Prishtinës nuk ishte arritur gjatë bisedimeve të sotme.

Kjo u konfirmua edhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, dhe Ambasada amerikane në Prishtinë, të cilët thanë se negociatat po vazhdojnë në mënyrë që të arrihet një zgjidhje për krizën aktuale në veri të Kosovës.

SHBA: Ka progres në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, por negociatat vazhdojnë

Pas paralajmërimeve të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi se marrëveshja është afër me palën serbe, kanë ardhur reagimet e para nga bashkësia ndërkombëtare.

Ishte zëdhënësi i BE-së Peter Stano që reagoi i pari duke thënë se negociatat janë duke vazhduar, dhe se nuk ka ndonjë marrëveshje të arritur.

Pas Stanos, ka ardhur edhe reagimi i të ngarkuarit me punë në Ambasadën e ShBA-së në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe.

Ai përmes një njoftimi në Twitter ka thënë se përparim ka por negociatat mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel vazhdojnë.

“Pavarësisht raportimeve në media [për dakordim mes palëve], negociatat në Bruksel vazhdojnë. Është bërë përparim, por puna nuk është përfunduar. Ne inkurajojmë Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë të angazhohen seriozisht për një marrëveshje”, ka shkruar Nicholas J. Giacobbe.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës kishte vendosur reciprocitetin për targa me 20 shtator, duke thënë se Serbia për vite të tëra aplikon masë të njëjtë për automjetet me targa të Kosovës.

Sipas vendimit të gjitha automjetet me targa të Serbisë me të hyrë në Kosovë duhet t’i heqin ato dhe të pajisjen me targa të përkohshme, të lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Për këto targa të përkohshme shoferët detyroheshin të paguajnë pesë euro dhe vlefshmëria e tyre është dy muaj. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit