“Ne deklaruam gatishmërinë tonë për të vazhduar bisedimet në nivel politik të cilat do të çojnë në normalizim të marrëdhënieve diplomatike midis Arabisë Saudite dhe Iranit”, tha ministri i Jashtëm iranian, Abdollahian
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir‑Abdollahian tha se do të fillojnë “bisedimet publike politike” në negociatat për normalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite dhe se Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) së shpejti do të emërojnë një ambasador në Teheran, transmeton Anadolu Agency (AA).
Abdullahian lidhur me politikën e jashtme të vendit të tij në një program në televizionin shtetëror iranian tha se deri më tani në negociatat e nisura në prill të vitit 2021 për normalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite janë diskutuar çështjet e sigurisë. Ai tha se “Është bërë përparim në këto 5 raunde negociatash”.
Duke theksuar se ata morën një mesazh nga qeveria irakiane, e cila ndërmjetësoi negociatat, se Arabia Saudite ishte e gatshme t’i kalonte negociatat në “fazën e negociatave publike politike”, Abdullahian tha: “Ne deklaruam gatishmërinë tonë për të vazhduar bisedimet në nivel politik të cilat do të çojnë në normalizim të marrëdhënieve diplomatike midis Arabisë Saudite dhe Iranit”.
Ai thekson se kanë hyrë në një proces në të cilin do të rriten marrëdhëniet diplomatike me vendet e tjera fqinje të Gjirit, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajtin. “Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur të dërgojnë ambasador në Teheran. Ambasadori i EBA-së do të vijë së shpejti në Teheran. Kuvajti poashtu prezantoi ambasadorin e tij në Teheran. Ne ramë dakord që përfaqësuesi i ri i Kuvajtit të vijë në Teheran brenda disa ditëve”, tha shefi i diplomacisë iraniane.
Duke iu referuar negociatave bërthamore në të cilat u diskutua për rizbatimin e marrëveshjes bërthamore dhe kthimin e SHBA-së në marrëveshje, Abdullahian tha se teksti i marrëveshjes është gati në masë të madhe, por se SHBA-ja duhet të pranojë disa garanci dhe angazhime që Irani të ketë përfitime ekonomike nga marrëveshja.
Abdullahian tha se ata morën informacione se ish-sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, për të cilin ai tha se luajti rol në vrasjen e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani, shpenzoi 2 milionë dollarë për të mbrojtur veten për shkak të shqetësimeve për kërcënimet “hakmarrëse” të Iranit.
Sipas tij, autoritetet e SHBA-së angazhuan ndërmjetës për të adresuar këto shqetësime në një pjesë të negociatave, por ata e refuzuan këtë kërkesë. Abdullahian tha se vrasja e Soleimanit është ende e gjallë për ta dhe retorika e hakmarrjes është ende e vlefshme.