4.8 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Biseda telefonike ndërmjet presidentit francez Macron dhe kryeministrit Kurti, anëtarësimi në Këshill të Evropës dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe

Më të lexuarat

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti kanë zhvilluar të martën një bisedë telefonike, gjersa u tha se temë diskutimi ishte çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një njoftim të Presidencës franceze thuhet se Macron rikujtoi mbështetjen e palëkundur të Francës për pavarësinë dhe integrimin evropian të Kosovës.

Ai nënvizoi përkushtimin e tij për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në mbështetje të ndërmjetësimit evropian dhe bëri thirrje për zbatimin e plotë të marrëveshjeve Bruksel-Ohër.

Macron përshëndeti zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Megjithatë, ai nënvizoi rëndësinë që Franca i kushton aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe progresit të shpejtë dhe të pakthyeshëm në zbatimin nga autoritetet kosovare të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Presidenti francez po ashtu shprehu keqardhje për dështimin e votimit për revokimin e disa kryetarëve të komunave në veri të Kosovës.

Ai kujtoi se mbeti i domosdoshëm organizimi i zgjedhjeve të reja sa më shpejt të jetë e mundur, me pjesëmarrjen e popullatës serbe.

E lidhur me bisedën telefonike me presidentin francez, ka shkruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës ka theksuar besimin e tij se Franca do të qëndrojë në krah të Kosovës në Këshillin e Evropës pa kërkesa shtesë.

“Në një telefonatë me presidentin Macron, e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Francës për Kosovën dhe shpreha besimin tonë se Franca do të mbështesë Kosovën në Këshillin e Evropës, pa parakushte të mëtejshme, në përputhje me opinionin e Asamblesë së Këshillit të Evropës dhe votën historike”, ka shkruar Kurti në një postim në platformën X.

Ai shtoi se Macron ka insistuar në respektimin dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve ekzistuese.

Kjo zhvillim vjen pasi Kosova pret për t’u bërë pjesë e familjes së Këshillit të Evropës, një hap që do të theksonte përkushtimin e vendit për t’i përmbushur standardet evropiane dhe për të forcuar më tej legjitimitetin dhe pozitën e tij në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit