-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Biologjia dhe feja

Më të lexuarat

Sot, ndërkohë që prestigji i materializmit dhe ateizmit është në rënie, shkencëtarët po arrijnë të kuptojnë, gjithnjë e më shumë, se feja është aq thelbësore saqë nuk mund të braktiset. Njerëzimi nuk do të jetë i aftë të arrijë lumturinë pa atë. Por armiqtë e realitetit dhe të së vërtetës përpiqen akoma nëpërmjet shkencave fallso, të mbrojnë ateizmin. Por a bie ndesh feja me shkencën, siç pretendojnë ateistët? Kësaj pyetje mund t’i përgjigjemi duke iu referuar biologjisë. Nga të gjitha shkencat biologjia është më afër me fenë, pasi ajo ka lidhje me “jetën”.

Nga të gjitha krijesat e gjalla, njeriu është organizmi më kompleks dhe më i përsosur. Është pikërisht njeriu që zbuloi shkencën dhe diturinë dhe është ai që i çon ato drejt zhvillimit të mëtejshëm. Gjëja e parë, për të cilën edhe njeriu më i lashtë ka qenë kureshtar të dijë, është ajo e ekzistencës së tij si një krijesë e gjallë. Këtu ka diçka, të cilës ne nuk ia dimë natyrën, që i dallon të gjitha krijesat e gjalla nga realitetet e tjera ekzistuese, siç janë mineralet, shkëmbinjtë, uji, etj. Të gjitha krijesat e gjalla, njerëzit dhe kafshët kanë diçka të përbashkët.

Është plotësisht e natyrshme të besohet që të gjitha krijesat e gjalla t’i nënshtrohen të njëjtit ligj. Sundimtari që na imponon këtë ligj e manifeston fuqinë e Tij nëpërmjet atributeve dhe emrave të ndryshëm të Tij. Ai që na është paraqitur Vetë me emrin e Tij, Allah, ka shpallur edhe emrat e Tij të tjerë. Emri i Tij, El Haliku, pa dyshim që ka përparësi, mbasi do të thotë Krijuesi (i çdo gjëje). Më pas vijnë emrat të tjerë si Err Rrezaku, që do të thotë Furnizuesi (i pa masë), El Musauiru, që do të thotë Formëdhënësi, El Hafidhu, që do të thotë Ruajtësi apo Mbrojtësi, e shumë të tjerë.

Mjaft jobesimtarë janë përpjekur të paraqesin një shpjegim racional “shkencor”, për kalimin origjinal nga lënda inorganike në formën e jetës organike. Por edhe shkenca është gjithashtu subjekt i relativitetit. Filozofët, shkencëtarët, që nga grekët e lashtë e deri më sot, kanë shkruar qindra e qindra libra dhe kanë shpikur shumë teori rreth fillimit të jetës në tokë, por kjo ka qënë e vetmja që ata mund të bënin – të parashtronin teori dhe spekullime. Ata kanë ndjekur një rrugë të tërthortë, pasi deri më sot, asnjëri nuk ka dalë me ndonjë shpjegim, i cili i kundërvihet realitetit të shpallur në Kuran. Akti i krijimit dhe dhënies së jetës i përket vetëm Zotit. Kjo nuk është dhe as nuk mund të shpjegohet ndryshe. Kurani, libri i fundit i shenjtë, e ka ruajtur dhe mbrojtur origjinalitetin e vet. Një dëshmi e epërsisë së tij ndaj të gjitha filozofive dhe teorive është se asnjë nga hipotezat e pranuara, nuk bie ndesh me të vërtetat e Kuranit. Është inkurajuses fakti, se sot shumë shkencëtarë besojnë se feja ka rolin kryesor në shpjegimin e krijimit. Teoricienë e biologë në veçanti, janë duke u përpjekur të japin shpjegime të reja për prejardhjen e jetës në tokë, të cilat janë në përputhje me fenë.

Pavarësisht arritjeve dhe zhvillimeve të mëdha në fusha të tilla si inxhinieria gjenetike, biologjia molekulare, ADN dhe imunologjia, shkencëtarët akoma nuk janë në gjendje të mbyllin hendekun e madh midis materjes organike dhe asaj joorganike. “Jeta” mbetet mrekullia më e madhe e gjithësisë. Teoritë e gabuara të Darvinit dhe teoritë e tjera evolucioniste, që nuk pranojnë mrekullinë e krijimit, janë duke u hedhur poshtë njëra pas tjetrës.

Teoria e Heingsbergut mbi “indeterminizmin” (papërcaktueshmërinë) në mekanikën kuantike e shpartalloi tërësisht materializmin e në veçanti nocionin e “shkakut” dhe “pasojës”. Më vonë, filozofi amerikan Tomas S. Kuhn e çoi më përpara argumentin që nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë teori shkencore përfundimtare. Dhe kjo është e vërtetë, sepse përgjatë historisë është dëshmuar fakti, që të gjitha teoritë e kanë humbur “të vërtetën” e tyre dhe janë zëvëndësuar nga teori të reja.

Një model, një mënyrë e të shikuarit të një çështjeje ose një paradigmë, siç e quan Kuhni, zotëron çdo degë të shkencës për një periudhë kohe dhe pastaj i hap rrugën një tjetre. Sipas Kuhnit, nuk ka asnjë paradigmë të përsosur në asnjë degë të shkencave. Për shëmbull, një grup kërkuesish shkencorë fillojnë të punojnë në një fushë të caktuar, brenda paradigmës së tyre, duke përdorur metodat e tyre speciale. Me kalimin e kohës, arritjet në këtë fushë bëhen të pranueshme, pothuajse prej të gjithëve. Më pas, pikërisht ata hulumtues që ishin përkrahësit më të fortë të paradigmës së tyre, përpiqen ta zhvillojnë atë sa të munden më tej. Dhe kështu, fillon një periudhë e përzgjedhjeve dhe shoshitjeve të problemeve dhe hulumtuesit procedojnë për zbulime të reja brenda paradigmës së tyre. Kuhni thotë se kjo është një etapë në të cilën progresi shkencor është bërë pa ndërprerje. Pas një farë kohe hulumtuesit ndeshën përballë të dhënave të reja, të cilat bien ndesh me paradigmën e tyre, pikërisht sepse të gjitha paradigmat kanë kufinj të përcaktuar. Për këtë shkak, nuk ka asnjë paradigmë në të cilën të përfshihen të gjitha njohuritë shkencore në çdo kohë. Ato argumenta të shkencëtarëve që nuk mund t’i përshtaten paradigmës së parë, vazhdojnë të përpunohen, derisa dikush, të gjejë një paradigmë të re, që mund të pranojë faktet e reja.

Deri tani, të gjitha teoritë e paraqitura si paradigma kanë arritur të shpjegojnë vetëm një pjesë të realitetit apo të fakteve. Këto paradigma jo se kanë qënë krejtësisht të gabuara, por ato asnjëherë nuk kanë qenë plotësisht të drejta. Për shembull, disa fenomene natyrale mund të shpjegohen akoma me fizikën e Aristotelit, ndërsa në të shumtën përdorim për shpjegimin e tyre ligjet e Njutonit ose në disa kushte, teorinë e relativitetit të Ajnshtajnit.

Sidoqoftë, njeriu nuk mund të mbyllë sytë përpara të vërtetës së krijimit dhe si një struc të fshehë kokën e tij në rërë.

Shkencëtari i dëgjuar, filozofi Karl Poper, ka një pikpamje të ndryshme lidhur me këtë çështje. Ai e përcakton se sa e drejtë është një teori duke kontrolluar, nëse ajo ka boshllëqe apo mungesa faktesh, që kërkohen për ta plotësuar atë. Duke u nisur nga kjo ai pohon: “Darvinizmi nuk është një teori shkencore.”

Ajo që mund të nxjerrim nga idetë e Poperit ose teoria e paradigmave e Kuhnit, është se realiteti nuk mund të shpjegohet plotësisht nga teoritë shkencore. Shkenca mund të ndriçojë vetëm disa fakte të fshehura të gjithësisë.

Nikolla Maksvelli është i mendimit se shkenca nuk mund të përparojë vetëm duke rritur numrin e eksperimenteve të bëra për secilën teori. Për të shpjeguar pastërtinë dhe bukurinë e natyrës, shkencëtarët duhet t’i paraqesin teoritë e tyre aq qartë sa është e përsosur natyra. Por a është e mundur të gjendet një teori e tillë? A duhet njeriu të lërë menjanë të vërtetën mbi krijimin, e cila shpjegon çdo gjë dhe të humb në labirintet e teorive?

Kur’ani shpjegon prejardhjen e jetës, bilancin ekologjik në natyrë, zhvillimin e embrionit dhe shumë fakte të tjera në mënyrë kaq të qartë, saqë çdo biolog që e lexon atë nuk ka përse të mos përulet para Allahut e ta adhurojë Atë.

Shkencëtarët e vërtetë do ta lexojnë dhe do ta respektojnë Kuranin, sepse deri tani asnjëri nuk ka konstatuar ndonjë gabim në njohuritë që ai përmban. Kurani është Fjala e Zotit, pra nuk mund të gabojë.

Përgatiti: Erion Sula/klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit