2.8 C
Pristina
Thursday, November 14, 2024

Bilanci tragjik: 717 viktima në pelegrinazhin e Haxhit, 805 të tjerë të plagosur

Më të lexuarat

Të paktën 717 persona kanë humbur jetën dhe 805 të tjerë janë plagosur nga një rrëmujë gjatë pelegrinazhit të Haxhit në Mina, rreth 5 km larg Mekës.

Lajmin e pohojnë zyrtarë sauditë, të cilët shtojnë se në zonën e kthyer në skenën e tragjedisë, ku mbizotëron kaosi, janë dërguar me urgjencë rreth 4 mijë punonjës të ndihmës së shpejtë dhe mbi 220 auto ambulanca për t’u ofruar ndihmë të lënduarve.
Fatkeqësia ka ndodhur në Mina, që ndodhet midis Mekës dhe kodrës së Arafatit. Mina është një vend ku pelegrinët kalojnë shumicën e kohës duke kryer ritualet.
Atje në mënyrë simbolike hidhen guralecë në drejtim të djallit. Në Haxh ndodhen edhe mijëra shqiptarë nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova, por informacionet flasin se në mesin e viktimave apo të lënduarve nuk ka pelegrinë nga Maqedonia.
“Nga udhëheqësia e Haxhit në nivel të Bashkësisë Islame të RM-së kemi raport që haxhinjtë e RM-së nuk janë kapur nga kjo fatkeqësi fare. Të gjithë haxhinjtë janë shëndosh e mirë, janë vendosur në hotelet e tyre tani, nuk janë as në Arafat e as në Mine dhe asnjë haxhi nuk ka qëlluar në vendin e fatkeqësisë”- tha kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Edhe Ilir Hoxholli, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri, nga qyteti i shenjtë i Mekës  ka deklaruar se s’ka asnjë shtetas të Shqipërisë viktimë në këtë fatkeqësi.
“E gjithë rruga e përshkruar nga shqiptarët nuk ka të bëjë fare me trajektoren ku ka ndodhur tragjedia. Ata kanë respektuar të gjithë itenerarin dhe janë shëndosh e mirë”- theksoi nga Meka Ilir Hoxholli, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet.
Po ashtu, Bashkësia Islame e Kosovës ka bërë të ditur se të gjithë pelegrinët kosovarë që kanë shkuar në Haxh janë shëndosh e mirë.
Aktualisht mbi 2 milionë pelegrinë ndodhen në Mekë për të plotësuar kushtin e pestë të islamit, Haxhin.
Ndërsa ky nuk ishte incidenti i vetëm këtë vit, pasi nga rënia e një vinçi një javë më parë gjetën vdekjen mbi 100 pelegrinë, që për momentin gjendeshin në vizitë në Xhaminë e Madhe.
Vetëm dy ditë më pas, nga zjarri në një hotel u evakuuan 1000 pelegrinë, por për fat të mirë fatkeqësia e dytë përfundoi pa viktima.
Ndërsa incidente të ngjashme ka pasur edhe në të kaluarën.
Në vitin 2006, një incident i ngjashëm shkaktoi vdekjen e 364 pelegrinëve në Mekë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit