1.3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Biden: Pse u tërhoqa nga rikandidimi

Më të lexuarat

Fjalëmbajtja nga Zyra Ovale pas një akti tërheqjeje

Presidenti i SHBA Joe Biden tha, në fjalimin e tij të parë publik pas tërheqjes nga gara presidenciale kundër Donald Trump, se ai hoqi dorë nga mandati i tij i dytë për shkak të shqetësimeve për të ardhmen e vendit, duke “ia dorëzuar pishtarin një brezi të ri”.

Në fjalimin e tij në Zyrën Ovale, presidenti aktual iu referua paraardhësve të tij Thomas Jefferson, George Washington dhe Abraham Lincoln, ndërsa foli për gjysmë shekulli të kaluar në poste të shumta publike.

“Kam respekt dhe vlerësim të madh për këtë zyrë, por e dua më shumë vendin tim,” tha ai.

Për javë të tëra, Biden i ka rezistuar presionit nga demokratët për t’u tërhequr nga gara presidenciale, pas një performance katastrofike në një debat të 27 qershorit me Donald Trump. Në një moment, ai madje deklaroi se “vetëm Zoti i madhërishëm mund ta bindë atë të largohet”.

Megjithatë, pasi sondazhet e brendshme treguan se ai mund të humbiste nga Trump në zgjedhjet e nëntorit dhe të ndikonte në rezultatin e dobët të Partisë Demokratike, ai vendosi të tërhiqet.

“Vendosa t’ia kaloj pishtarin brezit të ri. Kjo është rruga më e mirë përpara dhe mënyra më e mirë për të bashkuar kombin tonë”, tha Biden.

“Ruajtja e demokracisë”

Në fjalimin 11-minutësh, ai përmendi vazhdimisht rrezikun që u kanoset amerikanëve pas 5 nëntorit, duke iu referuar mundësisë së fitores së Trump, megjithëse nuk tha emrin e tij.

Duke u tërhequr nga gara, theksoi Biden, ai dëshiron të ndihmojë në “shërimin e plagëve” në Partinë Demokratike dhe të bashkojë demokratët për të fituar zgjedhjet.

“Asgjë nuk mund të pengojë ruajtjen e demokracisë sonë”, tha ai.

Gjëja më e mirë për Amerikën është se ajo nuk qeveriset nga mbretër apo diktatorë, por nga njerëzit. Historia është në duart tuaja. Fuqia është në duart tuaja. Fati i këtij vendi është në duart tuaja”, vuri në dukje presidenti amerikan.

Përveç Bidenit, në Zyrën Ovale, jashtë rrethit të kamerave ishin edhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe këshilltarët e lartë.

Presidenti i fundit në detyrë që nuk kandidoi për rizgjedhje ishte Lyndon Johnson në vitin 1968, kur ai u tërhoq papritur nga fushata mes kritikave të ashpra ndaj Luftës së Vietnamit.

Lista e presidentëve që nuk kërkuan një mandat të dytë përfshin gjithashtu James K. Polk, James Buchanan, Rutherford B. Hayes, Calvin Coolidge dhe Harry Truman.

Pjesa tjetër e mandatit

Ndërsa në fund të qershorit disa demokratë vunë në dyshim aftësitë njohëse të Biden, shumë anëtarë të partisë tani po shkruajnë lavdërime për karakterin e tij dhe rezultatet e mandatit të tij presidencial, pasi Biden ndërkohë njoftoi se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë në janar të vitit të ardhshëm.

“Askund tjetër në botë një fëmijë belbëzues, një fëmijë me fillime modeste në Pensilvani dhe Delaware, nuk mund të arrinte në Zyrën Ovale si President i Shteteve të Bashkuara. Por ja ku jam, jam këtu”, tha Biden.

Në muajt në vijim ai do të fokusohet në pjesën tjetër të mandatit. Në fjalimin e tij, Biden premtoi të forcojë aleancën e NATO-s, të ndalojë presidentin rus Vladimir Putin të marrë kontrollin e Ukrainës, të ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim në Gaza dhe të shtyjë për reformën e Gjykatës së Lartë.

Fjalimin e fundit në Zyrën Ovale, para këtij, Biden e mbajti më 15 korrik, kur u bëri thirrje amerikanëve të moderonin retorikën politike, pas atentatit ndaj Donald Trump.

Karriera politike e Bideon filloi në vitin 1972 kur ai u zgjodh në Senat në moshën 29-vjeçare, duke u bërë kështu senatori i gjashtë më i ri. Mandati i tij në Shtëpinë e Bardhë përfundon zyrtarisht më 20 janar 2025, si presidenti më i vjetër amerikan që do të jetë deri atëherë 82 vjeç.

“Mbrojtja e demokracisë është më e rëndësishme se çdo titull,” tha ai. “Unë marr forcë dhe gjej gëzim duke punuar për popullin amerikan. Por kjo detyrë e shenjtë për të përsosur vendin tonë nuk është më në dorën time. Varet nga ju dhe familjet tuaja”, tha Biden. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit