Gjatë takimit online mes presidentit të Shteteve të Bashkuara (SHBA) Joe Biden dhe liderëve transatlantikë u diskutua përkushtimi i ShBA-së dhe NATO-s për integritetin territorial të Ukrainës përballë një pushtimi të mundshëm rus dhe sanksionet e mundshme kundër Moskës.
Sipas një deklarate me shkrim nga Shtëpia e Bardhë, në videokonferencën e udhëhequr nga presidenti amerikan Biden morën pjesë kryeministri britanik Boris Johnson, kryeministri kanadez Justin Trudeau, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministri italian Mario Draghi, sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, presidenti polak Andrzej Duda dhe presidenti rumun Klaus Iohannis.
Gjatë takimit, i cili siç u tha zgjati 1 orë e 20 minuta, u diskutua në detaje për rritjen e aktivitetit ushtarak të Rusisë në kufirin me Ukrainën.
Pjesëmarrësit në takim shprehën edhe një herë vendosmërinë për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Duke vënë në dukje rëndësinë e rrugës diplomatike për zgjidhjen e krizës, liderët deklaruan se në rast të një pushtimi të mundshëm të Ukrainës nga Rusia, do të vendosen sanksione të rënda ekonomike ndaj Moskës, krahu lindor i NATO-s do të forcohet ushtarakisht dhe do të vazhdojë mbështetja që i jepet Ukrainës.