2.1 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Biblioteka e Kudsit Lindor ofron dorëshkrime përpara krijimit të Izraeli

Më të lexuarat

Koleksioni i bibliotekës përmban libra, korrespondencë, dekrete osmane dhe gazeta, si dhe një libër që daton nga shekulli i 10-të.

Një bibliotekë në Jerusalemin (Kudsin) Lindor të pushtuar ofron një vështrim të rrallë në historinë palestineze me thesarin e saj të dorëshkrimeve që datojnë qindra vjet përpara krijimit të Izraelit.

Në Bibliotekën Khalidi në qytetin e vjetër të rrethuar me mure, Rami Salameh inspekton me mjeshtëri dorëshkrimet e dëmtuara si pjesë e përpjekjes për të restauruar dhe digjitalizuar dokumentet historike palestineze.

“Dorëshkrimet variojnë nga jurisprudenca te astronomia, biografia e Profetit (Muhamedit) dhe Kurani”, thotë restauruesi i stërvitur në Itali, ndërsa manovron me kujdes një furçë të thatë mbi një tekst të brishtë të gramatikës arabe.

Nga punishtja e tij e vogël, ai lëshon një psherëtimë lehtësimi, duke arritur në përfundimin se nuk do të jetë e nevojshme të trajtohet dokumenti 200-vjeçar për çngjyrosje si pasojë e oksidimit.

Duke punuar vetëm, Salameh ka restauruar tashmë 1.200 faqe mbi një duzinë dorëshkrimesh që u përkasin bibliotekave private palestineze gjatë dy viteve e gjysmë të fundit.

Artikujt datojnë rreth 300 vjet, nga periudha osmane.

Shumica e dorëshkrimeve vijnë nga vetë Biblioteka Khalidi, koleksioni më i madh privat i dorëshkrimeve arabe dhe islame në territoret e pushtuara palestineze.

Gjithashtu, në raftet e tij ka libra persiane, gjermane dhe franceze, duke përfshirë një koleksion mbresëlënës titujsh nga shkrimtari francez Victor Hugo.

Një vështrim në histori

E vendosur në qytetin e vjetër pranë njërës nga hyrjet e kompleksit të xhamisë Al Aksa, biblioteka u themelua nga gjykatësi palestinez Raghib Al Khalidi në vitin 1900.

Nga ndërtesa e saj kryesore, e cila ka pamje nga Muri Perëndimor, sulltanët ndërluftues thuhet se luajtën një rol në çlirimin e Jerusalemit nga Kryqtarët (e luftës së Kryqëzatave) në shekujt XII dhe XIII.

Koleksioni përmban libra, korrespondencë, dekrete osmane dhe gazeta, duke përfshirë dokumente nga familja me ndikim Khalidi.

Ato ofrojnë një pamje të pasur të jetës së kaluar në qytetin e shenjtë, me librin më të vjetër që daton që nga shekulli i 10-të.

“Ne kemi dorëshkrime që flasin për statusin kulturor dhe social të popullit të Jerusalemit dhe ky është një tregues i pranisë së palestinezëve këtu për shekuj”, thotë bibliotekari Khader Salameh, babai i restauruesit që menaxhon koleksionin.

“Përmbajtja e bibliotekës mohon pretendimin sionist se ky vend ishte bosh,” shtoi ai, duke iu referuar refrenit të zakonshëm se toka ishte e papopulluar përpara krijimit të Izraelit në vitin 1948 dhe dëbimit me forcë të mbi 750.000 palestinezëve.

Familjet dhe institucionet palestineze në Jerusalemin Lindor janë dëbuar shpesh për t’u hapur rrugë vendbanimeve izraelite që kur Izraeli pushtoi zonën, duke përfshirë Qytetin e Vjetër, në Luftën Gjashtëditore të vitit 1967, i konsideruar si i paligjshëm nga OKB-ja dhe komuniteti ndërkombëtar.

Një pjesë e bibliotekës u kap nga kolonët izraelitë për të ndërtuar një shkollë fetare hebraike, ankohet bibliotekari.

Administrata e bibliotekës bëri një betejë të gjatë ligjore për të luftuar vendbanimin, por nuk arriti të parandalonte sekuestrimin e një pjese të tij.

Khader Salameh tha se rezultati mund të kishte qenë shumë më i keq dhe e gjithë prona e marrë nga kolonët, po të mos ishte për mbështetjen që ata morën.

“Intelektualët izraelitë mbështetën administratën e bibliotekës dhe dëshmuan në gjykatë në favorin tonë,” vuri në dukje ai.

Dorëshkrime delikate

Prej atëherë, biblioteka ka vazhduar të ruajë trashëgiminë kulturore në Kudsit Lindor të pushtuar nëpërmjet restaurimit dhe digjitalizimit të tyre, me mbështetjen e organizatave vendase dhe ndërkombëtare.

“Ne i kapim dokumentet me saktësi shumë të lartë pa e ekspozuar letrën në dritë, pasi dorëshkrimet janë shumë delikate dhe duam t’i ruajmë ato për aq kohë sa të jetë e mundur,” thotë Shaimaa al Budeiri, një oficer i arkivit digjital.

E rrethuar nga qindra libra dhe pajisje në zyrën e saj, ajo pastron faqet përpara se t’i vendosë ato për t’i fotografuar dhe për t’i ngarkuar imazhet në kompjuterin e saj.

Deri më sot, Budeiri ka fotografuar rreth 2,5 milionë faqe dorëshkrime, gazeta, libra të rrallë dhe dokumente të tjera nga katër bibliotekat private në Jerusalem.

Ajo thotë se digjitalizimi është rruga përpara, pasi u mundëson studiuesve qasje nga distanca në arkivin e bibliotekës.

TRT Balkan / agjencitë

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit