Sot, biblioteka e Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, është pasuruar me një pjesë të librave të vjetër të Mulla Halil ef. Krasniqit, i njohur në popull si Mulla Halil Grashtica. Këta libra janë dhuruar nga djali i tij, haxhi Kadri Krasniqi dhe stërnipi i hoxhës, prof. Jakup ef. Çunaku.
Këta libra janë një thesar i çmuar që tregojnë historinë e hoxhallarëve tanë të vjetër, dhe janë të fushave të ndryshme, si fikh, tefsir, hadith, por edhe dorëshkrime të vjetra të mevludeve, kasideve e ilahive të ndryshme.
Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame, prof. Sabri ef. Bajgora, ka falënderuar përzemërsisht haxhi Kadri Krasniqin dhe prof. Jakup ef. Çunakun për dhurimin e këtyre libra për bibliotekën e Institutit.
Biografi e shkurtër
Mulla Halil ef. Krasniqi (1910-1996)
Mulla Halil ef. Krasniqi lindi më 1 qershor 1910 në fshatin Grashticë të Prishtinës nga babai Kadriu dhe nga nënë Zyhrija. Në vitin 1928 regjistrohet në Medresenë e Prishtinës, të cilën e përfundoi në vitin 1941, për të marrë ixhazetnamenë nga myderrizi i asaj kohe, haxhi Hamdi ef. Ibrahimi. Pas kësaj, për një periudhë shërbeu si imam Ramazani në fshatin Pantinë të Vushtrrisë, ndërkaq në vitin 1950, emërohet nga Kryesia e Fesë Islame të Prishtinës, si imam në fshatin Dumnicë e Epërme. Aty shërbeu deri në vitin 1957, ku në atë vit u emërua si imam në fshatin Dobrajë e Madhe, për të shërbyer deri në vitin 1978, kur edhe u pensionua. Mulla Halil ef. Krasniqi vdiq në vitin 1996.
Lusim Zotin e Madhëruar që ta ketë shpërblyer me mirësitë e Tij në botën tjetër dhe ta gradojë me Xhenet!
/Institutit për Hulumtime dhe Studime Islame/