0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Betlehemi dhe Nazareti: dy qytetet e shenjta kristiane që jetojnë në paqe nën administrimin e arabëve palestinezë

Më të lexuarat

E përditshmja italiane La Repubblica, ka bërë një reportazh të posaçëm mbi atmosferën përpara festës së Krishtlindjeve në qytetin e shenjtë të Betlehemit, aty ku ka lindur Jezu Krishti, ose Profeti Isa sipas versionit kuranor.

La Repubblica është nxitur për reportazhin e saj nga një grup restauratorësh italianë që kanë rinovuar “Kishën e Lindjes” në Betlehem, vend ku vijnë çdo fundvit, më shumë se 1 milionë e gjysëm pelegrinë nga e gjithë bota.

Betlehemi ndodhet në pjesën e Cisjordanisë edhe është e administruar nga shteti i Palestinës. Kryetare e Bashkisë është një zyrtare e lëvizjes Al Fatah të Presidentit Mahmut Abas dhe i përket besimit të krishterë.

Giammarco Piacenti, kreu i ndërmarrjes toskane që po merret me restaurimin e “Kishës së Lindjes”, deklaron për La Repubblica, se “ajo çfarë më bën të reflektoj, është atmosfera paqësore këtu në Palestinë. Ndërsa në Lindje të Mesme ka luftë dhe dhunë, këtu gjithçka shkon në harmoni të plotë dhe atmosferë festive”.

“Kisha e Lindjes” u ndërtua në kohën kur tokat e shenjta ishin nën administrimin e Bizantit, përkatësisht nga Perandori Kostandin dhe e ëma e tij Elena. Piacenti thekson se ata kanë restauruar rreth 2800 metër katror mur të kishës, 20 ton dru antik dhe 55 mijë pllaka druri të çatisë.

“Kisha e Lindjes” është shpallur si pasuri e mbrojtur nga UNESCO dhe konsiderohet si “pasuri e njerëzimit”. Por Izraeli është kundër këtij vendimi, pasi e konsideron jo si pjesë e trashëgimisë hebreje.

Politika ortodokse e Netanjahut dhe aleatëve të tij të djathtë synojnë që të hebreizojnë çdo gjë në jetën e vendit, ndërkohë që të gjitha territoret e tokave të shenjta janë pjesë e trashëgimisë historike të tre besimeve; por që nga ana tjetër kanë dhe dëshmi të disa qytetërimeve botërore, si ai babilonas, asirian, bizantin, arab, osman etj.

Betlehemi ka 30 mijë banorë. Qyteti mbahet me turizmin, kryesisht në pjesën e fundvitit kur vijnë pelegrinë nga e gjithë bota. Vera Baboun është kryebashkiakja e qytetit, një zyrtare e partisë që qeveris Cisjordaninë por edhe Autoritetin Palestinez.

Ajo thotë se barrikada prej betoni që ka vendosur Izraeli në hyrje të Bregut Perëndimor ka ndikuar që qyteti të vuajë nga papunësia dhe zhvillimi i ulët ekonomik.

Baboon thekson se vendimi i Trump thjesht ka “trimëruar Netanjahun dhe njerëzit e tij që të pushtojnë territore e të avancojnë në terrene, burime uji dhe më pas të dobësojë arabët”

Restauratorët italianë kanë hyrë në konflikt me zyrtarët e Ministrisë së Jashtme të Izraelit, pasi ata i akuzojnë se po merren vetëm me artefaktet e “Mbretërisë së Jeruzalemit”, periudhë historike kur tokat e shenjta drejtoheshin nga kryqtarët kristianë që i pushtuan dhe më pas ua dorëzuan qytetin Salaudinit të famshëm.

“Kisha e Lindjes” është një nga vendet historike më antike, pasi është ngritur mbi rrënojat e një tempulli pagan të periudhës së perandorit romak Adrian. Muri që ndan Betlehemin me pjesën tjetër të botës është 8 metra i lartë, i elektrifikuar, si dhe i ruajtur me ushtarë. Nazareti, është një tjetër qytet i shenjtë për kristianët, pasi ka qenë vendi ku kishte origjinën familja e Jezu Krishtit. Ai nuk ndodhet në territorin palestinez, por në veri të Izraelit dhe është pjesë e shtetit hebre.

Nazareti është një qytet me 75 mijë banorë, ku shumica dërrmuese e të cilëve janë muslimanë. Nazareti është qytet i zhvilluar ekonomikisht dhe ai ka marrë emrin si “Silicon Valley arab”, pasi aty ndodhen kompani të rëndësishme të teknologjisë së lartë.

Kryebashkiak i qytetit është arabo-muslimani Ali Salami, i cili ka marrë një vendim drastik pas njohjes nga Trump të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit: ka fikur pemën e Krishtlindjeve në qendër, ceremoni që organizohet nga bashkia.

“Nuk është koha të festojmë. Ai vendim është një ogur i keq për të gjithë ne. Nazareti është një qytet i paqes dhe i mirëkuptimit. Ne jemi me shumicë muslimane, por këtu kristianët festojnë çdo rit të tyre në mënyrë publike nga bashkia e qytetit që drejtohet nga ne.

Shkojmë mirë me njëri-tjetrin dhe kjo situatë na ka pikëlluar. Ndaj dhe kemi menduar që të japim një shenjë të protestës sonë”, thotë Ali Salam, kryebashkiaku i Nararetit.

Përgatiti: Ylli Pata – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit