Franca, Italia, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë thirrje që të mos ketë veprime të cilat mund të rrisin tensionet në veri.
Përmes një njoftimi, u është bërë thirrje të gjithë aktorëve që urgjentisht të punojnë së bashku, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme në katër komunat në veri.
Sipas tyre, këtu përfshihet edhe procesi i betimit të kryetarëve të rinj, pas siç thonë ata, nuk ka kërkesë që betimi të bëhet në zyrat komunale.
“Nuk duhet të ketë veprime apo iniciativa – përfshirë kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale – që nuk i shërbejnë popullit ose që mund të rrisin tensionet. Kjo përfshin ushtrimin e më shumë se kompetencave administrative dhe procesin e marrjes së detyrës pasi nuk ka kërkesë që kryetarët e komunave të bëjnë betimin në zyrat komunale. Të gjitha palët duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose veprimet që ndezin tensionet ose nxisin konfliktin”, thuhet në njoftim.
Tutje, potencohet se QUINT-i mbështet dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “duke përfshirë nevojën për progres urgjent për krijimin e Komunitetit/Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”./Telegrafi/