0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Beteja madhështore e Jermukut

Më të lexuarat

Numri i ushtrisë muslimane kishte arritur deri në njëzet e shtatë mijë luftëtarë, ndërsa e ushtrisë së krishtere njëqind e njëzet mijë.
Këshilltarët u shqetësuan dhe i dërguan letra Ebu Bekrit, për ta njoftuar për gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin dhe për të kërkuar përforcime. Ebu Bekri ua ktheu duke u thënë: Bashkohuni dhe bëhuni një trup i vetëm, sepse ju jeni ndihmësit e fesë së Allahut. Allahu e ndihmon atë që ndihmon fenë e Tij, dhe e përçmon atë që mohon fenë e Tij prandaj dijeni se askush nuk do arrijë t’ju mundë edhe pse jeni më pak. Unë ju këshilloj gjithashtu që t’u largoheni gjynaheve sepse ato janë fillimi i disfatës. Më pas Ebu Bekri tha: Pasha Allahun se do t’ua largoj të krishterëve vesveset e shejtanit me Halid bin Uelidin.
Ai i dërgoi një letër Halidit, ku e urdhëronte të vinte në Sham me ushtrinë e tij dhe nëse do arrinte, të merrte komandën e të gjithë ushtrisë muslimane.
Si zëvendës të tij në Irak, Halidi caktoi Muthena bin Harithin dhe u nis me nxitim drejt Shamit. Ai kishte me vete nëntë mijë e pesëqind luftëtarë dhe me ta kaloi nëpër rrugë që nuk i kishte shkelur askush para tij me qëllim që të arrinte sa më shpejt. Si udhërrëfyes kishte marrë Nafi bin Umejra Et-taij.
Toka në të cilën kalonte Halidi me ushtrinë e tij, ishte shumë e thatë. Kur u mbaroi uji, ata therën devetë për t’u dhënë kuajve ujin që ndodhej në barqet e tyre dhe atje mundën të arrinin për pesë ditë. Para se të nisej, Halidit i kishte thënë një beduin arab: Nëse arrin pas pesë ditësh te filan pemë, dije se ke shpëtuar ti dhe ata që janë me ty, në të kundërtën humbe ti dhe ata që janë pas teje.
Një i krishterë, i cili kishte dalë të përgjonte lajmet e ushtrisë muslimane, u kthye tek ushtria e tij dhe u tha: Pashë disa njerëz që natën luteshin dhe ditën ishin kalorës të rrallë. Pasha Zotin, sikur djali i sundimtarit të tyre të vidhte apo të bënte imoralitet, ata do ta zbatonin ligjin kundër tij. Komandanti, kur i dëgjoi fjalët e tij, tha: Pasha Zotin se nëse është e vërtetë kjo që thua, atëherë barku i tokës është më i mirë për ne sesa shpina e saj.
Kur Halidi u kthye nga Iraku takoi, një arab të krishterë, i cili i tha: Sa i madh është numri i të krishterëve dhe sa i vogël është ai i muslimanëve! Halidi ia ktheu: Mjerë për ty! Po më frikëson me numrin e romakëve? Me të vërtetë që luftëtarët janë shumë kur fitojnë dhe janë pak kur humbasin, pra fitorja nuk varet nga numri i tyre. Pasha Allahun, do të doja që Eshkari (emri i kalit të tij) të shërohej sa më shpejt dhe ata ta shtonin numrin akoma më shumë.
Mahani (komandanti i romakëve) kërkoi të takohej me Halidin. Kur u takuan, Mahani i tha: “Na kanë njoftuar se arsyeja që keni dalë nga vendi juaj, është skamja dhe varfëria prandaj ejani tek unë, sepse do t`i jap çdo personi nga dhjetë dinarë. Gjithashtu, pasi t’ju furnizoj me ushqime e veshmbathje, kthehuni andej nga keni ardhur; kështu do të jetë edhe për vitet në vazhdim.”
Kur i dëgjoi këto fjalë, Halidi tha: “Ne nuk kemi dalë nga vendi ynë për shkak të asaj që përmende, përkundrazi, ne jemi një popull që e pijmë shumë gjakun dhe na kanë njoftuar se nuk ekziston gjak më i mirë se ai i romakëve, prandaj erdhëm ta provojmë.” Menjëherë pas ndarjes së Halidit me Mahanin, trimat dolën në fushëbetejë dhe lufta u ndez në maksimum. Romakët erdhën me kryqe të ngritura lart dhe bënin një lloj zhurme shumë të bezdisshme, ndërsa priftërinjtë dhe murgjit i nxisnin për luftë. Numri dhe përgatitja e tyre ishte në nivelet më të larta.
Muslimanët përgatitën një sulm të përgjithshëm e të vrullshëm, duke i bërë romakët që të largoheshin nga fushëbeteja. Kjo betejë përfundoi me një fitore të bujshme për muslimanët dhe me një humbje trishtuese për romakët.

Trimëri të rralla

Gjatë kësaj lufte u ngrit Ikrima dhe tha: E kam luftuar të dërguarin e Allahut në shumë vende dhe sot prisni t’ju kthej shpinën?!! Pastaj thirri: Kush më jep besën që do të luftojë deri në vdekje?
Atij iu përgjigj xhaxhai, Harith bin Hisham dhe Dirar bin Ezver. Me ta shkuan gjithashtu edhe katërqind kalorës muslimanë, të cilët luftuan me një ndjenjë të zjarrtë derisa shumë prej tyre u vranë.
Disa historianë kanë thënë se kur ata u plagosën, kërkuan të pinin ujë. Kur ua sollën, secili prej tyre u jepte përparësi shokëve para vetes derisa vdiqën të gjithë dhe askush nuk mundi të pinte. Në këto kushte, muslimanët arritën të merrnin kishën e Johanës dhe e ndanë në dy pjesë, njërën prej tyre e bënë xhami, ndërsa tjetrën kishë. Edhe sot e kësaj dite ajo njihet si ”Xhamia e Damaskut”.

“Faqe nga Historia” Othman el Hamijs

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit