-1.2 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Beteja e vërtetë e gruas

Më të lexuarat

Një nga rregullat që përbën idetë moderne në edukimin islam është fjala e Ali ibën Ebu Talibit radijallahu anhu: “Mos i mësoni fëmijët sipas traditës tuaj, sepse ata janë krijuar për një kohë ndryshe nga koha juaj.” Pavarësisht koherencës, ecurisë bashkë me shpirtin e kohës, vizionit moderues që gërsheton thelbin e Islamit me avancimin e kohës dhe shmangies nga zakoni, që thotë: “Me këtë mendim i gjetëm baballarët tanë”, përsëri edukatorët e kanë kuptuar dhe praktikuar shtrembër këtë thënie. Për këtë arsye ne jemi kthyer në baballarë dhe nëna që përpiqemi të sigurojmë të gjitha kushtet e rehatisë, dëfrimit, studimit jashtë, klubeve kulturore dhe të gjitha mjetet e teknologjisë për fëmijët tanë në mënyrë që ata të mosjenë të përjashtuar dhe ndryshe nga fëmijët e tjerë të kohës së tyre.

 

E gjitha kjo kryhet pa e shoqëruar këtë bujari të gjerë për të siguruar mjetet dhe kushtet me një metodologji edukuese, duke shikuar me kujdes përfitimet e pasojat dhe duke menduar se çfarë do të jetë biri dhe bija ime kur të rriten, por kjo e parë në një prizëm që e tejkalon prizmin e baballarëve tanë, të cilët nuk kanë lënë gjë pa shpenzuar për ne, por që kulmi i dëshirave të tyre ishte që fëmijët e tyre të bëheshin mjekë apo inxhinierë. Ngjarjet dhe kthesat e rrezikshme që po kalon umeti e detyrojnë nënën, që është streha e parë përgjegjëse për edukimin e fëmijëve, që të ndërgjegjësohet për edukimin e një brezi, i cili do të mund të bëjë realitet fitoren, ose të shkaktojë humbjen.

 

Ky brez ka nevojë për një brez nënash siç ishte Hansaja, ose të paktën si nëna e Abdullahit të vogël, e cila nuk e kurseu fjalën e vërtetë për të shtuar edhe më shumë gjëmën dhe fajin mbi kokën e djalit të saj pas rënies së Andaluzisë, kur i tha atij: “Qaj si gratë për një mbretëri të humbur, të cilën nuk arrite ta mbroje si burrat.” E gjendur mes këtyre dy shembujve nëna është e detyruar që të edukojë udhëheqës, ushtarë dhe dijetarë, ose të prishë dhe të prodhojë njerëz që u ngjajnë burrave; burra që lindin dhe vdesin pa shtuar asgjë në vlerat e Umetit, ose që bëhen shkaktarë për dobësimin e tij. Filozofët e Perëndimit e kanë kuptuar rëndësinë e rolit të gruas në edukim dhe njëri prej tyre thotë: “Nëse dëshiron një brez të madh, atëherë duhet të edukosh gruan, sepse ajo i përgatit njerëzit e mëdhenj.” Poeti Amursen, duke përkufizuar civilizimin thotë: “Civilizimi është pushteti i grave të mira.” E mira në këtë rast nuk nënkupton naivitetin, idiotësinë dhe neglizhencën e gjërave. Pushteti i gruas së mirë do të thotë orientim i përpjekjeve dhe realizimi i shkaqeve me një vizion largpamës për të sjellë dobi dhe mirësi për të tjerët.

 

Në periudhën e paqëndrueshmërisë, rrëmujës dhe importimit të verbër të teorive feministe në vendet tona, roli i gruas në edukimin e fëmijëve të saj u konceptua si një padrejtësi karshi të drejtave të saj, përçmim për personalitetin e saj dhe nënvleftësim për aftësitë e saj, ndërkohë që Perëndimi u kthye në shumë vende të tij – pasi më parë kishte shijuar hidhësinë e mungesës së edukimit – drejt rritjes së pozitës së mëmësisë dhe funksioneve të saj. Këtë e vëren në programet e tyre publicitare, të cilat e pasqyrojnë nënën si një nga punonjëset e zonja më të mira me një minutazh të vazhdueshëm prej 24 orësh në të shtatë ditët e javës “A Mother 24/7”.

 

Këto programe ndjekin njëra tjetrën duke iu kushtuar edukatoreve profesioniste, të cilat i mësojnë nënat sesi të komunikojnë me fëmijët e tyre, sesi të shtojnë aftësitë e tyre, sesi të kontrollojnë zemërimin dhe inatin… etj. Sikur edukimi të mos kishte asnjë rëndësi, këto vende të zhvilluara që bëjnë thirrje për lirinë e mendimit, pjesëmarrjes dhe individualizmit nuk do t’i jepnin shumë rëndësi këtyre shembujve. Le t’i kthehemi porosisë që i la Hansaja djemve të saj përpara se të dilnin në luftë në betejën e Kadisijes: «Ju u bëtë muslimanë me dëshirën tuaj dhe emigruat me zgjedhjen tuaj.

 

Pasha Allahun, që nuk ka zot tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Tij, ju jeni djem të një burri të vetëm dhe djem të një gruaje të vetme. Kurrë nuk e kam tradhtuar babanë tuaj, as nuk e kam fëlliqur dajën tuaj, as nuk e kam përzier origjinën tuaj dhe as nuk e kam përbaltur prejardhjen tuaj. Ju e dini se çfarë shpërblimi të madh ka përgatitur Allahu për muslimanët me luftën e tyre kundër jobesimtarëve. Dije se Vendi i Përhershëm (ahireti) është më i mirë se vendi i përkohshëm (dynjaja). Nëse gdhini nesër, hidhuni për ta luftuar armikun tuaj me largpamësi dhe duke kërkuar ndihmën e Allahut kundër armiqve të Tij.”

 

Kjo ishte një nënë e pastër në qenien dhe mendimin e saj dhe e ndërgjegjshme për rolin e saj karshi djemve të saj. Ky mësim i rëndë prej saj dhe kjo përgjigje prej fëmijëve të saj nuk ishin reagime të çastit dhe të situatës, por ishin qëndrime, të cilat nuk mund t’i mbante veçse një nënë, e cila kishte edukuar veten dhe fëmijët e saj me një ambicie të lartë përshumë vite me radhë, derisa ata mbërritën në moshën e pjekurisë; një nënë luftarake dhe djem dëshmorë. Përndryshe qëndrimi i saj pas rënies së djemve të saj do të kishte qenë një imagjinatë apo një përjashtim i natyrës njerëzore, kur ajo falënderoi Allahun për rënien e tyre dëshmorë. Për këtë ajo dhe fëmijët e saj patën fatin e përkujtimit me mburrje dhe vlerësim me kalimin e ditëve.

 

Cila mund të jetë arsyeja që qëndron pas motrës që qau vëllain e saj Sahrin derisa u vyshk dhe nënës që nuk i doli loti veçse prej dhembshurisë që ka zemra e nënës për fëmijët e saj, përveç arsyes së pjekurisë në besim dhe të vetëdijesimit për përgjegjësitë, të cilat i tejkalojnë ndjenjat e kësaj bote, që ziejnë në gjokset e nënave, siç është dashuria, frika dhe ankthi për fëmijët e tyre? Për këto ndjenja shumë nëna janë të zonjat, por shumë pak prej tyre arrijnë të bëjnë atë që bëri Hansaja. Për këtë arsye është thënë se luftërat dhe fitoret bëhen në zemrat e nënave përpara se të bëhen në frontet e luftës. Do të donim të edukonim fëmijët tanë për një kohë ndryshe nga koha jonë, por ja që koha e tyre vjen më e zymtë, më e errët dhe më sfiduese në rrafshin e umetit.

 

Nëse dëshirojmë që edukimi të ecë njëkohësisht me kohën, atëherë iu del si detyrë nënave dhe baballarëve, që të armatosen me të kuptuarin e mesazhit të edukimit, duke vendosur gjithmonë pas bujarisë dhe privimit një objektiv që e kuptojnë fëmijët, duke vendosur pas arsimimit dhe rritjes së aftësive angazhimin për të arritur një qëllim të lartë. Mirësia e ekzistencës pranë një familjeje bën të nevojshme ndjesinë për një familje të madhe anëtarët e të cilës kanë humbur nënat, baballarët dhe vëllezërit e tyre, ku përkujdesja ndaj tyre kthehet në një detyrë shpirtërore dhe sociale dhe jo vetëm përkujdesje materiale.

 

Plagët e të tjerëve nuk mjekohen vetëm duke hapur xhepin, por kanë nevojë për hapjen e zemrës. I Dërguari i Allahut ka thënë të vërtetën kur thotë: “Ju nuk do të mund t’i bëni njerëzit për vete me pasurinë tuaj, por ajo që i bën ata për vete është buzëqeshja e fytyrës dhe sjellja e mirë.” Këtë botëkuptim familjar gjithëpërfshirës, këtë shoqëri dhe umet dashamirës, këtë bashkim dhe lidhje nuk mund ta mbjellë në familje dikush tjetër përveç nënës. Popujt dhe civilizimet para nesh arritën të kuptonin rolin e grave në krijimin e fitores. Imam Asfahani përshkruan rolin e grave frënge në krijimin e fitores, kur thotë: “Në mesin e frëngjve ka gra kalorëse që mbartin mburoja dhe harqe. Ato dallohen kur beteja arrin kulmin dhe tregojnë kurajë. Të gjitha këto, ato i besojnë si adhurim dhe i bëjnë si adhurim.” Beteja e vërtetë e gruas është edukimi i brezit të ri. Nëse gruaja do të tregojë pjesët e saj të dobëta, dobësia do të arrijë të depërtojë dhe armiqtë do t’i hyjnë këtij umeti përmes gruas.

DR. DEJMA TARIK TAHBUB

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit