Muslimanët nga rajoni i Ballkanit janë duke i vijuar përgatitjet për muajin e bekuar të Ramazanit, në të cilin ata agjërojnë duke filluar para agimit e deri në perëndimin e diellit
SHKUP (AA) – Sikurse muslimanët në mbarë botën, edhe besimtarët muslimanë të rajonit të Ballkanit janë duke i vijuar përgatitjet për muajin e bekuar të Ramazanit, në të cilin ata agjërojnë duke filluar para agimit e deri në perëndimin e diellit. Muslimanët në vendet e Ballkanit gjatë muajit të Ramazanit do të agjërojnë rreth 18 orë në ditë, raporton Anadolu Agency (AA).
Teksa xhamitë në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, janë në përgatitje për Ramazan, Xhamia Murat Pasha në Çarshinë e Vjetër të Shkupit është dekoruar me afishin në të cilin qëndron mbishkrimi “Mirë se erdhe, o muaj i Ramazanit”.
Përgatitjet nëpër çarshi dhe xhami tanimë kanë arritur drejt fundit, ndërkohë që qytetarët, për t’i begatuar sofrat e tyre në syfyrin dhe iftarin e parë, po bëjnë blerjet e tyre në “Bitpazarin” e Shkupit, në të cilin krahas pemëve dhe perimeve, mund të gjenden edhe produkte të ndryshme.
Përveç dinamikës së qytetarëve gjatë këtij muaji, edhe organizatat joqeveritare dhe restoranti “Bllacë” në Çarshinë e Shkupit janë përkujdesur që të shtrojnë sofra iftari për nevojtarët. Gjatë 30 ditëve të agjërimit, aty do të ofrohen menu të ndryshme në mënyrë që rreth 100 nevojtarë në ditë të kenë mundësi të bëjnë iftarin.
Në ndërkohë, përgatitjet në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, vazhdojnë me intensitet të plotë. Derisa qytetarët plotësojnë nevojat e tyre nga tregjet e qytetit, organizatat joqeveritare në vend, krahas sofrave të iftarit, synojnë të shpërndajnë edhe pako humanitare për nevojtarët. Edhe organizata të ndryshme nga Turqia këtë vit janë në përgatitje të ofrojnë ndihmë për një numër të madh familjesh skamnore në rajone të ndryshme të vendit.
Nga ana tjetër, në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, Bashkësia Islame e Kosovës është e gatshme që këtë muaj ta kalojë me programe të veçanta iftaresh dhe ndihma të ndryshme. Nëpër xhamitë e qytetit, ajo do të organizojë tubime të ndryshme fetare dhe ligjërata gjatë ditëve të xhumasë dhe netëve të teravisë.
Organizata të ndryshme nga Turqia dhe Bashkësia Islame e Kosovës, e cila do të shtrojë sofra iftari, me tendat e vendosura në qytete të ndryshme, me në krye qendrën e kryeqytetit, do të mundësojnë iftare për mbi një mijë besimtarë. Ndërkaq, rreth pesë mijë pako ushqimore të ardhura nga Tuqia do të shpërndahen gjatë Ramazanit për skamnorët.