SHKUP/TIRANË/PRISHTINË (AA) – Ashtu si besimtarët muslimanë në mbarë botën, edhe ata në vendin e Ballkanit përgatiten për muajin e shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit do të agjërojnë nga koha e agimit deri në perëndimin e diellit. Besimtarët muslimanë të vendeve të Ballkanit për kohën e Ramazanit do të agjërojnë rreth 17 orë në ditë.
Në tregjet e Shkupit lëvizshmëria e qytetarëve është dukshëm më intensive
Besimtarët muslimanë në Maqedoni, restorantet dhe shitoret, disa ditë para fillimit të muajit të Ramazanit filluan përgatitjet për agjërim. Pamjet e Anadolu Agency (AA) dëshmojnë se lëvizshmëria e qytetarëve muslimanë nëpër tregjet e kryeqytetit të Maqedonisë, Shkup, është dukshëm më intensive, ndërsa shitësit tashmë janë furnizuar me më shumë produkte të cilat muslimanët i përdorin për përgatitjen e iftarit.
Përveç tregjeve, edhe xhamitë e kryeqytetit janë tashmë gati për këtë muaj të shenjtë.
Po ashtu, sikurse çdo vit, në Shkup pritet të organizohen iftare falas për nevojtarët dhe personat që nuk mund të arrijnë iftarin në shtëpitë e tyre për arsye të ndryshme.
Shqipëri
Në prag të fillimit të muajt të Ramazanit, edhe besimtarët muslimanë në Shqipëri prej disa ditësh kanë filluar përgatitjet për të pritur muajin e shenjtë, ku përfshihet edhe blerja e produkteve.
Në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, ashtu si çdo vit, tregtarët kanë marrë masat për të siguruar produktet e ndryshme që kërkohen nga qytetarët shqiptarë në prag dhe gjatë muajit të Ramazanit, duke filluar nga ato ushqimore.
Në ditët e fundit, tregjet në Tiranë janë më të frekuentuara, ku qytetarët blejnë produktet për përgatitjet rreth muajit të Ramazanit. Gjithashtu, edhe nëpër dyqane qytetarët bëjnë furnizimet e nevojshme.
Tregu “Pazari i Ri” në Tiranë në ditët e fundit është më i frekuentuar nga qytetarët, të cilët pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike blejnë produktet e nevojshme për Ramazan.
Ndërkohë, përgatitje bëhen edhe në xhamitë e vendit, në pritje për namazin e parë të teravisë.
Nga ana tjetër, në fillim të muajt të Ramazanit dhe gjatë tij, shoqata të ndryshme u gjenden pranë besimtarëve muslimanë në Shqipëri duke i ndihmuar me pako ushqimore, si dhe organizimin e iftareve.
Kosovë
Edhe në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, janë duke vazhduar përgatitjet për muajin e shenjtë të Ramazanit, ku qytetarët kanë filluar t’i frekuentojnë edhe tregjet e qytetit.
“Tregu i gjelbër” i kryeqytetit është njëri nga tregjet që mbushet me besimtarë muslimanë, të cilët i kompletojnë tryezat e tyre për Ramazan me hurma, llokuma, pemë dhe perime për përgatitjen e iftareve.
Në Xhaminë e Madhe – Fatih Sulltan Mehmet të Prishtinës kanë përfunduar përgatitjet dhe pastrimi i kësaj xhamie për namazin e parë të teravisë.
Ndërkaq, edhe përgaditjet e Fondacionit Eyüp Sultan nga Stambolli i cili tash e disa vite me radhë hap tendën e iftarit për nevojtarët, janë në përfundim e sipër. Punëtorët janë duke nxituar që cdo gjë të jetë gati për iftarin e parë në këtë tendë të madhe e cila ndodhet në platonë e “Pallatit të Rinisë” në qendër të Prishtinës. Në këtë tendë, e cila mbetet e hapur gjatë tërë muajit të Ramazanit, vitin e kaluar janë shërbyer një mijë deri në një mijë e 500 iftare në ditë.
Sa i përket restoranteve të kryeqytetit, ato kanë filluar me përshtatjen e menyve të tyre për këtë muaj, ku do të shërbejnë iftarin me lloje të ndryshme të ushqimeve.