-2.9 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Besimi shtohet gjatë Ramazanit

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.

Besimi shtohet dhe pakësohet dhe kjo bëhet në varësi të veprave të njeriut. Shtohet me adhurime dhe pakësohet me mëkate, shtohet me namaz dhe pakësohet me lajthitje, shtohet me vazhdimësi në rrugën e All-llahut të Madhërishëm dhe pakësohet me devijimin prej saj. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “E ata që janë udhëzuar u është shtuar atyre udhëzimi dhe u është dhënë atyre devotshmëria e tyre.” Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Që të shtojnë besimin me besimin e tyre.”

Në Ramazan shtohet besimi, lartësohet besimi në All-llahun e Madhërishëm dhe vendosmëria në rrugën e Tij e kjo bëhet shkak i përafrimit që ka robi ndaj Krijuesit të tij. Agjërimi është prej veprave më të mëdha dhe më të çmuara tek All-llahu i Madhërishëm, është një mundësi e mirë që të largojë robin prej zjarrit, që ta largojë besimtarin prej mëkateve dhe ta afrojë atë drejt All-llahut të Madhërishëm dhe drejt kënaqësisë së Tij.

Falja gjatë Ramazanit është dashuri dhe adhurim, është mallëngjim dhe përafrim që bëhet në mes robit dhe Krijuesit të tij. Ai largon dyfytyrësinë prej zemrave të besimtarëve, ujit pemën e besimit në mënyrë që të jetë në gjendje të japë frytet e saj, me lejen e All-llahut të Madhërishëm.

Andaj, o ju që agjëroni, përkujdesuni të kryeni punë dhe të veproni ato që do t’ju shpien drejt All-llahut të Madhërishëm! Disa prej tyre janë: namazi në grupe me përkushtim, me devotshmëri dhe me përulje të plotë ndaj All-llahut të Madhërishëm. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Me të vërtetë namazi ishte për besimtarët urdhër i prerë.” Padyshim që namazi në xhemat është largues i dyfytyrësisë, ndihmëtar në devotshmëri dhe nxitës për frikë ndaj All-llahut të Madhërishëm. Në një ajet tjetër, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Me të vërtetë namazi ndalon nga e keqja dhe e ndaluara e që përmendja e All-llahut është më e madhja dhe All-llahu e di atë që bëni.”
Po ashtu, prej veprave që e shtojnë besimin dhe që duhet të kemi kujdes në kryerjen e tyre gjatë Ramazanit është edhe leximi i Kur’anit me meditim, të menduarit rreth asaj që lexojmë, të jetuarit nën hijen e tij, të mallëngjyerit për mësimet e tij dhe të udhëzuarit me udhëzimet e tij. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Libër të begatshëm që ta kemi shpallur ty për t’i medituar citatet e tij dhe të përkujtojnë ata që kanë mendje.”

Përmendja e All-llahut të Madhërishëm duhet të jetë me zemër, me gjuhë dhe me gjymtyrët turpor. Ajo duhet të jetë mes madhërimit të Tij, lavdërimit të Tij, të përkujtimit të Tij, të falënderimit të Tij, duhet të jetë ditën dhe natën, duhet të jetë kur jemi ulur, shtrirë apo duke lëvizur. Pra, përkujtimi ndaj Tij duhet të jetë në çdo kohë dhe në çdo gjendje në të cilën ndodhemi.

Kërkimi i dijes së dobishme, të shtuarit e dijes dhe të thelluarit në të kuptuarit e fesë, e në lidhje me këto All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe thuaj o Zoti im më shto diturinë.” Dhe kjo padyshim që bëhet duke pyetur dijetarët.

Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe pyetni përkujtuesit po qe se nuk e dini.” Me përkujtues kemi thënë se është për qëllim dijetarët. Kjo padyshim që bëhet kur prezantohet në ligjërata, në mësime dhe në vendqëndrime të dijes, pasi në ato ndenjëse nuk mund të ankohet ai që prezanton.

Ditura është shkaktare për shtimin e besimit dhe për vendosmërinë në të. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Dhe dije se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut.” Që këtu ka filluar me dije para se të fillojë me shqiptim apo veprim.

Prej gjërave që e shtojnë besimin është, gjithashtu, edhe sakadaja, dhënia në rrugën e All-llahut të Madhërishëm, për
të cilën kemi folur, por ajo që mund të përkujtojmë këtu është se ajo e shton besimin, e përmirëson moralin dhe e ngre karakterin e besimtarit.

Po ashtu, prej veprave që e shtojnë besimin është edhe të menduarit në atë që lexojmë prej Kur’anit, të medituarit në krijesat dhe në krijimin e All-llahut të Madhërishëm, duke u munduar të gjejmë urtësitë dhe të përjetojmë madhërinë e All-llahut të Madhërishëm në përsosmërinë e asaj që ka krijuar. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “E në atë që ka krijuar All-llahu ata meditojnë, o Zoti ynë nuk e krijove kot tërë këtë, i lartësuar je o All-llah andaj na shpëto prej zjarrit.”

Duke pasur parasysh se Ramazani është muaji i begatisë, mëshirës dhe mirësive të All-llahut të Madhërishëm, si dhe muaji ku mendja e njeriut qetësohet, shpirti i tij pastorhet, është mirë që ky muaj të shfrytëzohet në të menduarit dhe të medituarit e gjithë asaj që ka krijuar All-llahu i Madhërishëm në mënyrë që besimtari të shohë madhërinë dhe përsosmërinë e krijimtarisë së Tij, duke shtuar në këtë mënyrë besimin e tij.
Besimi dobësohet e mund të vdesë.
E ndërsa besimi dobësohet kur njeriu largohet nga libri i All-llahut të Madhërishëm dhe nga tradita e Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) duke menduar se janë të mjaftueshme për të mendjet e njerëzve dhe udhëzimet e tyre kështu që bëhet prej pasuesve të tyre dhe larg së vërtetës me të cilën All-llahu i Madhërishëm udhëzon njerëzit për në rrugën e drejtë. E ata, siç edhe përshkruhen në Kur’an, janë prej pasuesve dhe ndjekësve të djallit. All-llahu i Madhërishëm në Kur’an i përshkruan në këtë formë: “Ata janë pasues të djallit e me të vërtetë pasuesit e djallit janë të shkatërruar.”

“Nëse dija jote nuk të shton mirësi,

do të ishte më mirë për ty sikur mos ta mësoje.

E nëse i kuptuari yt nuk të shpie në shpëtim,

do të ishte më mirë për ty sikur mos të kuptoje.”

Prej gjërave që e dobësojnë besimin është edhe dëfrimi, kotësia, lojrat dhe të larguarit nga rruga e All-llahut të Madhërishëm, të larguarit nga ndenjëset e dijes, të shoqëruarit me të devijuarit, dhe të ndenjurit me ata që kanë rënë në grackën e imoralitetit dhe të shfrenimeve. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm në Kur’an thotë: “E mos iu përgjigj atij që ia kemi mbyllur zemrën nga përmendja jonë dhe që iu është nënshtruar epsheve të tij e çështja e tij është e tepruar.”

Besimi dobësohet edhe nëse gjymtyrët bien në mëkate, zemra nxihet nga mëkatet dhe trupi mbushet me gabime. Syri shikon haram, veshi dëgjon haram, dora merr haram, zemra kënaqet me haram, stomaku i mbushur me haram dhe gjithë jetën e kalon në harame e pastaj kërkon falje dhe mëshirë nga All-llahu i Madhërishëm? O All-llah i Madhërishëm, na fal dhe na mëshiro neve!

Agjëruesi duhet të shikojë veten e tij nëse i është shtuar besimi apo i është dobësuar gjatë Ramazanit? Nëse bindja e tij është forcuar apo është dobësuar? Sepse vetëm kështu mund ta dijë nëse ai ka fituar apo ka humbur gjatë këtij muaji. O All-llah i Madhërishëm, na e shto besimin, dijen, të kuptuarit dhe bindjen!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit