1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

BESIMI NË ALLAHUN (Kushti i parë i imanit)

Më të lexuarat

Me besim në Allahun është për qëllim besimi në hyjnoren e Allahut, se Ai është Zotëruesi, Krijuesi, Mbreti dhe Mbarështuesi i gjithçkaje. Po ashtu, besimi në denjësinë e Tij për t’u adhuruar, se Ai është Hyjnia e vërtetë dhe se çdo i adhuruar përveç Tij është i kotë. Njashtu, besimi në emrat dhe cilësitë e Tij, gjegjësisht në bukurinë e emrave të Tij dhe përsosurinë e cilësive që Ai ka.

Po ashtu, besimi në njëshmërinë e Tij – se Atë nuk e shoqëron askush në hyjnoren e Tij, as në denjësinë e Tij për t’u adhuruar, por as në emrat dhe cilësitë që ka. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!” (Kurani, 19:65)

Njashtu, te besosh se atë s’e kaplon as dremitja e as gjumi, se A ka dijeni për gjithçka – qoftë e dukshme apo e padukshme, se Ai zotëron qiejt dhe Token:

“Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai e di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh).” (Kurani, 6:59)

Po edhe të besosh se Ai është ngritur mbi Arsh (fron), sipër krijesave të Tij – e sheh gjendjen e tyre, i dëgjon fjalët që thonë, e sheh se ku ndodhen, ua mbarështon punët, e furnizon të varfrin, e forcon të ngratin, i jep pushtet cilit të dojë Ai vetë, po edhe ia merr atë kujt të dojë, vërtet Ai ka mundësi të bëjë çdo gjë.

Në vijim po i paraqesim disa nga frytet e besimit në Zot:

a. Si rrjedhojë e besimit në Zot, te robi mbillet dashuria dhe madhërimi për Të, të cilat e shpijnë atë drejt realizimit të urdhëresave dhe shmangies nga ndalesat e Zotit. E kur robi të veprojë kësisoj, atëherë ai arrin kulmin e lumturisë në jetën e kësaj bote, po edhe në jetën e amshueshme.

b. Si rrjedhim i besimit në Zot, te shpirti i besimtarit zhvillohet krenaria dhe vullneti, ngase ai kështu e ka të qartë se Zoti është Zotëruesi e Mbreti i vërtetë i gjithçkaje në këtë gjithësi – s’ka kush që mund të bëjë dobi a dëm përveç Tij. Kjo dijeni e bën besimtarin të pavarur nga të tjerët përveç Zotit dhe shkul nga zemra e tij frikën prej gjithkujt tjetër përveç Allahut, ndaj vetëm Atë e shpreson dhe vetem prej Tij ka drojë.

c. Po ashtu, ky besim mbëlton te besimtari modesti, ngase ai e di se çdo mirësi që e gëzon vjen vetëm prej Zotit, ndaj nuk mashtrohet nga djalli e të bie në thellomat e mendjemadhësisë ose të mburrjes me fuqinë dhe pasurinë që posedon.

ç. Besimtari beson bindshëm se rruga e vetme e shpëtimit janë veprat e mira – të miratueshme te Zoti. Në anën tjetër, të tjerët besojnë dogma të kota, si, fjala bie, besimi se qenka kryqëzuar, gjoja ¡biri i Zotit, për mëkatet e tona, besimi në hyjni të ndryshme, gjoja se ato realizojnë dëshirat e njerëzve, kurse ato në të vërtetë nuk bëjnë kurrfarë dobie a demi, ose mosbesimi në ekzistencën e Zotit, besime këto të cilat do ta tradhtojnë njeriun e lajthitur, i cili kur t’i paraqitet Zotit në Ditën e Llogarisë dhe kur t’i shohë të vërtetat do të kuptojë se ka qenë në një devijim të qartë.

d. Besimi në Zotin e vërtetë kultivon në zemrën e besimtarit një fuqi madhështore, përplot vendosmëri, përpjekje, durim, stabilitet e mbështetje te Zoti. Kështu besimtari i përballon dhe i jetëson veprat madhore në këtë jetë, përherë duke synuar kënaqësinë e Zotit, po edhe i bindur se është i mbështetur te Mbreti i qiejve dhe i Tokës, i cili e ndihmon dhe e përkrah atë, ndaj palëkundshmëria e tij, përplot durim, stabilitet e mbështetje te Zoti, i ngjan vendosmërisë dhe palëkundshmërisë së kodrave.

/Mirsim Maliçi “Pse kam ardhur në këtë jetë?/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit