Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, tha se propozimi i një rezolute për gjenocidin në Srebrenicë është një “farsë” dhe se ajo kurrë nuk ka qenë më e shqetësuar për paqen në Ballkan sesa tani.
“I ftoj të gjithë nga Bashkimi Evropian (BE) të pyesin veten se si do të duket Bosnjë e Hercegovina pas votimit të rezolutës. A do të jetë një vend më paqësor, më i qëndrueshëm, ku të ketë mirëkuptim më të madh ndërmjet boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve, ose më të paqëndrueshëm”, tha ajo për televizionin TV Pink në Serbi.
Ajo deklaroi se, para së gjithash, këtë e bëri Gjermania, e më pas të gjithë ata nga Bashkimi Evropian dhe të gjithë ata që do të votojnë për rezolutën, transmeton Beta.
Bërnabiq pyeti se si do të ndihen sot serbët në Bosnje e Hercegovinë, në Republika Sërpska, në Federatë…
“Turp për ju, sidomos për ju nga Gjermania, turp për ju, atë që po i bëni popullit në Ballkan, gjithë popullit në Ballkan, para së gjithash popullit serb, por edhe të gjithëve në Ballkan. Kjo nuk po i sjell askujt asgjë të mirë”, tha Bërnabiq.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të votojë më 23 maj për një rezolutë që shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës.
Sponsorë të rezolutës janë Gjermania dhe Ruanda, ndërsa 32 vende janë bashkë-sponsorizues, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën, Britaninë e Madhe dhe Italinë.
Këshilli Shtetëror i Serbisë në disa raste ka vlerësuar se rezoluta është një deklaratë politike që synon të vendosë një vulë kolektive në kokën e një kombi.
Në prag të seancës, në Beograd u shfaqën billborde me mesazhin “Ne nuk jemi një komb gjenocidal”. Në to janë të theksuara stemat e Serbisë dhe të Republikës Sërpska, entiteti i Bosnje e Hercegovinës.
Rezoluta nuk përmend asnjë komb apo shtet.
Ajo u referohet fakteve të përcaktuara nga aktgjykimet e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe nga gjykatat vendase.
/REL/