Nuk është aq e thjeshtë situata e paraqitur dje nga mediat, ku tregonte se si ishin takuar me njerëzit e ish-kryeministrit maqedonas Gruevski, Damir Fazlliç miku personal i Sali Berishës dhe i lidhur me një mijë fije me shërbimin sekret serb e rus, ish-zv.ministri i Berishës Avenir Peka dhe “zari” i Ilir Metës, Berat Buzhala.
Nuk është rastësi as situata në të cilën janë takuar, dhe ku në qendër është çështje e shqiptarëve në tërë hapësirën ballkanike. Dhe ku takimi nuk ka qënë për të tejkaluar situatat e vështira të shqiptarëve në këtë rajon, por për t’i zhytur ato akoma më thellë. Për interes të Rusisë, Serbisë, klanit mafioz shqiptar në Shqipëri të kryesuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta dhe në Maqedoni të kryesuar nga Nikola Gruevski, ish kryeministër.
Pa harruar për asnjë moment filoserbin dhe ish zyrtarin e betuar të ish-Jugosllavisë, kryeministrin aktual të Kosovës, Isa Mustafa. Dhe rastësitë janë të mëdha në këtë lojë ballkanike me epiqendër luftën ndaj shqiptarëve. Ku agjencitë ruse të lajmeve servirin lajme bombë, me epiqendër vendet e rajonit ku ka më shumë shqiptarë dhe vetë Shqipërinë. Kështu për Malin e Zi, rusja “Sputnik” ka çdo ditë ka shkrime të njëpasnjëshme për trazira që do të përfshijnë vendin kundër anëtarësimit në NATO. Madje kanë parashikuar edhe ditën, 28 prillin, datë e rastësishme me skenarin apokaliptik që “Spiten Prulli” alias Nikollë Lesi hedh në portalin e tij dhe në gazetën Koha Jonë.
Më 28 prill, Parlamenti i Malit të Zi do të miratojë anëtarësimin e vendit në NATO. Po të njëjtën ditë, Sputnik-u rus parlajmëron zhvillimin e protestave të forta nga ana e opozitës filoruse, në kryeqytetin e vjetër të Malit të Zi, Cetinje. Ndërkaq, në kulmin e këtyre zhvillimeve, zien dhe Shqipëria, me një opozitë e cila nuk e di çfarë kërkon dhe që është ngujuar në çadër, aq sa nuk merret vesh se me kë është. Madje nuk rresht së takuari dhe me ambasadorin rus, me shërbimet serbe e ruse të inteligjencës dhe që shpeshherë mediat shqiptare kanë si pikë reference pikërisht “Sputnik”-un rus, që është shumë afër opozitës shqiptare. Aq sa dhe për protestën e djeshme të opozitës, Sputnik-u kishte dedikuar hapësirë të madhe madje dhe me detaje shumë shumë konkrete, ndërkohë që media në vende të tjera të perëndimit nuk ndodhte e njëjta gjë.
Pra duket se interesi më i madh është Maqedonia, Shqipëria dhe për rrjedhojë dhe kryeministi tepër i akuzuar shqiptar Edi Rama, ku palët janë ndarë hapur: Moska me Ivanovin e Gruevskin, SHBA e BE me Zaev dhe shqiptarët e Ramën. Dhe skenari bëhet akoma më pikat teksa lajmërohet se ka ridalë në skenë një njohje e vjetër në Tiranë: Damir Fazlliç, serbo-boshnjaku që ka qenë këshilltar i afërt me Sali Berishën kur ky ishte kryeministër dhe që nuk e la prokurorinë shqiptare ta marrë në pyetje, teksa në Parlament deklaroi hapur se “ai është miku im dhe mund ta sjell dhe në Kuvend dhe ju s’kemi çfarë i bëni”.
Një media shqiptare në Maqedoni thekson se Fazlliç, së bashku me Avenir Pekën, ish-zv.ministrin e Brendshëm dhe këshilltarin e Lulzim Bashës për sigurinë kombëtare, janë takuar me ish-kryespiunin Maqedonas, Sasha Mijallkov, njeri i afërt i Gruevskit. Në fakt janë dy media shqiptare në Shkup: Fakte.net dhe Lajmpress që e kanë botuar një lajm, i ripërpunuar më pas nga Top Channel me detaje të tjera. “Në një restorant në parkun e qytetit (Shkup) janë takuar ish- kreu i DSK-së dhe kusheri i parë i Gruevskit, Sasho Mijallkov me Damir Fazliç dhe Avenir Peka.
Fazliç është biznismen kontravers serbo-boshnjak i njohur për opinionin shqiptar dhe më gjërë, krysisht si person i afërt me familjen e Sali Berishës, por njëkohësisht edhe me shërbimet serbe. Fazliç është nip i Jovica Stanishiq, ish shef i shërbimit sekret serb (1990-1998) gjatë kohës së sundimit të Millosheviqit. Në takim ka qenë i pranishëm edhe Avenir Peka, ish zv.ministër për punë të brendshme në Shqipëri, në kohën kur Sali Berisha ishte kryeministër i Shqipërisë. Ditë më parë në hotel Marriot në qendër të Shkupit, në orët e mbrëmjes, deputeti i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski ka pritur gazetarin kosovar Berat Buzhala dhe biznismenin kosovar Ekrem Lluka. Të dy takimet janë mbajtur larg opinionit dhe kanë kaluar pa u përcjellur në media, ndërsa enigmë ngelin edhe temat për të cilat në të njejtat është biseduar.
Duke marrë parasysh situatën politike në vend dhe situatën në të cilën partia e Gruevskit gjendet kundrejt nevojës për dorëzim të pushtetit dhe dhënies së përgjegjësisë, temat e këtyre takime vetëm mund të paragjykohen”, thuhet në lajmin fillestar i Fakte.net dhe Lajmpress. Pra përmenden Fazlliç e Peka që janë njerëzit e Berishës, dhe Berat Buzhala që njihet si njeri shumë i afërt me kreun e LSI dhe Kuvendit Ilir Meta dhe që pasi merr instruksione nga ai punon për të dhe vetëm për të. Kuptohet në dëm të kryeministrit Edi Rama, kundër shqiptarëve në Maqedoni. Pasi si Meta kërkonte një koalicion Gruevski-Ahmeti dhe jo Zaev-Ahmeti. Pra të gjithë janë bërë bashkë kundër çështjes shqiptare, Shqipërisë dhe kryeministrit Edi Rama. Skenarë spiunësh e krimi ndaj shqiptarëve./MONITOR.MK