Prishtinë, më 25 mars 2022
Shoqata Humanitare Bamirëse “Bereqeti” që funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me Qendrën e Mbretit Salman të Mbretërisë së Arabisë Saudite, kanë filluar sot shpërndarjen e mbi dy mijë pakove me produkte ushqimore.
Në Prishtinë dhe Fushë Kosovë u dhuruan sot 500 pako me produkte ushqimore, e që do të vazhdojë edhe në të gjitha qytetet e mëdha të Kosovës.
Përfaqësues i Ambasadës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, Hamad A.A. Alsayarry, tha është mjaft i lumtur për realizimin e këtij projekti, pas iniciativës së Myftiut të Kosovës Naim ef. Tërnava. “Dëshiroj fillimisht që t’ua uroj muajin Ramazani, meqenëse jemi në prag. Në emër të ambasadorit të Arabisë Saudite në Shqipëri dhe Kosovë, ju falënderoi për bashkëpunimin në këtë projekt. Kjo punë e mirë vjen nga bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës dhe Qendrës së Mbretit Selman me ndihma humanitare, andaj sigurisht se një falënderim i veçantë shkon për Myftiun Tërnava i cili ka iniciuar këtë projekt.”
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, tha se aktivitetet bamirëse do të shtohen edhe më shumë gjatë muajit Ramazan, duke theksuar se “Bereqeti” do të jetë pranë secilës familje nevojtare.
Beshir Sherari, përfaqësues i Qendrës Mbreti Selam, tha se synimi i tyre gjatë muajit Ramazan është që asnjë familje të mos shqetësohet për produktet ushqimore.
“Me këtë projekt synojmë t’i ndihmojmë mbi 10 mijë persona në gjithë Kosovën, duke synuar që t’i shpërndajmë mbi 2000 pako në gjithë territorin e Kosovës, së bashku me Bashkësinë Islame. Synimi jonë është që me anë të këtyre pakove secila familje t’i ketë produktet elementare ushqimore përgjatë muajit të Ramazanit.”
E krejt në fund, drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelinë Sahiti, tha se ndihmat e tilla janë domethënëse për këto familje, në veçanti në këtë periudhë ku janë shtrenjtuar çmimet.
Ky aksion do të shtrihet në 10 qytetet më të mëdha të Kosovës, ndërsa Bereqeti do të jetë pranë nevojtarëve gjatë muajit Ramazan, duke ndihmuar edhe me mbi 35 mijë pako ushqimore.