4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Berat Buzhala dhe belaja me Turqinë; si duhet përdorur liria e shprehjes?

Më të lexuarat

Nga Vedat Xhymshiti

Unë ngritem për të mbrojtur lirinë e shprehjes, por nuk mund të hesht kur një imam apo i ri dënohet për nxitje të dhunës derisa gazetarët duartrokiten. Unë jam pro-lirisë së shprehjes, por jo me Beratin. Nuk jam as me Beratin, e as me Erdoganin. Nuk mund të heshtim në mes krimeve të duartrokitura të Dellit me shumë shokë ‘gazetarë’ dhe gafës së vetmuar të ambasadës turke.

Unë besoj se pa debat dhe pa kritika, asnjë institucion administrimi dhe asnjë vend apo ‘republikë’ nuk mund të ketë sukses dhe nuk mund të mbijetojë. Kjo është arsyeja pse ligjvënësi athinas Solon, dekretoi si vepër kriminale veprimin e çdo qytetari i cili përpiqet të shmanget nga polemika. Prandaj, kjo është arsyeja pse liria e shtypit [në çdo vend!] duhet të mbrohet nga Kushtetuta siç është e mbrojtur në Shtetet e Bashkuara nga Amendamenti i Parë.

Unë besoj se liria e shtypit nuk është kryesisht për t’i zbavitur dhe argëtuar lexuesit, apo për të theksuar vogëlsirat sentimentale. Kjo nuk është thjesht për “t’i dhënë publikut atë që dëshiron”, – por për të informuar, për të ngjallur, për të reflektuar, për të deklaruar rreziqet dhe mundësitë tona për t’i njohur, kuptuar dhe treguar krizat dhe zgjidhjet për krizat nëpërmjet të cilave kalojmë. Liria e shtypit është për të larguar mykun nga mendjet e njerëzve, për t’i edukuar ata dhe ndonjëherë edhe për ta zemëruar opinionin publik. Kjo do të thotë raportim dhe analizë serioze e lajmeve ndërkombëtare, në mënyrë që publiku të mos mashtrohet apo të ndjehet i huaj në raport me informacionet e zhvillimeve larg vendit. Kjo do të thotë vëmendje më të madhe për të përmirësuar të kuptuarit e lajmeve. Kjo do të thotë se qeveria në të gjitha nivelet, duhet të përmbushë detyrimin e saj për të siguruar njerëzit me informacion sa më të plotë që të jetë e mundshme jashtë kufijve të ngushtë territorial. Dhe kështu shtypi të jetë regjistrues i veprave të njeriut, të jetë rojtar i ndërgjegjes së tij, korrieri i lajmeve të tij për ta mbështetur njeriun me forcë.

“Unë jam i bindur se me ndihmën e shtypit, njeriu do të jetë ai që kishte lindur për të qenë: i lirë dhe i pavarur.” — John F. Kennedi 1961

Zhvillimet e fundit në Turqi, kanë krijuar një ambient të çuditshëm në skenën politike dhe shoqërore të Kosovës. Shumë shqiptarë etnikë qëndruan hapur në mbështetje të Presidentit të Turqisë, politika e të cilit për disa vjet përdori fenë si një mjet për të zgjeruar ndikimin e tij dhe për të korrur mbështetje politike në Ballkanin Perëndimor. Ndërsa ata që pretendojnë të jenë kampionë të demokracisë dhe liridashës, hapur qëndruan në mbështetje të një veprimi jodemokratik, mes tjerash edhe për shkak që udhëheqja e Presidentit Erdogan është konfirmuar të ketë sfiduar autoritetin e pretenduar demokratik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nuk po them në të vërtetë se Turqia është më demokratike, pasi ka dëshmi të mjaftueshme për ta kuptuar atë. Mirëpo fundja është një shtet, interesat e të cilit janë pjekur në rrugicat e Lindjes së Mesme me ‘lugetët’ amerikanë, me të cilët vetë Turqia ka qenë e përfshirë në rrëmbimin e revolucionit sirian, të cilin më pas e kthyen në një luftë të përgjakshme civile, e cila mori pothuajse gjysmë milioni jetë dhe ka krijuar më shumë se 4 milionë refugjatë dhe siç fuqitë dëshirojnë të propagandojnë, situata paska krijuar ‘organizatën më të njohur dhe më të rrezikshme terroriste që ka njohur bota, ISIS’, – armët dhe paratë – të cilëve iu vijnë nga Perëndimi dhe bizneset e naftës – të të cilëve i janë mbështetur nga vetë Turqia.

Përgjegjësia etike dhe profesionale e një drejtori të një mediumi që pretendon se bënë gazetarinë, është detyrë e tyre për të ndjekur një rrugë moralisht dhe profesionalisht të paanshme dhe korrekte me të gjitha palët që janë subjekt i veprimtarisë së tyre.

Në jetën tuaj personale, ju mund të keni ndjenjën më të madhe të përgjegjësisë etike ndaj familjes dhe miqëve të ngushtë. Por pronarët apo drejtuesit e bizneseve të vogla ose të mëdha, gjithashtu kanë përgjegjësi etike për shumë njerëz që llogarisin në ta për të bërë gjënë e duhur.

Portali i lajmeve Express është në mesin e atyre që udhëheqin në vend me lexueshmërinë më të madhe, për këtë arsye ata duhet të jenë të përgjegjshëm për të mbajtur në kulmin e etikës kualitetin e të raportuarit, dhe për të ndaluar një herë e përgjithmonë shkeljen e etikës profesionale dhe njerëzore derisa ata e bëjnë punën e tyre.

BeratiPost2
Një nga statuset e Berat Buzhalës, kryeredaktorit të Gazetës Express: “Qeky osht puçi i parë serioz prej qe ka dalë Facebook’u…”
Ju nuk mund të pretendoni se jeni duke bërë gazetari, ndërkohë që vetë jeni të përfshirë drejtpërdrejt në njëanshmëri politike, aq më pak kur jeni një drejtor i portalit më të lexuar. Të keni mbi 40.000 përdorues të rrjeteve sociale të cilët ju përcjellin dhe tek të paktën 50% prej tyre mund të llogariteni se keni ndikim real, nga ju pritet maturi dhe pjekuri njerëzore, profesionale dhe politike dhe jo abuzim. Veprimi juaj [thirrja ndaj qytetarëve të Kosovës, pushues në bregdetin e Turqisë – për t’iu bashkuar Grushtetit Ushtarak!] i cili duket ta ketë shqetësuar shtetin e Turqisë, nuk mund të injorohet, pavarësisht pretendimeve tuaja dhe përpjekjeve për t’i ikur përgjegjësisë me një simbol “:P” – satirik. Nuk mund të injorohet jo pse shteti Turk [i cili ka arrestuar gazetarë nën akuzën për terrorizëm – po sikur shteti amerikan i cili ka burgosur denoncuesit e krimit dhe kërkon vdekjen e kreut të WikiLeaks!] – e ka shprehur me të drejtë shqetësimin e tij, por sepse ligjet në Kosovë [kundrejt të cilave ju keni heshtur, të cilat në atë mënyrë që janë qëndisur e cënojnë lirinë e shprehjes!] – ‘demokratikisht’ e kërkojnë hetimin tuaj.

Unë parimisht nuk e mbështes thirrjen e ambasadës turke, sepse kjo është një thirrje për ta shtypur lirinë e shprehjes sipas mendimit tim, [veprim ky që Kosova e bënë që kur në banesën e ish kreut të kryengritësve tani Presidenti i vendit Hashim Thaçi, në qershor të vitit 1997, një gazetar shqiptar nga Kosova, i cili kishte lidhje të ngushta me lëvizjen kryengritëse ishte gjetur i vdekur në banesën e tij në Tiranë] – por, nëse i referohemi Ligjit “05 / L-002” për ndalimin e bashkimit të qytetarëve të Kosovës në konflikte të armatosura jashtë territorit të shtetit të Republikës së Kosovës, siç thuhet në nenin 3 dhe paragrafin 4 të ligjit në fjalë [të cilit ambasada e turqisë i ishte referuar!], atëhere ju si i dyshuar për përfshirje në këtë veprim, duhet të hetoheni, gjithnjë nëse Kosova pretendon të jetë shtet ligjor dhe i drejtë për të gjithë qytetarët e vendit, por të kryeni një vepër të tillë me rëndësi dhe peshë ndikuese në publik, dhe kërkesa për t’u hetuar të vjen nga një ambasadë e Lindjes, atëhere mund të konsideroheni se jeni i shpëtuar nga ky hetim, pasi një kërkesë të tillë nuk e ka bërë ambasada amerikane.

Gazetaria e paanshme nuk do të thotë se gazetarët duhet të përmbahen nga shprehja e mendimeve të tyre personale, por në të vërtetë ata nuk mund të përfshihen në thirrje ndaj lexuesve që të përfshihen në veprime të dhunshme. Unë besoj se gazetarët duhet të përmbahen nga të shkruarit, [facebook ose twitter] ose postimit të materialeve – përfshirë fotografi ose video – që mund të perceptohen si reflektim i njëanshëm politik, apo fyerje racore, seksiste, fetare ose të tjera paragjykime apo favorizime që mund të përdoren për të dëmtuar besueshmërinë gazetareske, prandaj qëndroj prapa idesë që kushdo që gjendet i përfshirë në veprime të tilla, duhet të thirret para përgjegjësisë.

Prandaj, i ftoj të gjithë kolegët të cilët janë të vetëdijshëm për cilësinë e tyre gazetareske dhe sjelljes etike, që të përmbahen nga veprime të tilla, të cilat e dëmtojnë besueshmërinë tonë.

Vedat Xhymshiti është gazetar dhe korrespondent lufte i pavarur. Ai ka raportuar një numër të konflikteve të Lindjes së Mesme dhe Afrikës, deri tek lufta e tanishme civile në Siri. Ai është botuar në media të ndryshme, duke përfshirë Der Spiegel, New York Times, Le Monde etj. Xhymshiti, është kritik i mediave të shkruara, kolumnist i Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, autor i shkrimeve tek magazina ‘2.0’ në Prishtinë dhe themelues i THEFrontliner.net

Ky artikull është publikuar më parë nga THEFrontliner.net me titull: “Berati dhe bejala me Turqinë”. Ripublikohet me leje!

Observer.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit