2.5 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Belgjika me standarde të dyfishta në luftën kundër terrorizmit

Më të lexuarat

Vendimi i një gjykate në Belgjikë se “PKK nuk është organizatë terroriste” dhe vendimet vetëm për organizatën Sharia4Belgium (Sheriat për Belgjikën) dhe anëtarët e saj, të cilën Belgjika e ka shpallur organizatë terroriste, shfaqin standardet e dyfishta të këtij shteti në luftën kundër terrorizmit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Autoritetet belge kanë pohuar se Sharia4Belgium u shfaq më 3 mars të vitit 2010 për të themeluar qeveri sheriatike në Belgjikë. Organizata u bë e njohur pas një ndërhyrjeje në një fjalim në Universitetin e Anversit. Faqja e tyre e internetit u mbyll më 2 prill pas incidentit, si rezultat i hetimeve të nisura nga Ministrja e atërhershme e Punëve të Brendshme, Annemie Turtelboom.

Kështu, faqja e internetit e Sharia4Belgium nuk funksionoi madje as 30 ditë.

Organizata u akuzua për retorikë të urrejtjes për jomuslimanët. Në vitin 2011, organizata bëri thirrje për vrasjen e politikanes flamane, Marie-Rose Morel.

Si pasojë e trysnive, organizata u shpërbë brenda 2 vite e 7 muaj

Gjykata belge, pas kërcënimeve të Sharia4Belgium, e cila nuk kishte kryer asnjë sulm me bombë apo armë, e shpalli atë organizatë terroriste. Dënimet me burg për anëtarët e organizatës u shqiptuan dy vite pas themelimit.

Kreu i organizatës, Fuad Belkacem, me emrin e koduar Ebu Imran, u dënua me dy vite burgim për gjuhë të urrejtjes dhe dhunës. Organizata u shpërbë më 7 tetor të vitit 2012, vetëm katër muaj pas kapjes së Belkacemit më 7 qershor.

Hetimi belg kundër organizatës vazhdoi edhe pas vitit 2012. Në shtator të vitit 2014 u hap një lëndë gjyqësore, për paraqitjen e disa pjesëtarëve të organizatës në disa video të dhunshme të organizatës terroriste DEASH. Vendimi në këtë gjykim u dha pas pesë muajve, më 12 shkurt, ndërsa në të u gjykuan 45 persona. Në vendimin e gjykatës, 44 persona u dënuan me tre deri në 15 vite burgim.

Qëndrim tjetër ndaj organizatave terroriste PKK dhe DHKP-C

Belgjika, e cila aktivizoi shpejt mekanizmat kundër një kërcënimi ndaj saj, shkaktoi shpërbërjen e Sharia4Belgium brenda dy viteve dhe burgosjen e anëtarëve të saj brenda pesë muajve, megjithatë, mban qëndrim tjetër kur bëhet fjalë për organizatat terroriste PKK dhe DHKP-C.

Standardi i dyfishtë i Belgjikës u shfaq për herë të parë në lidhje me DHKP-C-në. Procesi gjyqësor kundër organizatës filloi në vitin 1999 me kapjen e disa prej anëtarëve të saj në Belgjikë.

Në vendimin e parë të shpallur në vitin 2006, terroristëve, në mesin e të cilëve gjendej edhe kreu i organizatës Dursun Karatas, u shqiptuan dënime me burg.

Megjithatë, ky vendim u shfuqizua në vitin 2007 si “gabim gjyqësor”. Gjykata në Anvers liroi nga akuzat kreu e organizatës i cili u gjykua në mungesë, Dursun Karatas, si dhe Zerrin Sari, Sukriye Akar dhe Bahar Kimyongur. Në krahasim me vendimet e kaluara, gjykata po ashtu refuzoi ta cilësojë DHKP-C-në si organizatë terroriste.

Lënda e DHKP-C-së zgjati 10 vite

Karatas ndërroi jetë në vitin 2008, ndërsa Gjykata në Bruksel në vitin 2009 rifilloi gjykimin. Ajo dha gjykimin në fund të vitit dhe vendosi se DHKP-C “nuk ka kryer akte terroriste” në Belgjikë, duke dhënë dënime vetëm për krime individuale.

Në gjykim, terroristja Fehriye Erdal, një nga të dyshuarat për vrasjen e drejtuesit të Sabanci Holding, Ozdemir Holding, dhe dy personave të tjerë më 9 janar të vitit 1996, u dënua në mungesë me tre vite burgim.

Terroristja e DHKP-C-së ende nuk dihet se ku ndodhet. 20 vite pas vrasjes, ndaj saj është marrë vendimi me 15 vite burgim dhe 10 vite privim nga të drejtat civile dhe politike për krimet e kryera në Turqi.

Lideri i PKK-së për Evropën jeton në Belgjikë

Një tjetër standard i dyfishtë i Belgjikës vjen në shprehje kur bëhet fjalë edhe për organizatën terroriste PKK, të cilën e ka shpallur organizatë terroriste.

Udhëheqësit e organizatës filluan të strehohen në këtë vend në vitet e 90-ta. Shumë terroristë, përfshirë edhe të ashtuquajturit udhëheqës të organizatës, Remzi Kartal dhe Zubeyir Aydar, jetojnë në Belgjikë. Edhe pse ata kërkohen me fletarrest të kuq, liderit të organizatës dhe anëtarëve u është dhënë e drejta ligjore për strehim.

Organizata ka dy televizione në Belgjikë. Edhe pse në një bastisje në vitin 2010 ndaj organizatës u arrestuan shumë persona, ata u liruan për kohë të shkurtër.

Një hetim ndaj Remzi Kartal dhe Zubeyir Aydar dhe 34 personave të tjerë që kishte nisur atëbotë me qëllim të hapjes së një procedure gjyqësore, përfundoi më 3 nëntor të vitit 2016.

Byroja e Hetimeve në Bruksel gjykoi se aktet e udhëheqësve dhe anëtarëve të PKK-së, e cila u akuzua për rrëmbim, privim nga liria dhe kërcënim me vdekje, nuk janë “akte terroriste”, duke refuzuar kërkesën që lënda të bartet në gjykatën e krimeve.

Vendimi në fjalë u refuzua një ditë më vonë nga Gjykata e Apelit në Bruksel më 14 shtator, e cila rrëzoi lëndën për këta persona.

Belgjika po ashtu është përfolur edhe për lejet që i ka dhënë shpesh PKK-së për mbajtjen e protestave. Qeveria belge lejoi organizatën të ngre tenda prapa ndërtesës së Këshillit Evropian ku do të mbahej Samiti Turqi-BE, vetëm disa muaj pas sulmit në Ankara në shkurt të vitit 2016, ku humbën jetën dhjetra persona.

Belgjika në asnjë mënyrë nuk ndërhyri në afishet me simbole të organizatës dhe Abdullah Ocalanin, liderin e burgosur të PKK-së, ndërsa vazhdoi të nxisë reagime me leje të ngjashme edhe në ditët në vijim. Në disa marshime të organizuara nga PKK, morën pjesë madje disa artistë belgë.

Belgjikë u bë baza e lëndëve narkotike të PKK-së

Së fundmi, Belgjika u përfol për kapjen e një rrjeti të PKK-së që ka shitur lëndë narkotike në Evropë dhe ka fituar miliona euro të cilat kanë shkuar për organizatën terroriste.

Nga hetimet e bëra, ishte zbuluar se rrjeti, qendra e të cilit është qyteti Hasselt në rajonin Flaman të Belgjikës, kishte futur drogë në Evropë nga portet e Roterdamit të Holandës dhe Anversit të Belgjikës.

Sipas mediumeve belge, lëndët narkotike të marra nga këto porte ishin dërguar në një shtëpi në Hasselt duke i ndarë ato në pako pesë-kilogramshe, të cilat i kishin fshehur në pjesë të ndryshme të veturave, ku pastaj janë futur në treg në gjysmën e Evropës, përfshirë Gjermaninë, Austrinë, Belgjikën, Francën, Holandën dhe Zvicrën.

Në një lajm të gazetës Het Belang van Limburg në gjuhën flamane, thuhej se ky rrjet ka transferuar miliona euro të përfituara nga heroina dhe parashikohet që ato t’ia ketë transferuar organizatës terroriste PKK.

Sipas Belgjikës, FETO nuk është “organizatë terroriste”

Një tjetër organizatë terroriste së cilës Belgjika i është qasur në mënyrë të butë është FETO, e cila ende nuk bën pjesë në listën e organizatave terroriste të BE-së dhe Belgjikës edhe pas tentativës për grusht shteti në Turqi. Anëtarët e saj i vazhdojnë me lehtësi aktivitetet në Belgjikë. Në këtë vend, FETO është e strukturuar nën emrin Federata e Shoqatave Aktive të Belgjikës (FEDACTIO), nën të cilën, sipas faqes së internetit, funksionojnë deri në 60 shoqata.

Pas tentativës për grusht shteti, vitin e kaluar në Belgjikë kishin kërkuar azil të paktën 225 shtetas turq, kishte njoftuar Ministri i Azilit dhe Migrimit. Thuhet se ky numër është rritur gjatë vitit të kaluar.

Baza e terrorit në Evropë

Krahas këtyre organizatave, Belgjika konsiderohet si baza e terrorit në Evropë kur bëhet fjalë edhe për organizatën terroriste DEASH. Sulmet e 13 nëntorit të vitit 2015 në Paris ku jetën humbën 130 persona u zbulua se ishin planifikuar në Bruksel, ndërsa agresorët ishin ose shtetas të Belgjikës, ose shtetas francezë që kishin jetuar në Bruksel.

Belgjika, e cila është treguar si “hallka më e dobët” e luftës kundër terrorizmit në Evropë, më 22 mars të vitit 2016 u godit nga sulme terroriste në të cilat jetën humbën 32 persona. Një nga autorët e sulmit u zbulua të ketë qenë një shtetas belg i cili më herët ishte deportuar nga Turqia. Belgjika ngjalli reagime për mosmarrje të masave të nevojshme pas arritjes së këtij personi në Belgjikë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit